ven 24 maggio 2013

Ultimi aggiornamenti02:47:47 PM GMT

Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur

Indice
Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur
Pagina 2
Tutte le pagine
Një aksident tragjik që u ka marrë jetën 13 personave, ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16:15, pranë qafës së Vishës, në Himarë. Një autobus me 33 studente (të gjitha vajza) të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", dega Letërsi, që ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë rreth 80 metra të thellë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autobusi po udhëtonte nga Elbasani drejt Sarandës. Mësohet se autobusi ishte me targa të Elbasanit (El 2274 B) dhe drejtohej nga shoferi 55-vjecar, Pëllumb Çela, që është mes viktimave. Në vendngjarje u mobilizuan autoambulanca, zjarrfikës dhe forca të shumta të policisë e forcat RENEA, disa minuta pas aksidentit. 8 helikopterë, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 6 të Ministrisë së Brendshme transportuan nga Himara drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, të plagosurit më rëndë. Duket se ka qenë një autobus me turistë grekë ai që u ka dhënë ndihmën e parë, studenteve të përfshira në aksident.
(në përditësim)

24 maj - Policia: "Shkaku i aksidentit, shpejtësia e lartë"

Nuk ka pasur dëmtim të sistemit të drejtimit apo frenimit por shkak ka qenë shpejtësia. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga Policia e shtetit për aksidentin tragjik në Himarë. 

Policia e Shtetit deklaroi sot se shkak për aksidentin e ndodhur të hënën në Himarë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 26 studente, ishte shpejtësia me të cilin udhëtonte autobusi.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit tha në një konferencë për shtyp se, "shpejtësia e autobusit ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit". Sipas saj, segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalikë anësorë mbrojtës.

"Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta. Nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, pra rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit. Gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës".

Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, theksoi se, "nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e fundit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm". 

"Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë. Vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje të rëndë", tha zëdhënësja e policisë.

23 maj - Sequi: “Kur përballet me sfida të mëdha, shoqëria shqiptare bëhet një e tregon solidaritet”

Ambasadori i OSBE-së, Ettore Sequi vizitoi sot studentet e aksidentuar në Himarë, që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Ai vlerësoi solidaritetetin e shqiptarëve dhe tha se para sfidave ata dinë të bëhen gjithnjë bashkë.

“Vendosa të shoh pacientet dhe të bisedoj me drejtorin e spitalit për hapat e marra. Më është thënë që është bërë e pamundura, i vizitova edhe vetë dhe kuptova që për to është bërë e pamundura. Vendosa të vij këtu, se kjo ngjarje na ka prekur të gjithëve në shpirt. Rinia shqiptare është pasuria më e madhe e këtij kombi, rinia e Shqipërisë janë pasuria. Pata mundësi të bisedoj me to, më ka bërë përshtypje forca dhe vendosmëria e vajzave për t’u përballur me këtë situatë”, tha ambasadori.

Sipas tij “Solidariteti është treguar fare qartë gjë që e kemi vënë re edhe në raste të tjera, kjo tregon se shoqëria shqiptare kur përballet me sfida të mëdha ka mundësi të bëhet bashkë dhe t’i përballojë. Ky bashkim të tregohet edhe për ngjarje të tjera”, tha ai.

Politikanë e zyrtarë të lartë homazhe në Elbasan

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli,  Kryetari i LSI, Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të të gjitha forcave politike, pushtetarë qendrorë dhe lokalë, ambasadorë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, bënë sot homazhe në ambientet e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ku ishin vendosur fotot e 11 studenteve të këtij universiteti që humbën jetën aksidentalisht një ditë më parë, në Himarë, teksa kishin shkuar për ekspeditë.

Homazhe dhe vizita u zhvilluan edhe në familjet e viktimave studentore, duke u shprehur familjarëve ngushëllimet e përzemërta për humbjen e njerëzve më të dashur të tyre.

Në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar, kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu dhimbjen dhe ngushëllimin më të madh nënave dhe prindërve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të mesditës së djeshme në Himarë.

