gio 24 aprile 2014

Ultimi aggiornamenti04:19:57 AM GMT

Burgu s’është për burrat

Tjetër arratisje “me çarçaf” e shqiptarëve nga burgjet italiane. Pas bujës së para një viti të arratisjes më të famshme nga burgu i Soliçanos në Firence, me të njëjtën lehtësi një tjetër shqiptar largohet nga San Vittore në qendër të Milanos.

Ka bërë bujë në median italiane arratisja nga burgu i San Vitores në Milano, e shqiptarit të akuzuar për vjedhje dhe trafik të drogës. Klodian Ndoi ka mundur të lërë qelinë, pasi kishte hapur një vrimë nën dritaren e kësaj të fundit, të vendosur në katin e katërt të burgut të sigurisë së lartë. Disa çarçafë të lidhur i kanë shërbyer si litarë për të zbritur në oborr e më pas ka kaluar murin rrethues duke humbur gjurmët. I dënuari "akrobat", Klodian Ndoi, ishte arrestuar më 14 shkurt gjatë një operacioni për shkatërrimin e bandës shqiptare të drejtuar nga ai, e cila merrej me grabitje vilash, por edhe me vepra të tjera kriminale, duke terrorizuar banorët e periferisë së Milanos. Bashkë me të në qeli, gjatë operacionit, kishte përfunduar edhe i vëllai,Ylli.

Ngjarja ka ndodhur në orën e para të mëngjesit të 12 prillit. I dënuari ka hapur një vrimë, rreth 30 centimetra të gjerë, prapa banjës allaturka që ndodhej në qelinë e tij. Ai ka shfrytëzuar edhe natën për të mos rënë në sy, ndërkohë që gardianët nuk kanë ndjerë asgjë. Pasi ka hapur vrimën, ai ka depërtuar në të dhe nga një taracë e katit të katërt, ka mundur të lëshohet me anë të çarçafëve të lidhur, në zonën ku nuk kishte roje. Krejt i qetë ai ka dalë në oborr dhe ka kaluar murin rrethues pa lënë asnjë gjurmë. Para se të arrinte të kalonte murin rrethues, Klodian Ndoi ka përshkruar një hapësirë të zonës së burgut, ku po bëheshin rregullime të ambienteve. Arratia e tij është zbuluar në fund nga kamerat dhe perceptorët e vëzhgimit, të cilat kanë dhënë alarmin, por ka qënë tepër vonë. Ai është hedhur me shpejtësi jashtë rrethimit dhe ka humbur çdo gjurmë, megjithë përpjekjet e shumta të policisë për ta kapur.

26-vjeçari Klodian Ndoi ishte në pritje të gjykimit për akuzën e shpërndarjes së drogës, grabitjes me armë dhe tentativës së vrasjes së djalit të një biznesmeni, gjatë një grabitjeje në një vilë të Milanos. Për arratisjen e tij, policia ka nisur një hetim brenda në burg, pasi dyshohet se ai ka pasur edhe bashkëpunim nga brenda. Nuk është hera e parë që të burgosur shqiptarë arrijnë të largohen nga burgu i San Vittores. Një ikje e tillë është regjistruar dy vjet më parë, kur tre të dënuar shqiptarë arritën të arratisen, por dy prej tyre janë arrestuar tre ditë më vonë nga forcat e rendit.

Autoritetet e burgut kanë deklaruar sidoqftë se e kanë parë të burgosurin tek arratisej por nuk kanë qëlluar. "I burgosuri, nga ajo që kam kuptuar, është parë nga rojet, të cilat kanë dhënë menjëherë alarmin. Sigurisht, arratisja është një fakt i pakëndshëm, por nuk mund t'i qëllonim" ka deklaruar për mediat italiane, një nga drejtuesit e burgut. "Sistemet e ruajtjes janë forcuar mbas një arratisje të ngjashme në vitin 2003 dhe në fakt më rezulton se një mbasdite më parë, në qelinë ku ndodhej i arratisuri, në shoqërinë edhe të katër bashkatdhetarëve të tjerë, është bërë një kontroll me apel. Por gjithçka dukej në rregull", ka treguar përgjegjësi i San Vitores.

Dy ditë pas arratisjes së Ndoit

Dështon tentativa e dy shqiptarëve për t’u arratisur nga Regina Coeli në Romë

Edhe 30 centimetra dhe katër të burgosur në Regina Coeli të Romës, mes të cilëve dhe 2 shqiptarë do të "fitonin" lirinë. Por fati nuk u ka ecur ashtu si bashkatdhetarit të tyre Klodian Ndoi. Apo ndoshta qe pikërisht arratisja e këtij të fundit nga San Vittore i Milanos që u ka prishur planin. Rritja e kontrolleve nëpër burgje pas largimit të bujshëm të Ndoit i ka bërë autoritetet të kryejnë kontrolle më të rrepta. Kësaj radhe duke zbuluar një arratisje. Në qelinë ku ndodheshin katër të burgosurit, një norvegjez, një bullgar dhe dy shqiptarë, gardianët zbuluan një tunel 40 centimetra të gjatë, me një diametër 30 centimetër. Pas marrjes në pyetje, njëri nga shqiptarët e ka pranuar se ka qenë ai që ka hapur “tunelin” në mur. Agjentët e policisë së burgjeve nuk u kanë besuar syve kur në qelinë numër 23, në katin e dytë të burgut të Romës, panë një vrimë nga ku kishte filluar të gërmohej një tunel. Pranë njërit prej shtretërve në qeli, e mbuluar me një copë kartoni të ngjitur me pastë dhëmbësh e shkumë rroje në mur, ishte një gropë me një diametër prej rreth 35 centimetra dhe te burgosurit kishin mundur të gërmonin rreth 40 centimetra në murin 70 centimetra të trashë. Sipas policisë, për të gërmuar murin të burgosurit kishin përdorur pjesë metalike të dritares. Duhej edhe pak që muri të hapej, dhe më pas, ashtu siç kishin planifikuar, të burgosurit mund të kishin dalë në oborrin e brendshëm prej nga do të tentonin arratisjen.

Dy shqiptarët akuzohen për krime që lidhen me trafik droge dhe grabitje. Tashmë do të gjykohen edhe për tentativë arratisjeje. Gjatë pesë viteve të fundit, nga burgu i Rexhina Çelit në Romë janë arratisur dy të dënuar, por në të dy rastet, arratisjet kanë ndodhur nga spitalet ku ishin shtruar të burgosurit.

Manual i arratisjes

Në "Shawshank Redemption", i njohur në Itali si “Le ali della libertà”, një nga shumë librat me temë burgun (dhe natyrisht, arratisjen), njëri prej të burgosurve që po rendit librat në bibliotekë pyet mbi librin që i ka rënë në dorë e që duhet t'i gjejë vendin: "Konti i Montekristos, i Aleksandër Dymasë". Flet për një arratisje nga burgu, i përgjigjen. Atëherë e peshon me sy dhe pyet sërish nëse duhet vendosur në raftin e librave me letërsi të huaj, apo në raftin e librave didaktikë mes manualeve që të dëftejnë si duhet kryer për së mbari një punë.

Që burgjet janë bërë edhe për t'u arratisur prej tyre, dihet qëkur janë shpikur burgjet. Por që burgjet italiane qenkan bërë "kryesisht" për t'u arratisur, u desh që të kolaudoheshin nga shqiptarët.

Kanë humbur vendin e punës disa drejtorë burgjesh italiane pikërisht për faj të shqiptarëve. E kushedi sa të tjerë janë duke e humbur në këtë çast. Të paktën këto vitet e fundit shqiptarët po bëjnë garë me njëri tjetrin se kush do të pushojë nga puna drejtorin e burgut, apo ndoshta po sfidojnë statistikat deri aty sa të mbërrijë dita që do të jetë më i madh numri i atyre që e përshëndet burgun duke dalë nga dritarja e duke kapërcyer murin sesa ata që dalin nga dera pasi kanë kryer dënimin.

Mënyrat e arratisjes janë më të thjeshtat dhe, siç e kanë treguar shqiptarët këto vite, vuajnë nga mungesë fantazie! Hapje tunelesh, shpime muresh, sharrim hekurash dritaresh. Zbritja gjithnjë me çarçaf, kapërcimi i murit me dyhapsh.

Nga Solliçano i Firences në San Vitore, nga burgu i Fermos e sërish në San Vittore, duke parë moshën dhe shkollimin e të arratisurve duket se nuk është fare nevoja të kesh lexuar “Kontin e Montekristos”. Megjithatë, për dijeni, bibliotekat e burgut e kanë të radhitur në seksionin e letërsisë së huaj. Por në Itali mund të përdoret edhe si manual.

Pse shqiptarët?

E natyrshme që arratisjet e shumta të shqiptarëve nga burgjet do të tërhiqnin vëmendjen e sociologëve që do të shndërroni në objekt studimi pse-të e një fenomeni të tillë të spikatur ndër shqiptarë. E këtu secili gjen arsyet e veta duke dyshuar edhe një "predispozicion gjenetik!" Një "analist" i burgosur në San Vittore është eglendisur të gjejë rrënjët e fenomenit duke shkruar në revistën e San Vittores "Il Due". Analisti, një farë Guido Conti përfunduar pas hekurave për arsye që nuk njohim, i sheh arsyet e këtyre arratisjeve edhe në pamundësinë e agjentëve të burgut "për të shqiptuar emrat e shqiptarëve" për shkak të "fonetikës së vështirë të emrave të tyre". (Ndryshe nga emrat arabë ku agjentët e Policisë shquhen për një shqiptim të shkëlqyer?). Më tej, analisti i sajuar e mbyll me një perlë: "Shqiptarët - thotë - janë zakonisht trupmëdhenj, që s'u hyn në sy rreziku ngaqë janë mësuar duke ardhur me gomone; janë stërvitur duke u kacavjerrë pallateve për të vjedhur më mirë se sportistët e free-climbing-ut, shkurt, kanë aftësitë ta bëjnë e kështu - e mbyll analisti që duhet të vuajë nga kockat ndaj nuk arratiset - pse të mos i venë në punë këto aftësi për t'u arratisur?

Bota shqiptare 128 – prill 2005