ven 24 ottobre 2014

Ultimi aggiornamenti09:00:00 PM GMT

Përkthimi i dokumenteve me vulë apostille

Indice
Përkthimi i dokumenteve me vulë apostille
Dy fjalë për vulën Apostille
Tutte le pagine

Ku duhet bërë përkthimi i dokumenteve të legalizuara me Apostille?

Përkthimi i dokumenteve me vulë Apostille është i nevojshëm thjesht për faktin që edhe pse i vlefshëm, dokumenti është i pakuptueshëm nga administrata e vendit tjetër ku dokumenti duhet paraqitur.  Ja disa raste konkrete përkthimesh të mundshme:

Në rastin e dokumenteve italiane që duhen përdorur në Shqipëri, përkthimi mund të bëhet në Itali apo në Shqipëri. Para së gjithash dokumentit i vihet vula Apostille. Nëse është fjala për certifikata apo patenta për ngasjen e makinës, këto mund të bëhen në Ambasadë apo Konsullatën shqiptare në Itali. Aty përkthehen dhe legalizohet përkthimi dhe mund të përdoren në Shqipëri. Për të gjithë dokumentet (përfshirë certifikatat dhe patentat) mund të zgjidhet të përkthehen nga një përkthyes i betuar në Itali. Ai i përkthen, shkon betohet në gjykatë, tek gjykatësi i paqes apo tek një noter dhe betohet që përkthimi është i saktë, pra përkthimi merr kështu vlerë ligjore. Më pas, që edhe përkthimi të jetë i vlefshëm në Shqipëri, i duhet vënë vula Apostille edhe verbalit të betimit të përkthyesit duke legalizuar kështu jo përkthimin, por firmën e funksionarit apo të noterit që ka kundërfirmosur verbalin e betimit të përkthyesit. Në këtë mënyrë, dokumenti mund të dërgohet në Shqipëri. Duket diçka e ndërlikuar, por nuk është kështu. Gjithsesi mund të mbështeteni në agjenci të ndryshme që ofrojnë përkthime të legalizuara që ju kthejnë dokumentin të përkthyer me të gjitha vulat e legalizimit, të gatshëm për ta çuar në Shqipëri.

Një mënyrë tjetër është përkthimi i dokumentit italian me Apostille drejtpërdrejt në Shqipëri, tek një përkthyes i betuar atje. Dhe më pas dokumenti mund të paraqitet në zyrat e administratës shtetërore të Shqipërisë.

Në rastin e dokumenteve shqiptare që sillen në Itali, para së gjithash çohen në Ministrinë e Jashtme për t'u legalizuar me vulën Apostille. Përkthimi dhe legalizimi i përkthimit mund të bëhet në zyrat e përfaqësisë diplomatike italiane në Shqipëri, ose drejtpërdrejt këtu në Itali. Mjafton që dokumenti shqiptar me vulën apostille t’i jepet një përkthyesi të betuar, apo një agjencie shërbimesh që ofron përkthime të betuara, dhe më pas të paraqitet në zyrat e administratës italiane. Në këtë rast përkthimi nuk ka nevojë të ketë vulë apostille, pasi po përdoret nga administrata e të njëjtit vend ku është bërë përkthimi i betuar.


Dy fjalë për vulën Apostille

Nga 26 maji i këtij viti, Italia ka tërhequr rezervën e saj ndaj shtetit shqiptar, lidhur me Konventën e Hagës për vulën apostille të datës 5 tetor 1961 me titull “Konventa për heqjen e kërkesës së legalizimit për dokumentet publike të huaja”, që  praktikisht detyron çdo vend që e nënshkruan të njohë dokumentet publike të vendeve të tjera pa kërkuar më parë legalizimin e tyre pranë përfaqësive konsullore të veta, por vetëm vulën apostille të lëshuar nga i njëjti vend që lëshon edhe dokumentin.

Edhe Ministria e Brendshme Italiane me një qarkore të 15 korrikut 2011 njofton zyra të ndryshme publike për këtë fakt.

Tashmë, të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me vulën Apostille, pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo Konsullatat në Vlorë dhe Shkodër.

Në Itali Apostille vihet në prefekturë për dokumente të lëshuara nga komuna, dhoma të tregtisë, Shërbimi Shëndetësor kombëtar, dhe në Prokurori për certifikatat gjyqësore dhe aktet notarile. Praktikisht atje ku kërkohej legalizimi i një dokumenti italian para se ky të çohej në ambasadë apo konsullatë, po atje do të kërkohet që dokumentit t’i vihet Apostille, dhe më pas dokumenti të çohet drejtpërdrejt në Shqipëri, pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën e Shqipërisë në Romë apo Konsullatat tona në Milano dhe Bari.

Duhet saktësuar që Konventa përcakton heqjen e legalizimit të akteve publike të huaja mes të cilave bëjnë pjesë, të parashikuara shprehimisht, dokumentet që lëshon një autoritet apo një funksionar i administratës së shtetit (përfshirë prokurorinë, gjykatën), dokumentet administrative, aktet noteriale, deklaratat zyrtare që dëshmojnë një regjistrim, një autentifikim firme mbi një akt privat, por konventa nuk aplikohet për dokumentet e lëshuara nga një diplomat apo konsull dhe as në dokumentet administrative tregtare dhe të doganës.

 

Lexo edhe: Vula apostile zëvendëson legalizimin e dokumenteve në konsullata  (Udhëzues)

Shqipëri-Itali: Hiqet legalizimi i dokumenteve në konsullata