"Ata ishin ëngjëj, që sot ato do shikojnë nga lart, por në familjet e tyre ato kanë lënë një dhimbje jashtëzakonisht të madhe. Foto e tyre, sytë e tyre kishin shpresë, kishin projekte, por ëndrra e tyre mbaroi dje. Ishte një ditë e tmershme për të gjithë popullin shqiptar", u shpreh Topalli.

Homazhe dhe vizita ngushëllimi në familjet e studenteve të aksidentit të djeshëm tragjik zhvilloi edhe nënkryetari i Parlamentit, Ardian Turku, i cili e ka nisur këtë homazh në familjet e viktimave së pari në fshatin Katund i Ri të Elbasanit, në familjen e studentes Eranda Baloshi.

Në fjalët e tij ngushëlluese, Ardian Turku e ka cilësuar këtë ngjarje si mjaft tragjike për mbarë vendin, dhe mbasi ka ngushëlluar familjarët e Erandës, ka shprehur mirënjohje për të gjithë stafin spitalor të Vlorës dhe Himarës, si edhe kryetarët e bashkive të këtyre qyteteve dhe qytetarët, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për këtë tragjedi.

Të njëjtin ngushëllim ka shprehur edhe Valentina Leskaj, deputete e PS, e cila ka bërë homazhe në familjen e Eraldës, për të vijuar më pas në familjet e studenteve Elsa Daka në fshatin Kuqan të Elbasanit, Eriola Xhoi në Elbasan, Ermira Mana, në Shelcan, Lindita Kabashi në Shtërmen dhe Juliana Tola në Librazhd.

"Ne nuk do t'i harrojmë asnjëherë studentët tanë", shprehet gjatë vizitës së tij në banesën e prindërve të studentes Lindita Kabashi, pedagogu i saj Ilir Yzeiri, ndërsa edhe deputeti Luçiano Boci, njëherazi edhe pedagog në këtë universitet, ka shprehur ngushëllimet e tij për të gjithë familjet e studentëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik.

Vizita janë zhvilluar edhe në banesën e shoferit Pëllumb Çela, ku edhe të afërmit e këtij të fundit nuk kanë fjalë të përshkruajnë zinë që i ndodhi në familje e tyre.

Berisha i përlotur në Elbasan: “Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar dhimbjen”

Kryeministri Berisha i përlotur, ka ngushëlluar familjarëve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi një ditë më parë në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur "Qafa e Vishës".

Kryeministri Berisha e cilësoi dramë të madhe ngjarjen e djeshme, teksa kreu sot homazhe në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani”, ndërkohë garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të plagosurit.

“Uroj që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar, uroj që familjarët dhe prindërit të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejt, sikundër u garantoj që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më mirë. Ngushëllimet më të thella famijeve të këtyre vajzave”,- u shpreh Berisha.

Kryeministri Sali Berisha menjëherë sapo mori lajmin e hidhur njoftoi gjatë një interviste televizive nga Chicago se ka lënë në mes Samitin për t'u kthyer në Tiranë. 

Presidenti Topi, homazhe në Elbasan

Presidenti Bamir Topi zhvilloi mesditën e sotme homazhe në ambientet e Universitetit " Aleksandër Xhuvani", ku edhe janë vendosur 11 fotot e studenteve, viktima të aksidentit tragjik ndodhur një ditë më parë në një fshat në Himarë. 

Pasi ka lënë edhe ngushëllimin në librin e përshtypjeve, presidenti Bamir Topi tha se është shumë i pikëlluar për fatin tragjik të të rinjve që humbën jetën: "Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, shokët e shoqet e tyre, të cilët kaluan vitet e rinisë në këtë shkollë. Uroj që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Në situata të tilla vërehet edhe një solidaritet i madh, gjë që shikohet kudo".Gjatë homazheve, Presidenti Topi shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, rektori i universitetit Liman Varoshi dhe stafi pedagogjik.

