gio 30 ottobre 2014

Ultimi aggiornamenti09:00:00 PM GMT

Ligji për integrimin e të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Ligji 104/1992, "Ligji kuadër për asistencën, integrimin social dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara", ashtu siç e thotë në emërtim, trajton çështjet e asistencës, të integrimit shoqëror, dhe të të drejtave të personave që kanë aftësi të kufizuara dhe parashikon njohjen e disa të lehtësimeve për punonjës të tillë dhe familjarët që përkujdesen për ta

Kush është person me aftësi të kufizuara

Person me aftësi të kufizuara është ai që paraqet një mangësi fizike, psikike apo shqisore, të stabilizuar ose progresive, për shkak të së cilës ka vështirësi në të kuptuar, në marrëdhënie apo në integrimin në punë dhe si e tillë aftësia e kufizuar i përcakton një proces disavantazhi shoqëror ose emargjinimi.

Personi me aftësi të kufizuara ka të drejtën e shërbesave të përcaktuara në favor të tij sipas natyrës dhe cilësisë së gjymtimit, sipas aftësisë totale individuale që i mbetet dhe sipas efikasitetit të terapive rehabilituese. Për të vendosur shkallën e aftësisë së kufizuar i interesuari duhet t'i drejtohet komisioneve të posaçme mjekësore që veprojnë në njësitë shëndetësore vendore (USL).

Të mirat e parashikuara nga ligji 104/92

Qëllimi i ligjit 104/92 është kapërcimi i pengesave që dalin mes shoqërisë dhe personave me aftësi të kufizuara dhe një integrim më i mirë i tyre duke vepruar në mënyrën më specifike të mundshme, me synim futjen sa më të plotë të personit me aftësi të kufizuara në kontekstin shoqëror.

Një pjesë e të mirave mund të përfitohen nga të gjithë personat me aftësi të kufizuara ndërsa një pjesë tjetër u njihen në bazë të shkallës së aftësisë së kufizuar.

Në të vërtetë disa të mira parashikohen nga dispozita të tjera ligjore, por që gjithnjë varen nga njohja e personit me aftësi të kufizuar. Të mirat që mund të përfitohen nga ligji 104 janë të mëposhtmet.

Leje për punonjësit, lehtësime për prindërit

Ja përfitimet për ata që arrijnë të përfitojnë nga ligji

Punonjësi apo punonjësja që ka të birin me aftësi të kufizuar të shkallës së lartë apo që përkujdeset për një familjar apo të afërt (me lidhje farefisnore deri në gradën e tretë) me aftësi të kufizuar të shkallës së lart, apo punonjësi ose punonjësja me aftësi të kufizuara të shkallës së artë, ka të drejtë:

1. të mos transferohet me punë nga një seli në një tjetër pa pëlqimin e tij/saj;

2. të zgjedhë selinë e punës më të afërt me vendbanimin e vet apo të personit për të cilin kujdeset.

Punonjësit me patologji onkologjike dhe me aftësi të reduktuar pune për shkak të terapive që u shpëtojnë jetën, kanë mundësinë të transformojnë marrëdhënien e punës nga një marrëdhënie me kohë të plotë në marrëdhënie pune me kohë të pjesshme, të ashtuquajtur part-time, (horizontalisht ose vertikalisht: pra të zgjedhin të punojnë më pak orë në ditë apo më pak ditë në javë). Kjo mundësi u jepet të gjithë punonjësve, të sektorit shtetëror e privat

E njëjta e drejtë përparësie për transformimin e marrëdhënies së punës në part-time u jepet edhe punonjësve, burra ose gra, që kujdesen për familjarë apo persona me të cilët bashkëjetojnë, në rast se:

1. patologjia onkologjike prek bashkëshortin/en, një nga bijtë apo një nga prindërit e tyre;

2. përkujdesja i ofrohet një personi bashkëjetues me punonjësin, person të cilit për shkak të të qenit krejtësisht i paaftë për punë, i njihet në të njëjtën kohë:

- 100% invaliditet;

- aftësi e kufizuar e shkallës së lartë

- e drejta e kompensimit për shoqërim pasi nuk është i aftë të kryejë veprimet e jetës së përditshme.

