ven 24 ottobre 2014

Ultimi aggiornamenti09:00:00 PM GMT

Terrori mbi Amerikën, sulmi që ndryshoi historinë

E tronditur, e traumatizuar, e gjunjëzuar dhe krejt papritur e cenueshme, por gjithashtu solidare, e bashkuar dhe e vendosur, Amerika ringrihet me vështirësi disa ditë pas shpërthimit të avionëve tregtarë, të rrëmbyer nga terroristët që qëlluan si raketa të vërteta disa nga simbolet më të forta të superfuqisë amerikane, atë financiare në Nju Jork dhe ushtarake në Uashington, duke shkaktuar me mijëra viktima.

Nga Leon Bruneau – Uashington, 15 shtator 2001

Pamjet e dy avionëve të linjës që rrëzoheshin mbi kullat e Qendrës Tregëtare Botërore në Nju Jork do të mbeten të vulosura përgjithmonë në kujtesën kolektive të Amerikës, shënjestër më 11 shtator 2001 e atentatit më të rëndë terrorist në histori, që pa dyshim e ka transformuar atë përgjithmonë.

E tronditur, e traumatizuar, e gjunjëzuar dhe krejt papritur e cenueshme, por gjithashtu solidare, e bashkuar dhe e vendosur, Amerika vazhdon të ringrihet me vështirësi disa ditë pas shpërthimit të avionëve tregtarë, të rrëmbyer nga terroristët që qëlluan si raketa të vërteta disa nga simbolet më të forta të superfuqisë amerikane, atë financiare në Nju Jork dhe ushtarake në Uashington, duke shkaktuar me mijëra viktima.

Nisur nga impakti i tyre, sulmet vetëvrasëse të ditës së martë rreshtohen përkrah ngjarjeve të mëdha të kohëve moderne.

"Është një ngjarje që tronditi botën (...), që ndryshoi botën", komentoi të mërkurën, 12 shtator ministri britanik i Punëve të Jashtme, Xhek Strou.

Për të vetmen superfuqi, është ndarja njëherë e përgjithmonë nga izolimi i saj, madje ndoshta edhe fundi i një epoke të artë, i një supremacie e cila avulloi brenda një çasti.

Për një vend të kursyer nga lufta në tokë të vet që prej 140 vjetësh, sulmet sollën me vete shkatërrimin në shkallë të gjerë.

Rëndësia e ngjarjes na kujton atë të 60 vjetëve më parë, 7 dhjetorin e 1941, sulmin japonez kundër bazës detare amerikane të Pearl Harbourit, në Paqësor, e cila e çoi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore.

"Për brezin e të rinjve, ky do të jetë Pearl Harbouri i tyre, do të jetë vrasja e tyre e Kenedit", shkruante "Los Angelos Time" të nesërmen e atentateve.

SHBA-ja vazhdonte të numëronte të vdekurit e saj sot, ndërsa mijëra viktima janë varrosur nën gërmadhat e kullave binjake në jug të Manhatanit, nën rrënojat e një pjese të Pentagonit në Uashington dhe në fushën e Pensilvanias, ku u rrëzua një avion i katërt që u rrëmbye nga terroristët.

Një dekor apokaliptik, ai i "Luftës së parë të shekullit të 21-të", i cilësuar kështu nga presidenti Xhorxh W. Bush, që dhjetëra milionë telespektatorë e panë direkt.

E martë, mëngjes, ora 08:45, 11 shtator 2001. Amerika e sapozgjuar, kur një avion linje i rrëmbyer nga terroristët godet ballazi një nga kullat e Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork. Një re e dendur tymi u ngrit në katet e sipërme.

Tetëmbëdhjetë minuta më vonë, një avion i dytë linje godet kullën tjetër. Më pas dy grataçielat shemben si kështjella prej kartoni.

Në të njëjtën kohë, në Uashington, një avion po i rrëmbyer, goditi Pentagonin, kompleksin ku rreh "zemra" e mbrojtjes amerikane. Së fundi, një avion u rrëzua pak pas orës 14:00 në Pensilvani, me sa duket pasi pasagjerët ishin përpjekur të merrnin kontrollin e tij.

Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, madje edhe avioni presidencial "Air Force One", kanë qenë në shënjestër, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët dyshojnë publikisht për miliarderin saudit, të strehuar në Afganistan, Osama bin Laden, se ka financuar atentatet.

Duke lenë mënjanë mosbesimin, skuadrat e shpëtimit, në Nju Jork, Uashington dhe në Pensilvania, fillojnë një kërkim frenetik të të mbijetuarëve. Që prej të martës janë gjetur gjithësej vetëm një grusht personash të nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Nuk është dhënë ende ndonjë bilanc përfundimtar, por autoritetet dyshojnë për vdekjen e të paktën 5 000 personave.

Vendi mbeti i paralizuar për tre ditë dhe mbetet shumë i çorganizuar. Tregjet financiare do të hapen vetëm të hënën, trafiku ajror po fillon shumë ngadalë, pasi u ndërpre që nga e marta deri të enjten, manifestimet sportive janë anuluar.

Por kundërpërgjigja po përgatitet, ndërsa po shumëfishohen thirrjet për hakmarrje, manifestimet e patriotizmit, të solidaritetit dhe zisë kombëtare. Por edhe pikëpyetjet, dyshimi, ndërsa terroristët, 19 prej të cilëve janë identifikuar, mundën të rrëmbenin katër avionë me ndihmën, me sa duket, vetëm të thikave.

"SHBA-ja ka përgjegjësinë përpara Historisë për t'iu përgjigjur këtyre sulmeve dhe për ta çliruar botën nga murtaja terroriste", deklaroi presidenti Bush të premten përpara se të thoshte të shtunën: "Ne ndodhemi në luftë dhe përgjigja do të jetë e tillë".

Kongresi e autorizoi presidentin të përdorë forcën, zhbllokoi 40 miliardë dollarë si ndihmë emergjente. Pentagoni po përgatit përgjigjen.

Hetimet policore njoftohen se janë kolosale, me degëzime edhe jashtë vendit. Policia Juridike Federale (FBI) duket se po e ngushton darën e saj mbi mjegullën terroriste të rrjetit të

drejtuar nga miliarderi islamist saudit ben Laden që nga Afganistani.

Njëkohësisht, komuniteti ndërkombëtar është mobilizuar në një vrull të gjërë solidariteti, duke sjellë mbështetjen e tij për Amerikën.

Atentatet krijuan gjithashtu një sërë premierash: Për herë të parë në historinë e saj, NATO-ja përmendi mundësinë e aktivizimit të nenit të 5 të traktatit të saj, i cili i detyron vendet anëtare të japin ndihmë reciproke, nëse sulmohet ndonjëri prej tyre.

Për herë të parë SHBA-ja mbylli hapësirën e saj ajrore.

Akoma dhe më shokuese është të qenit i cenueshëm përballë një armiku që nuk e thotë emrin e tij, që fsheh fytyrën.

Të premten gjatë një dite kombëtare zie, viktimat u kujtuan me flamuj, qirinj, lot dhe lutje që nga Paqësori deri në Atlantik.

"ShBA, ShBA, ShBA ", thërrisnin shpëtuesit mbi rrënojat e Qendrës Tregtare Botërore: Amerika është ngarkuar me një mision të ri.

"Tani që lufta u shpall, ne do ta çojmë botën drejt fitores", tha Bush, tashmë president i një vendi, ku asgjë nuk do të jetë më si më parë.