Edhe në spitalin e Vlorës, të plagosurat drejt përmirësimit

Gjendja shëndetësore e 10 vajzave të plagosura që ndodhen për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës është drejt përmirësimit.

Drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami, tha për ATSH-në se, "me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë, gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm".

Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në terapi intensive, në ambientet më të mira të këtij spitali.

"Në mëngjes është bërë një konsultë e specializuar nga një grup prej 10 mjekësh të specialiteteve të ndryshme, të cilët kanë vlerësuar gjendjen shëndetësore të tyre dhe në përfundim është arritur në konkluzionin se situata në përgjithësi paraqitet e mirë dhe me tendencë përmirësimi të vazhdueshëm", theksoi Selami.

Ai shtoi se të plagosurat do të mbahen në këtë spital dhe në varësi të situatës do të gjykohet nëse ato do të kenë nevojë për një mjekim më të specializuar apo do të mbahen në këtë institucion shëndetësor.

Në aksidentin rrugor të ndodhur ditën e djeshme në orën 16:15 në vendin e quajtur Qafa e Vishës kanë humbur jetën 13 persona, ndërsa janë plagosur 26 të tjerë. 10 prej vajzave të plagosura u transportuan në spitalin rajonal, ku ndodhen aktualisht në trajtimin mjekësor.

Trupat e viktimave janë dërguar pranë familjeve

Sot rreth orës 06:00 të mëngjesit ka përfunduar dërgimi i 11 trupave të viktimave në aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.

Drejtori i spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, tha për ATSH-në se, "gjatë gjithë natës u punua me intensitet dhe u ndoqën të gjitha procedurat për identifikimin e 11 viktimave, gjë që u realizua në bashkëpunim me familjarët e tyre.Të gjitha procedurat përfunduan rreth orës 06:00 të mëngjesit, kohë kur u nisën edhe dy trupat e fundit të viktimave, që humbën jetën në aksidentin tragjik".

Sipas tij, për dërgimin e trupave drejt familjes u angazhuan mjetet e shërbimeve shtetërore, funerale si dhe të spitalit, që së bashku me personelin përkatës shoqëruan familjarët.

Trupat e pajetë të aksidentit të një dite më parë mbërritën në morgun e spitalit rajonal të Vlorës rreth orës 01:00 të mëngjesit nën shoqërimin e një personeli të specializuar mjekësor dhe policisë.

Edhe trupat e dy viktimave që ndodheshin në spitalin Ushtarak u janë dërguar familjeve.

Ora 11.00 - Të plagosurat në Spitalin Ushtarak në gjendje shëndetësore të stabilizuar

Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja bëri të ditur se në spital janë të shtruara aktualisht 14 vajza, ndërsa një tjetër i është nënshtruar një operacioni në Spitalin Amerikan në Tiranë. 
Sipas drejtorit Mihja, 9 vajza janë në terapi intensive dhe 5 të tjera në kirurgji. Dy prej vajzave janë në gjendje më të rëndë, por përgjithësisht gjendja e të aksidentuarave konsiderohet e stabilizuar. 
“Ne do t’ia dalim. Sot vajzat do të mbahen në reanimacion. I kemi nën kontroll. I kemi identifikuar të gjitha vajzat, kartelizuar dhe kemi kontakuar edhe me të afërmit e tyre”- deklaroi Mihja për mediat sot në mëngjes. 

Dëmtimet e të gjitha rasteve, sipas tij, “janë serioze, por jemi optimistë. Edhe 2 vajzat që janë në gjendje shëndetësore më të rëndë kanë parametra të stabilizuar, janë vlerësuar pozitivisht nga ekipet e mjekëve. Sidoqoftë do të vazhdojë ndjekja e tyre pa ndërprerje duke u ribërë ekzaminimet e nevojshme”. 
Mihaj tha se konkluzionet e ekipeve mjekësore janë të tilla që nuk do të ketë invaliditet. 