Lejet pas vitit të tretë e deri në vitin e tetëmbëdhjetë të jetës së birit me aftësi të kufizuara

Prindërit, o njëri o tjetri, kanë të drejtën që të largohen nga puna tri ditë në muaj pa iu ndaluar rroga. Prindit që e kërkon i takon të marrë tri ditë leje nga puna edhe nëse tjetrit nuk i takon apo nëse në familje ka persona të tjerë ë mund të ofrojnë kujdesin e tyre ndaj personit me aftësi të kufizuara.

Prindërit mund të përfitojnë nga kjo leje edhe nëse fëmija është i adoptuar apo u është besuar përkohësisht.

Tri ditët e lejes mund të ndahen mes prindërve edhe me shkëputje të njëkohshme nga puna. Tri ditët e lejes mujore mund të ndahen në orë në mënyrë që t'i mundësohet punonjësit apo punonjëses që i merr, një orar elastik pune. Është gjithashtu e mundur që në të njëjtën kohë një prin të përfitojë nga shkëputja nga puna për arsye familjare (kur fëmija është deri në 8 vjeç) ndërsa prindi tjetër të përfitojë lejen mujore për aftësi të kufizuar të familjarit.

Lejet për bijtë në moshë madhore

Prindërit (natyrorë, adoptues apo në besim) të bijve në moshë madhore kanë të drejtën alternative për tri ditë leje të paguar në muaj, edhe të njëpasnjëshme. Tri ditët e lejes mund të ndahen mes prindërve edhe shkëputje të njëkohshme nga puna. Tri ditët e lejes mund të fraksionohen në orë. Në rast se biri jo i vetëmjaftueshëm bashkëjeton me prindërit, e drejta e tri ditëve të lejes për prindin që punon nuk varet aspak nga fakti nëse tjetri është në marrëdhënie pune apo jo dhe as nga fakti që në familje mund të jetë dikush tjetër që mund t'i ofrojë asistencë.

Në rast se i biri nuk bashkëjeton me prindërit, e drejta e tri ditëve leje në muaj varet nga kushti i vazhdueshmërisë dhe ekskluzivitetit të asistencës dhe nga mungesa e pranisë, në bërthamën familjare të personit me aftësi të kufizuara, të personave të tjerë jo në marrëdhënie pune (përfshirë prindin tjetër) të aftë për t'i ofruar asistencë.

Leje për t'u kujdesur për një familjar apo të afërm deri në shkallë të tretë

Punonjësi/ja që përkujdesen për një familjar apo të afërm me lidhje farefisnore deri në shkallë të tretë, përfshirë edhe bashkëshortin, kanë të drejtën e tri ditëve leje të paguar në muaj. Edhe kjo mund të ndahet në leje disaorëshe. Nuk është kusht i domosdoshëm bashkëjetesa me personin me aftësitë e kufizuara por përkujdesja duhet të jetë e vazhdueshme ose me karakter sistematik dhe të përshtatshëm.

Norma të tjera legjislative kanë zgjeruar mundësinë e përfitimit të kësaj të drejte, ndaj edhe:

- prania e familjarëve të tjerë jo në marrëdhënie pune, në bërthamën familjare të personit me aftësi të kufizuara, nuk pengon punonjësin të përfitojë nga lejet mujore me të drjtë rroge;

- personi me aftësi të kufizuara, tutori ligjor ose administratori mbështetës i tij ka të drejtë të zgjedhë brenda familjes së vet se cili duhet t'i ofrojë asistencë duke përfituar lejet e ligjit 104/92;

- e drejta e lejeve u njihet edhe atij që, edhe pse punon e jeton larg vendbanimit të personit me aftësi të kufizuara, i ofron asistencë të vazhdueshme pasi është sistematike dhe e përshtatshme me nevojat e familjarit jo të vetëmjaftueshëm. Në këto raste është e nevojshme të tregohet "Programi i asistencës" (me firmë të përbashkët) që tregon mënyrën dhe synimin e përkujdesjes.

- prania e një ndihmëse familjare (badante, personel i shoqatave jofitimprurëse apo i strukturave publike) është e pajtueshme me përfitimin e lehtësimeve në punë nga anë e familjarëve që i kërkojnë ato.

