gio 24 aprile 2014

Ultimi aggiornamenti01:22:56 PM GMT

Shqipëri-Itali: Hiqet legalizimi i dokumenteve në konsullata

Tashmë nuk nevojitet më që  dokumentet shqiptare të legalizohen në konsullatat italiane apo që dokumentet italiane të legalizohen në ato shqiptare. Mjafton “Vula Apostile” e lëshuar nga autoriteti i shtetit nga i cili vjen dokumenti

Romë 25 qershor 2011 – Tashmë, të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me vulën Apostile, pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo Konsullatat në Vlorë dhe Shkodër.

Të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet italiane do të legalizohen vetëm në prefekturat ose prokuroritë italiane, me vulën Apostile, pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën e Shqipërisë në Romë apo Konsullatat tona në Milano dhe Bari.

Nga 26 maji i këtij viti, Italia ka tërhequr rezervën e saj ndaj shtetit shqiptar, lidhur me Konventën e Hagës për vulën apostile të datës 5 tetor 1961 me titull “Konventa për heqjen e kërkesës së legalizimit për dokumentet publike të huaja”, që  praktikisht detyron çdo vend që e nënshkruan të njohë dokumentet publike të vendeve të tjera pa kërkuar më parë legalizimin e tyre pranë përfaqësive konsullore të veta, por vetëm vulën apostile të lëshuar nga i njëjti vend që lëshon edhe dokumentin. Kjo do të thotë që këtej e tutje, dokumentet publike e njërit prej dy vendeve do të jenë të vlefshme në tjetrin vetëm me një vulë apostile të marrë në autoritetet përkatëse të shtetit ku ato janë lëshuar.

Lajmi u bë publik dje, pas një takimi mes ministrit të jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto dhe Ambasadorit italian në Shqipëri, Saba D’Elia, i cili i dorëzoi simbolikisht kreut të diplomacisë shqiptare Notën Verbale, nëpërmjet së cilës, shteti italian ka pranuar heqjen e rezervës së tij nga Konventa e vulës apostile për shtetasit shqiptarë.

Nga ana politike, ky hap i Italisë është një njohje e përparimeve të Shqipërisë lidhur me sigurinë e dokumenteve që lëshohen prej saj. Nga ana praktike, veçanërisht emigrantët shqiptarë, do të kursejnë para e kohë për paraqitjen e dokumenteve italiane (lindje fëmijësh, lidhje martese në Itali, vdekje etj) në Shqipëri dhe për paraqitjen e dokumenteve shqiptare (certifikata të ndryshme shqiptare) në Itali.

Për detaje të mëtejshme mbi vulën Apostile, ç’është, ku merret e si veprohet mund të lexoni ditët e ardhshme udhëzimet që do të botojë shqiptariiitalise.com.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Çfarë është vula apostile, ku kërkohet e për cilat dokumente