Sipas tij, pas apelit të bërë për dhurimin e gjakut, edhe me grup të rrallë A- dhe 0-, Spitalit Ushtarak i janë drejtuar shumë qytetarë dhe nuk ka pasur mungesa të rezervave të gjakut. Dhurimi i gjakut do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme. 

22 maj, ora 08.00 - Identifikohen të gjitha viktimat

Janë identifikuar gjatë natës  të gjitha viktimat e aksidentit:

1. Denisa Guzi nga Gramshi 
2. Ermira Mana nga Elbasani 
3. Aurora Molla nga Pogradeci 
4. Lindita Kabashi nga Elbasani 
5. Joana Debinja nga Lushnja 
6. Elsa Daka nga Elbasani 
7. Juliana Tola nga Elbasani 
8. Armand Halilaga nga Kavaja 
9. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani 
10. Fabiola Shehi nga Bërxulla Tiranë 
11. Eriola Xhoi nga Elbasani  
12. Eranda Baloshi nga Elbasani 
13. Dorina Stafa nga Kruja 


Presidenti Topi sërish në spitalin ushtarak nga ku përsërit thirrjen për të dhuruar gjak

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është rikthyer sonte në mbrëmje në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku u interesua për gjendjen e studentëve të aksidentuar dhe komunikoi me stafin e mjekëve. Ai përgëzoi të gjithë ekipin mjekësor për përkushtimin dhe angazhimin human e profesional, forcat e policisë dhe ushtrisë për gadishmërinë dhe punën e jashtëzakonshme në këtë situatë sa të vështirë aq edhe delikate, bëri të ditur një njoftim i Presidencës. Duke uruar shërim të shpejtë për të aksidentuarit, Presidenti bëri thirrje për solidaritet dhe për të dhuruar gjak, i nevojshëm për të aksidentuarit.

Ambasadori Sequi ngushëllime familjeve të viktimave

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.

“Ambasadori Sequi dëshiron të shprehë ngushëllimet më të ndiera për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën ose u plagosën në aksidentin e sotëm tragjik në Himarë. Mendja e të gjithë kolegëve tanë të cilët punojnë me Shqipërinë, si në Delegacionin në Tiranë, ashtu edhe atyre në zyrat qendrore në Bruksel, janë me ju në këtë moment kaq të trishtuar.”- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e BE-së në Tiranë.

“Zoti u dhëntë paqe shpirtit të tyre dhe familjeve të tyre forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme. U urojmë nga zemra të plagosurve një shërim të shpejtë dhe të plotë.”- përfundon njoftimi.

Elbasan. Qytetarë e studentë ndezin qirinj në sheshin përpara universitetit

Qindra studentë dhe qytetarë të Elbasanit janë grumbulluar sot në mbasdite në sheshin para universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të bërë homazhe në shenjë respekti për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Himarë. Qytetarët dhe studentët ndezën qiri dhe qëndruan në heshtje në sheshin para universitetit.

Identifikohen të plagosurit e shtruar në spitalin ushtarak dhe në atë të Vlorës

Në Spitalin e Vlorës ndodhen Ina Janulla, Entela Daja, Dorina Stafa, Adjola Musaku, Ergysa Opingari, Juljana Kuqi, Griselda Zeneli, Ticiana Hysa, Liri Hasa, Blerina Cereni.

Në Spitalin Ushtarak janë Kaltra Pollozhani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Tace, Anisa Çobo, Doriana Kumrija, Besjana Dani është duke u transportuar nga Vlora në Spitalin Ushtarak Shegushe Taka, Elsa Shtylla, Mirsie Biba, Elfsiana Karriqi.

Identifikohet viktima e parë

Zëdhënësja e policisë së Shtetit në një komunikim për mediat bëri publik emrin e viktimës së parë të këtij aksidenti tragjik. Ajo është vajza që u transportua me helikopter në Spitalin Ushtarak dhe quhet Eranda Baloshi.

