lun 24 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti02:36:30 PM GMT

Raportuesi i OKB-së: “Të bëhet më shumë për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve”

Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut të migrantëve, François Crépeau, inkurajon Shqipërinë të sigurojë mbrojtje të mëtejshme të të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë apo që janë kthyer në atdhe, si edhe të emigrantëve të huaj që shkojnë në Shqipëri

Tiranë 13 dhjetor 2011 – Në përfundim të vizitës së tij faktmbledhëse nëntëditore në Shqipëri, Crépeau deklaroi: “Do të inkurajoja autoritetet shqiptare që në partneritet me të gjithë sektorët e shoqërisë, të hartojnë dhe zbatojnë  një strategji kombëtare për të drejtat e njeriut, e cila të ketë në qendër të vëmendjes të të gjitha ligjeve, politikave dhe programeve, të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve, duke përfshirë edhe ato të migrantëve”.

Si hap të parë, eksperti nxitiqeverinë shqiptare të vijojë  me grumbullimin e  të dhënave të besueshme për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe për personat e kthyer, si edhe për të huajt në Shqipëri, të cilat do të shërbejnë si themel për hartimin e politikave që bazohen tek njohja dhe respektimi i të drejtave të tyre.

Lidhurme kapacitetet, burimet dhe kufizimet e ekspertizës së zyrave konsullore shqiptare për t’iu përgjigjur dhe trajtuar siç duhet nevojat dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, Raportuesi i Posaçëm theksoi se: “Afërsisht një e treta e popullsisë shqiptare jeton jashtë kufjive të saj. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Greqi dhe Itali, me status të rregullt ose jo”. Në  këtë  kuadër, Raportuesi i Posacëm mirëpriti informacionin e marrë  nga qeveria shqiptare lidhur me fuqizimin e shërbimeve konsullore.

Raportuesi i Posaçëm shprehu shqetësimin e tij për situatën e shtetasve shqiptarë që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë të cilët përballen me procedura gjyqësore apo të cilëve u është hequr liria, përfshirë të miturit, si edhe theksoi që shpesh mbrojtja e tyre në gjyq është e dobët, gjë që çon në dënime të padrejta dhe/ose të tepërta. Më tej, Crépeau shtoi: “Rekomandimi im për qeverinë shqiptare do të  ishte të forcojë dhe të rrisë numrin e stafit si edhe ekspertizën e zyrave të saj konsullore për t'u dhënë më mirë rrugë dhe zgjidhje nevojave të shumëfishta të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut”.

Raportuesi i Posaçëm, mes të tjerash foli edhe për të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, e drejtë që ata mund të ushtrojnë vetëm në territorin e Shqipërisë. “Unë mirëpres informacionet se Kodi Zgjedhor është duke u rishikuar dhe nxis Shqipërinë që me ndryshimin e ligjit të garantojë të drejtën e emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në çështjet publike dhe për të votuar, jo vetëm ligjërisht, por edhe praktikisht, siç është rekomanduar edhe nga Komisioni për Punëtorëve Migrantë në vitin 2010. Ushtrimi i të drejtave politike është thelbësore për rritjen e mëtejshme mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjithë emigrantëve shqiptarë jashtë vendit” ka vënë në dukje ai.

“U informova në lidhje me vështirësitë për regjistrimin civil të fëmijëve të emigrantëve që janë shtetas shqiptarë, sidomos kur prindërit janë pa dokumente”- tha Crépeau, duke tërhequr vëmendjen në veçanti për të drejtat e fëmijëve, por edhe të personave të cilëve u është hequr liria dhe të atyre të mbetur pa mbrojtje të të drejtave shoqërore.“Çdo foshnje gëzon të drejtën e regjistrimit në Zyrat e gjendjes civile menjëherë pas lindjes, të ketë një emër dhe një kombësi. Është e papranueshme që fëmijët të lindin dhe të jenë pa shtetësi në Evropën e ditëve tona” ritheksoi ai. “Qoftë Shqipëria, qoftë vendet pritëse duhet të marrin masa urgjente për trajtimin e kësaj situate”.

Crépeau theksoi se: “Qeveria shqiptare duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për t'u ardhur në ndihmë dhe për të asistuar personat e kthyer, pavarësisht nëse këta persona janë të kthyer me vullnetin e tyre apo me forcë”. Rritja ekonomike e kohëve të fundit në Shqipëri, bashkë me uljen e varfërisë në njërën anë dhe kriza ekonomike e vendeve fqinje nga ana tjetër ka bërë që shumë shqiptarë të kthehen në atdhe.Raportuesi i Posacëm vlerësoi përpjekjet e bëra nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të  Barabarta në  lidhje me trajtimin e situatës dhe rekomandoi ndërmarrjen e veprimeve të  mëtejshme për t'u ardhur në  ndihmë  personave të  kthyer që  kanë  më  shumë  nevojë  për mbështetje.Për shkak të afërsisë gjeografike me Bashkimin Evropian, Shqipëria është një vend tranziti dhe gjithmonë e më shumë do të kthehet në një vend për migracion të parregullt, ndonëse ky i fundit ende në shkallë të vogël. Raportuesi i Posaçëm theksoi rëndësinë e “një procesi rigoroz të monitorimit, dhe të një roli më aktiv për Inspektoratin e Punës. Për më tepër, vëzhgime të mia sugjerojnë se kushteve të migracionit qarkullues të popullsisë rome me shtetet fqinje duhet t'u jepet vëmendje e veçantë, pasi statusi i tyre social i bën ata të jenë shtresë e dobët e popullsisë përballë shfrytëzimit”.

Gjithashtu, Crépeau inkurajoi Bashkimin Evropian të mbështesë përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të për fuqizimin e komponentit të të drejtave të njeriut të asistencës së vet teknike për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt integrimit evropian. “Për të garantuar qëndrueshmërinë e të gjitha përpjekjeve, ftoj BE-në të marrë në konsideratë një program të posaçëm në mbështetje të sistemit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në shkallë kombëtare dhe për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve në veçanti”.

Deklarata e plotë e Raportuesit të Posaçëm të OKB-së për të drejtat e njeriut të migrantëve, François Crépeau