Me shtrim në spital (pengues për përfitimin e lehtësimeve në punë) duhet kuptuar që personi me aftësi të kufizuara të shkallës së lartë është i shtruar në spital për 24 orë në ditë (pra jo në day-hospital) Megjithatë nëse personi i shtruar është në gjendje kome dhe/ose në fazë terminale, familjari ka të drejtë të përfitojë nga lehtësimet në punë.

Procedura

Procedura që duhet ndjekur për të kërkuar lejet e parashikuara si lehtësime në punë për asistencë ndaj një familjari me aftësi të kufizuara apo për veten.

a) punonjësi që paraqet kërkesën e përpilon atë në një formular të gatshëm të INPS-it, i bashkëngjit certifikatën mjekësore të personit me aftësi të kufizuara që dëshmon "aftësinë e kufizuar në gjendje të rëndë" dhe informacione të tjera që dëshmojnë përmbushjen e kushteve të kërkuara nga norma;

b) punonjësi kërkues i paraqet kërkesën INPS-it që e merr në shqyrtim. Në fakt, INPS-i verifikon përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara nga ligji për përfitimin e lehtësimeve në punë;

c) në përfundim INPS-i i dërgon punonjësit, punëdhënësit dhe Patronatit vendimin e njohjes apo të mohimit të lejeve. Me këtë vendim certifikon përmbushjen e të gjitha kushteve shëndetësore dhe administrative të kërkuara dhe gatishmërinë për rimbursimin e këtyre lejeve;

d) punonjësi i komunikon punëdhënësit mënyrat se si dëshiron të përfitojë lejet apo shkëputjet nga puna për person me aftësi të kufizuara.

Lejet për punonjësin me aftësi të kufizuara

Punonjësi me aftësi të kufizuara të shkallës së lartë ka të drejtë:

- për tri ditë leje në muaj të paguar

- ose për dy orë leje në ditë nëse orari i punës është mbi gjashtë orë në ditë, oes për një orë nëse orari ditor është maksimumi gjashtë orë.

Tri ditët e lejes mujore mund të përfitohen edhe si gjashtë gjysmë-ditë punë ose të ndara në leje me orë.

Ç'duhet bërë që të të njihet statusi i "personit me aftësi të kufizuara"

Për t'u njohur si person me aftësi të kufizuara në bazë të ligjit 104/92, i interesuari duhet t'i nënshtrohet vizitës mjekësore pranë komisionit të përzier të njësisë shëndetësore vendore, USL, ku bashkë me mjekët e specializuar sipas rastit të sëmundjes, janë të pranishëm edhe figura të tjera profesionale si psikologë/psikiatër, asistentë socialë. Parashikohet edhe mundësia e vizitave në vendbanim për ata persona për të cilët dokumentohet pamundësia e zhvendosjes. Për vizitat pranë vendbanimit i bëhet kërkesë Sekretarisë së Komisionit për invalidët civilë duke i paraqitur një certifikatë mjekësore që të dëshmojë paaftësinë absolute të personit. Për të marrë takim për vizitën i interesuari i drejtohet një patronati apo qendrës së prenotimeve, me certifikatë mjekësore të mjekut të familjes ose të mjekut specialist për patologjinë e deklaruar.

Rezultatet e vizitës përbëjnë një dokument (kopje e vetme ndaj për Çdo përdorim duhet përdorur fotokopje) që shpreh vendimin e komisionit mbi rastin e shqyrtuar. Ky vendim i dërgohet më pas Komisionit Mjekësor Periferik për një miratim të mëtejshëm.

Komisioni Mjekësor Periferik mund të shprehë:

Vendim pozitiv (parere favorevole) - kur vendimi i tij përputhet me atë të komisionit të ASL-it. Në këtë rast rrugëtimi i praktikës përfundon në favor të të interesuarit.

Vendim të mospajtueshëm (parere discorde) - kur vendimi nuk përputhet me atë të komisionit të ASL-it. Në këtë rast mund të fiksojë një datë të re për një vizitë kontrolli.

Në të dyja rastet e mësipërme personit me aftësi të kufizuara i komunikohet verbali i vendimit duke ia dërguar në adresë të shtëpisë me postë të porositur me lajmërim marrjeje (raccomandata A.R.).

Stefano Camilloni