Shkon në 13 numri i viktimave

Shkon ne 13 numri i viktimave nga aksidenti i sotëm në Himarë. Mësohet se një tjetër studente që  ishte transportuar në spitalin Ushtarak në Tiranë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Gjithashtu burime policore  bëjnë të ditur se mes 13 personave kanë humbur jetën është edhe shoferi i autobusit.

Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet nga Chicago

Nga Samiti i NATO-s në Chicago kryeministri Berisha shprehu ngushëllimin e tij për familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe apeloi për të bërë të pamundurën që të shpëtohet jeta e të plagosurve.

“Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Në të thuhet gjithashtu se, kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.

Rama: “Është çasti për solidaritet”

“Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen”, deklaron Rama.

Ai ftoi ndër të tjera “Bashkitë socialiste të Himarës, Orikumit, Vlorës, të bëjnë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore për çdo gjë që mund të ndihmojnë. Është me shumë rëndësi t’u qëndrojmë pranë në këto orë të zymta familjeve të viktimave për t’u lehtësuar sadopak dhimbjen e patregueshme”, deklaron Rama.

Ngushëllime e solidaritet nga Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentësh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Jahjaga shprehu solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ofroi përkrahjen e plotë.

Edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, pasi vizitoi të plagosurit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, shprehu ngushëllimet dhe ofroi mbështetjen dhe solidaritetin e qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i dërgoi një telegram ngushëllimi kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe familjarëve të të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

Qindra të rinj dhurojnë gjak në spitalin ushtarak

Qindra të rinj i janë drejtuar të hënën pasdite Spitalit Ushtarak dhe Qendrës Spitalore Universitare për të dhuruar gjak, për të plagosurit e aksidentit të rëndë të ndodhur rreth orës 16.15 në aksin rrugor Vlorë-Himarë.

Siç raporton gazetarja e ATSH-së, persona të shumtë po presin për të dhuruar gjak, mes tyre edhe autoritete të shumta të vendit si dhe qytetarë.

Kryqi i Kuq Shqiptar  ka bërë apel pak më parë për të dhuruar gjak në ndihmë të të plagosurve në aksident. Kryqi i Kuq u ka kerkuar të gjithë qytetarëve t’i drejtohen Spitalit Ushtarak, ku ndodhet aktualisht 4 të plagosura, por edhe spitaleve të tjera.

Gjithashtu, apel është bërë edhe për dhurimin e gjakut në spitalet e Vlorës, Himarës dhe Sarandës.

Shkon në 12 numri i viktimave

Është rritur numri i viktimave nga aksidenti tragjik në Qafën e Vishës në aksin rrugor Himarë-Sarandë. 

Drejtori i Spitalit Ushtarak në Tiranë, Bedri Mihaj, konfirmoi se një vajzë ka humbur jetën gjatë transportimit me helikopter dhe ka mbërritur e vdekur për në Spitalin Ushtarak. 

“Deri tani është e konfirmuar një viktimë, një vajzë, që erdhi faktikisht e vdekur dhe nuk na dha mundësinë për ta ndihmuar, ndërsa nga të gjithë të aksidentuarit janë 2 në gjendje të rëndë, për të cilët shpresojmë që ta kalojnë”. 

Ndërkohë, zëvendës ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, tha se “operacionet nga ajri për transportimin e të plagosurve do të vazhdojnë deri sa të jetë e nevojshme”.

“Janë evakuuar të gjithë personat që kanë nevojë”, tha Spahia. 

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, janë transportuar 14 të plagosur, ndërkohë që pritet  dhe transportimi i të paktën 2 të plagosurave nga spitali i Vlorës.

Pipero tha se të gjitha kapacitetet e Spitalit Ushtarak, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, por edhe spitalet rajonale janë në gatishmëri  të plotë.  Pipero tha se “gjendja shëndetësore paraqitet e rëndë, por është ende herët për të thënë lidhur me ecurinë”. 

Pipero konfirmoi edhe një herë gatishmërinë e bluzave të bardha dhe të qeverisë për të shpëtuar jetë.

22 maji ditë zie

Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 12 studente në lulen e rinisë së tyre, vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare.

Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.

Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri po bën çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë në Tiranë.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave thuhet se ”në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre.  Ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave".

Spiro Maraci, punonjes ne bashkine e Himares, qe ndodhet aktualisht ne vendngjarje, tha per ATSH-ne se aksidenti eshte teper i rende, pasi autobuzi ka rene nga nje lartesi e madhe prej disa dhjetra metrash ne kthesen me te forte te kesaj qafe. Ai tha se ka te vdekur (behet fjale per 6-7 te vdekur) dhe mjafte te plagosur, te cilet po nxiren nga autobuzi dhe po dergohen ne drejtim te qendres shendetesore te Himares.

Dhjetëra banore te Himares dhe punonjes te bashkise si dhe udhetare te rastit jane perfshire ne kete operacion. Nderkohe, mesohet se ne vendngjarje jane nisur forca te shumta te policise dhe autoambulanca.

Policia e Shtetit konfirmon se, deri në këto momente, nga automjeti i aksidentuar në aksin Vlorë-Himarë, janë nxjerrë dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 33 studentë, ndërsa nga të dhënat paraprake rezultojnë 11 të vdekur dhe 22 të plagosur.

Sipas policisë, rreth orës 16.15 të ditës së sotme, në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga.

Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën.

Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt vendngjarjes janë dërguar helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu janë nisur dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në vendngjarje janë dërguar dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe janë krijuar grupe të posaçme me ekipe mjekësh, ndërkohë që ambientet spitalore janë vënë në gatishmëri të plotë.

Policia rrugore po punon për mbajtjen hapur të akseve rrugore për dhënien e ndihmës së shpejtë.

Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Një ndihmë të madhe po japin dhe banorët e zonës.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë.

Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë.

I gjithë stafi pedagogjik i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” bashke me rektorin Liman Varoshi janë nisur drejt Himarës, për të ngushëlluar viktimat e aksidentit tragjik që i ka marrë jetën 11 të rinjve, ndërsa ende nuk konfirmohet numri i saktë i tyre.

Gjatë lidhjes telefonike, rektori i Universitetit, Liman Varoshi, ka deklaruar se “dy autobusa janë nisur mëngjesin e sotëm për ekspeditë në Himarë dhe me të marrë vesh lajmin jemi nisur drejt zonës ku ka ndodhur aksidenti për të qenë afër të aksidentuarve, si edhe për të ngushëlluar të afërmit e viktimave studentë”.

Bashkë me rektorin ndodhen edhe shumë pedagogë të tjerë për të qenë afër studentëve të vitit të tretë të degës Gjuhë Letërsi në këtë universitet.

Ndërkaq, Drejtori i Konviktit të Universitetit, Albert Hajrullai, tha se "vetëm studentë konviktorë janë nisur 20, 16 prej të cilave vajza, ku deri më tani nuk konfirmohet asnjë nga këto të fundit të ketë vdekur”.

Në mjediset e konviktit janë mbledhur shokë e shoqe të studentëve që janë nisur për ekspeditë dhe telefonojnë për të mësuar më shumë rreth fatit të tyre.

Mëngjesin e së hënës janë nisur dy autobusa drejt Himarës, ndërsa mësohet se studentët janë shoqëruar edhe nga pedagogë, mes tyre edhe shefi i departamentit të fakultetit të Gjuhë – Letërsisë, Albert Riska, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar gjë nga aksidenti. Ende nuk konfirmohen emrat e viktimave të këtij aksidenti tragjik.

Presidenti i Republikës Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot pasdite, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, që humbën jetën si pasojë e aksidentit rrugor pranë Urës së Vishës në Himarë.

"Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe", thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të presidencës.

Kreu i Shtetit siguron se të gjitha strukturat e shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë.

Në përfundim, Presidenti shpreh solidaritetin njerëzor dhe institucional dhe u uron shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur.