sab 30 agosto 2014

Ultimi aggiornamenti05:32:40 PM GMT

Venediku në Shqipëri

La Serenissima Repubblica di Venezia, një nga perandoritë më të veçanta të mesjetës e të kohëve moderne ka shënjuar historinë e shqiptarëve ndër shekuj.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tregtare, si janë zhvilluar strategjitë dhe ndërhyrjet politike, sa është ndjerë influenca Luanit të Shën Markut në zhvillimin shoqëror, kulturor dhe historik të Shqipërisë dhe shqiptarëve 

Nga Pëllumb Xhufi

“Coltivar il mare e lassar stare la terra”: nën këtë moto duhet të lindte më e rralla ndër perandoritë e mesjetës dhe kohëve moderne. Një perandori që niste në Venedik e mbërrinte në Kostandinopojë e në tregjet e Detit të Zi, duke u shtrirë në brigjet dhe ishujt e Adriatikut, Jonit dhe Egjésë. Pjesë e qenësishme e saj ishte edhe ai bosht gjatësor që ndiqte bregun lindor të Adriatikut dhe që në një pjesë të mirë njëjtësohej me brigjet e Shqipërisë. S’ka dyshim që Durrësi kish ngjallur interes që në zanafillat e fuqisë venedikase. Ishte porti qendror i Perandorisë Bizantine dhe dalja e të famshmes Via Egnatia që, ashtu si në epokën romane, edhe tani shërbente si “arterie qendrore e zemrës bizantine”. S’është për t’ u çuditur pra që suksesi i sundimit venedikas në udhët dhe tregjet e Lindjes lidhej me ngjarjet që kishin në qendër qytetet adriatikase, siç ishte rasti i betejës detare zhvilluar në ujërat e Durrësit mes flotës venedikase dhe asaj të pushtuesit Robert Guiskardi, në vitin 1081. Fitorja dërrmuese venedikase, u shpërblye aso kohe nga Perandori Aleks I Komneni me atë privilegj që hodhi bazat e sundimit venedikas në detet dhe tregjet e Bizantit. E sidomos në atë zonë të Adriatikut që, në 1154, gjeografi arab Idrizi e përkufizon si “culfus Venetiarum”.

Nuk e dimë në ç’vit a në ç’ditë gallea e parë venedikase ndali në portin e Durrësit, por dimë që, kur kryqtarët e parë, dhe pikërisht ata të Robert Guiskardit, mësynë Durrësin, gjetën aty një koloni të lulëzuar venedikase. Pra, më parë se “Iliadën” e kryqtarëve, Durrësi kishte përjetuar “Odisenë” e tregtarëve. Në fakt habitatores-it venedikas të Durrësit ishin afaristë, tregtarë, përfaqësues kompanish tregtare, armatorë, me një fjalë njerëz të lidhur me trafikun prej Lindjes dhe nga Lindja, si në rrugë tokësore (Egnatia), ashtu edhe në rrugë detare (“per terram de Costantinupoli usque Dyrachium, et de inde per mare usque in Venetia”). Por, përveçse një pikë kalimi e rëndësishme në tregtinë e tyre me vendet e Lindjes, Durrësi ishte edhe vetë një qendër e rëndësishme e grumbullimit dhe e shpërndarjes së prodhimeve të fushave shqiptare: grurë, prodhime të qumështit, verë dhe sidomos ajo “sal albus” (kripë e bardhë) e Durrësit aq e pëlqyer në tregjet venedikase.

Siç mund të kuptohet lehtë, kolonia venedikase e Durrësit përqëndrohej në lagjen e portit. Kisha e Shën Ndreut, e ngritur nga një prift venedikas, ishte pikë referimi, në kuptimin moral dhe urbanistik të fjalës. Një consul Venetorum përfaqësonte interesat e këtij Venediku të vogël dhe i habitatores-ve të saj pranë autoriteteve vendore. Biznesi që zhvillohej përreth lagjes venedikase përfshinte edhe shumë nga cives-it e Durrësit, që na shfaqen si bashkëpronarë të operatorëve dhe kompanive venedikase. Në Durrës këta përbënin një kastë qytetarësh që gëzonin një trajtim të veçantë nga ana e Republikës dhe që shpesh u pëlqente të hiqeshin si venedikas (pro Veneto expediantur).

Sidoqoftë kolonia venedikase e Durrësit përbënte një faktor të rëndësishëm dhe të mirëpërfshirë në realitetin qytetar, atë ekonomik, shoqëror, politik e deri edhe ushtarak. Në fakt kolonët venedikas duhet të merrnin përsipër edhe detyrën e mbrojtjes, dhe pikërisht atyre u ishte besuar mbrojtja e njërës prej kullave kryesore, asaj të pjesës së sipërme të Durrësit. Duket këta nuk e kryenin gjithnjë detyrën: historiania bizantine Ana Komnena i akuzon kolonët venedikas të Durrësit, se në 1081 ua kishin dorëzuar qytetin normanëve të Robert Guiskardit. Diçka mjaft e çuditshme kjo po të mbajmë parasysh që pikërisht në këtë kohë, flota venedikase ishte përfshirë në një betejë të tmerrshme detare kundër normanëve pikërisht në ujërat e Durrësit. Por nuk ishte e thënë që kolonia venedikase e Durrësit të ndiqte gjithnjë linjën politike të mëmëdheut. Armiqtë e kësaj të fundit nuk ishin gjithnjë dhe medoemos edhe armiq të së parës.

Pas Durrësit, në shekujt e mëvonshmëm, prania venedikase u shtri edhe në qendra të tjera të rëndësishme të bregdetit shqiptar: në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Spinaricë, Butrint, Bashtovë dhe Pargë. Me leje perandorake, venedikasit, e festuan praninë e tyre në këto vende duke filluar të ndërtojnë ecclesiam, curiam et fundicum, elementë të nevojshëm këta për një prani të qëndrueshme ekonomike dhe kulturore. Kështu, përpara se qendrat kryesore të bregdetit shqiptar të binin nën sundimin e vërtetë, gjë që ndodh në gjysmën e dytë të shek. XIV, Venediku kish mundur të shtinte në dorë veprimtaritë kryesore ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Duke filluar nga shek. XII prodhimi i fushave i përgjigjej nevojave të tregtisë venedikase. Contareno-t, Tiepolo-t, Mauro-t, Laurenzaga-t, si përfaqësues të kompanive të mëdha tregtare, ishin vendosur në sheshet qendrore tregtare. Këtu, tregtarët e vegjël vendas derdhnin prodhimet e tokës shqiptare, të cilat më pas merrnin rrugën drejt Venedikut apo porteve të Dalmacisë.

Derikur punët shkonin mirë, ishte e nevojshme të mbaheshin marrëdhënie të mira me autoritetet vendore dhe të fuqishmit e vendit. Sakohë përfitimi ishte i dyanshëm, këto marrëdhënie ishin përgjithësisht të shkëlqyera. Nga ana tjetër, Venediku dhe venedikasit, kishin aq përvojë sa të kuptonin që ndonjë dhuratë apo para, paguar zotërinjve shqiptarë mund t’i bënte gjërat më të kollajta. Rreth shekullit XIV Contareno-t ia kishin dalë të lidhnin marrëdhënie miqësore me dinastinë e princëve Komneno, në zonën e Durrësit, miqësi që nga Venediku shihej si paksa e tepruar meqë shkonte deri tek martesat e përzjera me vajzat vendase. Sidoqoftë, sipërmarrësit venedikas dhe zotërinjtë vendas, i lidhnin mjaft interesa dhe punë, e çuditërisht edhe tregtimi i erëzave, që zotit të Vlorës ia sillte miku i tij, emiri i Tunizisë, dhe që më pas Contareno-t e shpinin drejt metropolit venedikas. Në atë kohë, qyteti dhe porte të tjerë të vegjël nën sundim, ishin përplot me tregtarë venedikas, dhe rreth 1350, njëri prej tyre u thirr deri edhe nga “despoti” Gjon Komneni për të zënë postin e rector-it (administratorit) të pasurive të tij. Natyrisht jo gjithçka shkonte vaj mes qytetarëve venedikas dhe popullsisë vendase. Grabitje, rrëmbime, kusari dhe raprezalje në dëm të banorëve venedikas lajmëroheshin nga pak kudo: në Durrës, Vlorë, Spinaricë dhe Bestrovë. Sinjoria nuk ndenji duarkryq përballë mujshive të këtij lloji. Madje në 1325, zotërinjtë shqiptarë e tepruan aq shumë, sa ajo u dha urdhër të gjithë banorëve venedikas të braktisin qendrat shqiptare. Por për çudi këta nuk u bindën, por vazhduan të shohin “punët e tyre” (facta sua), paçka se u duhej të përballonin jo pak rreziqe. Një tjetër provë e asaj sesi la ragion di stato në Venedik jo gjithnjë përputhej me ato të individëve.

Por tregjet e Venedikut duhet të përballeshin edhe me rreziqe të një lloji tjetër, shumë më rrënuese nga të parat. Një ide mbi këtë na e jep një lajm i 1363, lidhur me një murtajë të tmerrshme që, mes të tjerëve, vrau edhe të gjithë operatorët venedikas të Vlorës dhe Durrësit (“propter quam quasi omnes Veneti qui faciebant facta sua in partibus Avallonae et Durachii, decesserunt”).

Nëse përballë fatkeqësive të këtij lloji mund të bëje pak ose aspak, Venediku mori masat e nevojshme për të parandaluar veprimet që kishin për qëllim të godisnin dhe dëmtonin qytetarët venedikas që vepronin në Shqipëri. Për të vigjëluar mbi jetën dhe pasuritë e këtyre, nën komandën e Capitano del golfo-s, u ngrit në këmbë flota e frikshme e Adriatikut, që kish për detyrë t’i shtrëngonte keqbërësit të hiqnin dorë nga aksionet kundër subjekteve venedikase e, po të ish nevoja, edhe të ndërhynte për të ndëshkuar fajtorët. Por flota e gjirit ishte aty edhe për të zgjidhur situata mjaft më të ndërlikuara, që kishin të bënin drejtpërsëdrejti me interesat e Shtetit. Koncepti i së drejtës ekskluzive që duhet të kishte mbi lundrimin dhe trafiqet në Adriatik, e shpinte gjithnjë Venedikun në përplasje me fuqitë e tjera, sidomos me Mbretërinë e Napolit, që gjithashtu kishte synimet e veta ndaj Lindjes, apo edhe me zotërinjtë e vegjël shqiptarë që, në një çast të caktuar, ndjenë shpirtin e kohërave e u bindën se kish më shumë vlerë të merreshe me tregti, lundrim, apo edhe kusari, sesa të këmbëngulje në punën pa duk në ara. Eshtë kuptimplote historia e njërit prej këtyre zotërinjve, princit Karl Topia të Durrësit, që rreth 1360 vendosi të ngrinte një flotë të vetën. Kjo i alarmoi aq shumë zotërinjtë e Venedikut, sa këta e urdhëruan menjëherë të hiqte dorë nga plani, meqë “navigare non possit nec mercatum facere per mare”. Më kot Topia desh të justifikohej, duke thënë se jo një flotë, por vetëm ndonjë anije kish dashur të ndërtonte, dhe këtë sa për t’u mbrojtur nga sulmet e armiqve të tij. Sinjoria iu përgjigj thatë që as edhe kjo mund të lejohej, meqë gjiri i Adriatikut ishte venedikas dhe “custodia istius culfi ad nos spectat et pertinet de jure”! Pra s’kishe ç’bëje, fjala ishte për një të drejtë të shenjtë!

Sidoqoftë Mbretëresha e Deteve e vu seriozisht në provë kur, turqit, pasi pushtojnë Maqedoninë, nisin të shtyhen drejt bregdetit adriatik. Tashmë kontrolli “nga larg” i qyteteve dhe bregdetit shqiptar nuk mjaftonte. Pushtimi i bregdetit shqiptar nga ana e turqve, kërcënonte t’u merrte frymën trafiqeve venedikase në Adriatik, dhe ky do të ishte fundi (“leviter esset destructio culphy nostri, navigiorum et mercationum nostrarum”). Ndaj duheshin bllokuar mundësitë e daljes në det (“pro oviando his que possent occurrere in colpho nostro in damnum nostrum”). Dhe ja tek përvijohet politika e re venedikase në Shqipëri, që lidhej me pushtimin e qyteteve kryesore të bregdetit. Sipërmarrja nuk ishte dhe aq e vështirë. Të tmerruara nga mundësia e pushtimit otoman, shumë qytete u vunë me dëshirën e tyre nën sundimin venedikas. Në Durrës, qenë të shumtë ata që e përkrahën kalimin nën simbolet venedikase: banorët venedikas të qytetit, ata durrsakë “që e hiqnin veten si venedikas” (renomandi Venetiani), kleri dhe deri edhe ipeshkvi i qytetit, Demetrio Nesha, i cili kohë më vonë u vlerësua veçanërisht nga Venediku për rolin që kish luajtur si “principalis causa solicitandi et instandi, ut dominatio nostra haberet dominium Durachii”. Por njëlloj të hapur ndaj Venedikut u treguan edhe përfaqësuesit e artistokracisë pasunore shqiptare. Aq e vërtetë është kjo, sa ishte pikërisht Inclechi Albanensis, një zotëri i rrethinave durrsake, ai që ngriti flamurin e Shën Markut në kullën e sipërme të Durrësit atë ditë shtatori 1392. Venediku ishte i ndërgjegjshëm për peshën që kishin në jetën dhe fatet e qytetit përfaqësuesit e artistokracisë. Këta tashmë ndjeheshin të lidhur me jetën dhe argëtimet e qytetit, ku shkonin shpesh “pro sius factis vel pro placere”. E meqë respektoheshin sepse kishin “magnam potentiam et sequellam hominum”, puna e donte t’i trajtoje mirë. Më anë të privilegjeve, titujve dhe parave, fitohej miqësia dhe mirëdashja e tyre (“ad faciendum eos magis amicos et benevolos”) dhe, nga ana tjetër u ofrohej të tjerëve një model sjelljeje reminerabile (“pro bono exemplo aliorum”). Ndodhi kështu me Topiajt e Durrësit, Kastriotët e Krujës, Dukagjinët e Lezhës, Zenebishtët dhe Spatat e Epirit, që një ditë të bukur u zgjuan, as më shumë e as më pak, po qytetarë venedikas, e ndonjëri prej tyre, edhe anëtar i Këshillit të Madh. Në fund të fundit, qetësia dhe siguria e qytetarëve venedikas dhe e vetë sundimit venedikas në Shqipëri, qëndronte më së shumti në duart e këtyre zotërinjve, shpesh analfabetë e deri edhe të pagdhendur (“animae rusticae et rudis intellectus”), por jo për këtë më pak të frikshëm. Veç zotërinjve miq dhe besnikë të Sinjorisë, kishte edhe nga ata që ushqenin ndjenja krejt të tjera. Mes tyre, rreth 1420, ishte Gjergj Balsha i Shkodrës, armik i betuar i Sinjorisë, shpirt i trazuar dhe hakmarrës. Ky ndëshkoi me vuajtje të parrëfyera njërin prej njerëzve të tij që guxoi të kalonte nën besimin venedikas, të mjerin Pjetër Shestani, të cilit “amputari fecit unam manum et unum pedem, propter fidem suam in dominationem nostram”. Pra të qenit mik i venedikasve kishte edhe rreziqet e veta. Ndaj dhe e ndërgjegjshme për këto, Sinjoria tregonte maturi dhe kujdes në marrëdhëniet me besnikët.

Nga ana e vet, edhe Republika e Venedikut, paçka se përdorte metoda shumë më të stërholluara, duhet të sajonte mënyra dhe mjete për të zhdukur armiqtë e saj: parapëlqehej rekrutimi i xhelatëve mes armiqve të armiqve, shqiptarë edhe këta. Përndryshe duhet t’i varje shpresat tek efektet e helmit. Kështu veproi me të larpërmendurin Balsha, dhe kështu u përpoq të bënte në një çast të caktuar edhe me Gjergj Kastriotin, hero i qëndresës anti-turke, kundër të cilit dërgoi vrasës me pagesë. Dhe ishte fat i vërtetë që plani nuk u përmbush, sepse që nga ai moment (1448) mes Venedikut dhe Skënderbeut lindi një marrëdhënie miqësie dhe aleance e ngushtë, që do të mbaronte vetëm me vdekjen e këtij të fundit në qytetin e Lezhës, asokohe nën sundimin venedikas (1468).

Sidoqoftë kërcënimi otoman ndihmoi në bashkërendimin e marrëdhënieve venediko- shqiptare drejt një aleance që siguroi për dhjetra vjet paprekshmërinë e pjesës lindore të Adriatikut. Venediku kishte interesat e veta të mbështeste dhe të bashkëpunonte me princat shqiptarë, sundimi i të cilëve shtrihej në një zonë të ndërmjetme mes pozicioneve turke në Maqedoni dhe qyteteve të bregdetit nën sundimin venedikas. S’mungonin megjithatë shkaqet për zënka dhe përballje, shkaqe që dilnin në pah sa herë shtypja turke bëhej më e lehtë. Atëherë në Venedik i linin mënjanë arsyetimet e rendit ushtarak dhe i ktheheshin racionalizmit të kulluar ekonomik, që lidhej me shfrytëzimin e burimeve ekonomike dhe njerëzore të zotërimeve të saj në Shqipëri. Vënia e monopolit mbi shitjen e grurit dhe të kripës, që e shpinte në shkatërrim të plotë prodhimin vendas, “le novita” në sistemin e taksave apo të doganave, përbënin arsye të mjaftueshme për të ndezur eshkën dhe për të shpërthyer zemërimin popullor, siç qe rasti i revoltës së madhe që shpërtheu në krahinën e Shkodrës në 1399.

Lidhjet e Shqipërisë me Venedikun do të bëheshin edhe më të ngushta kur për gati një shekull, XV-XVI, banorët e Durrësit, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Lezhës (qendrat e jugut ranë nën sundimin turk që në fillim të shekullit XV) bëhen nënshtetas venedikas me të gjitha të drejtat. Falë kësaj pranie të zgjatur venedikase, zona të tëra të Shqipërisë mesdhetare hynë të bënin pjesë në një koinè kulturore, me karakter të qartë venedikas. Shenjat e kësaj periudhe të veçantë historike shiheshin gjithkund: në urbanistikën e qytetit, në veprimtarinë ekonomike, në organizimin institucional (universitas, comunitas), në strukturën shoqërore, të ndarë në klasat e boni homines dhe të popolo minuto- s mujshar. Një hop cilësor u krye në epokën venedikase edhe përsa u përket marëdhënieve juridike. Dhe në fakt, pikërisht nën ndikimin e drejtpërdrejtë venedikas u realizua kalimi nga praktika e consuetudo-s, që deri atëherë disiplinonte boni mores, në ligjin e shkruar: statutet. Faktikisht, nëse në 1272 qytetarët e Durrësit i kërkonin mbretit Karl I i Anzhoinëve të respektonte bonos usus et consuetudines-et e tyre, në 1392, po këta qytetarë i kërkojnë Sinjorisë të respektojë statutet e tyre, që asokohe ruheshin në abacinë e Shën Françeskut. Statutet e Shkodrës, të zbuluara kohët e fundit në Bibliotekën e Muzeut Correr nga Profesorja Lucia Nadin, që po përkujdeset për botimin e tyre, na ofron shembullin parë të plotë të atyre që ishin normat statutore të një qyteti shqiptar.

Pa dyshim, ato statute kishin variantet e tyre, të cilat sidoqoftë ishin kopjuar nga modelet venedikase dhe dalmate, e si pasojë u kolauduan me nevojat e Sinjorisë, kur qytetet e mësipërme kaluan nën emblemat venedikase. Sidoqoftë çdonjëri prej tyre zbulon veçanti dhe realitete të ndryshme. Kështu, statutet e Drivastit na zbulojnë një repubblica ecclesiastica të vërtetë, meqë kleri ishte jashtëzakonisht i madh në numër në këtë qytet të njohur edhe si “eksportues priftërinjsh”, dhe pjesëmerrte në të gjitha veprimtaritë publike, përfshirë shërbimin ushtarak! Të njëjtat statute i jepnin ipeshkvit vendas rolin e udhëheqësit të pushtetit shekullar. Megjithëse përkonin me nevojat bazë të shtetit venedikas, statutet pasqyronin gjithsesi, mënyra jetese dhe qeverisjeje thellësisht tradicionale. Qeveria qendrore, që ishte shumë e vëmendshme ndaj gjendjes shpirtërore të popullatës lokale, i këshillonte guvernatorët e saj në Shqipëri të respektonin statutet vendore. Mesa duket kjo detyrë na doli e vështirë dhe shpesh e pafrytshme për guvernatorët venedikas, që shpesh kallëzoheshin prej nënshtetasve të tyre. Kështu bënin në 1440 ulqinakët, të cilët ishin tejet të zemëruar me kontin e tyre, që “come molti de chonti passadi non ha processo, ne anche ha facto la execution de le sentencie segondo i statuti di Dulcigno”. Për të njëjtat arsye qytetarët e Tivarit ankoheshin kundër kryetarit të bashkisë Xhakomo Dolfin “che poteria se ben meter a comparation de Nero et peço”. Sidoqoftë të dy u shkarkuan nga detyrat e tyre.

Në epokën e pushtimit të madh otoman, Republika e Venedikut përbënte një pikë referimi për shumë zotërinj shqiptarë, që donin t’i ruanin pronat e tyre duke i vënë nën mbrojtjen venedikase. Rreth fundit të shekullit XIV dhe fillimit të XV, Spadat e Artës, Mustakit e Beratit, Balshajt e Vlorës, Topijat e Durrësit dhe Dukagjinët e Lezhës, kërkuan të gjithë leje të ngrinin flamurin e Shën Markut në fortesat e tyre, të fusnin ndonjë milici të ballestrieri venedikas, dhe sidomos këmbëngulën që Republika t’i përfshinte edhe ata në tratativat e mundshme të paqes me turqit. Ishte një mënyrë për të gjetur një protektor të respektueshëm dhe sidomos për ta përfshirë këtë të fundit drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e qyteteve dhe tokave të tyre. Por edhe Republika i kish bërë llogaritë e veta, ndaj dhe jo gjithnjë iu përgjigj ofertave të tyre. Parapëlqente më mirë të bëhej zotëruese e një pjese (jo e të gjitha) qyteteve shqiptare, duke ofruar në shkëmbim strehë dhe pension të sigurt për ata dhe familjet e tyre në Venedik, apo në cilëndo nga tokat venedikase. Asnjërit prej zotërinjve shqiptarë nuk iu mohua kjo mundësi. Dhe në fakt zotërimet venedikase u kthyen në strehë të sigurt për shumë nga ata shqiptarë, të pasur e të varfër, që morën arratinë përballë përparimit turk. Që në 1385, princi Karl Topia la Durrësin dhe mori rrugët drejt Negropontes. Në 1417, pasi qyteti saj u pushtua nga trupat e Hajredin beut, Ruxhina Balsha, një zonjë nga Vlora, gjeti strehë në Korfuz. Një vit më vonë, në Korfuz do të mbërrinin edhe fëmijët e Gjon Zenebishtit, zotit të Gjirokastrës, që nuk mundi ta përballojë pushtimin e principatës së tij në Shqipërinë jugore. Të tjerë përfaqësues të familjeve të vjetra fisnike: Arianitët, Balshajt, Dukagjinët, Zaharitë, u vendosën në Venedik. Republika ua njohu meritat në qëndresën e përbashkët, fisnikërinë dhe shërbimet që dyert përkatëse i sjellë Venedikut, dhe u lidhi një pjese të mirë pensione e u dha poste publike.

Pa dyshim rënia e kështjellave venedikase në Shqipëri, Shkodër (1479), Durrës (1501) dhe pastaj Tivar, Ulqin, shkaktoi një dyndje të vërtetë drejt qytetit të lagunave. Përveç pasardhësve të familjeve fisnike, kishte mes tyre edhe zanatçinj, që gjithnjë e më shumë po mbushnin rrugët e Venedikut, ku shisnin prodhimet e tyre. Këta mblidheshin në frattaglie apo sodalitates, institute bamirësie, përveçse shoqata zanatçinjsh, që mbanin emra shenjtësh shpesh të sjellë nga mëmëdheu. Në një moment të caktuar, artizanët shqiptarë krijuan atë Scuola degli Albanesi, një lloj qendre kombëtare artesh dhe zanatesh, që me skenat nga beteja e Shkodrës gdhendur mbi fasadë, u kujtonte anëtarëve të saj, por edhe kalimtarëve venedikas, aktin e fundit të tragjedisë shqiptare.

Rreth gjysmës së parë të shekullit të katërmbëdhjetë, nëpër rughe dhe sheshet e Venedikut, mund të gjeje edhe nga ata fatkeqë që e fitonin bukën e përditshme me punë të dyshimta: kusarë, mashtrues të çdo lloji e deri edhe gra të përdala. Njëra prej tyre, Ana nga Shkodra, drejtonte me sukses në 1457, një shtëpi publike, që frekuentohej edhe nga njerëz të njohur të politikës venedikase.

Mes të gjitha zanateve që ushtroheshin nga shqiptarët, ishte një që Venediku e çmonte veçanërisht, ai i ushtarit. Në Shkodër dhe në Durrës, në Korfuz dhe në Peloponez, në Kretë dhe në Negroponte, milicitë venedikase ishin përplot me stratioti shqiptarë. Shumë prej këtyre u tërhoqën nga Shqipëria apo nga kolonitë shqiptare të Greqisë pas pushtimit të shumë vendeve, dhe u transferuan në fronte të tjera. Në 1498 Filip de Komines pati rast të admironte trimërinë e kalorësisë së lehtë të shqiptarëve, që luftoi me ushtrinë e Karlit VIII të Francës në tokat padovane. Deri në betejën e Lepantos (1571), Venediku luftoi ashpër derisa turqit, tashmë zotër të Shqipërisë, vunë nën sundim edhe Adriatikun. Ndaj dhe Republika bëri ç’ishte e mundur për të nxitur dhe inkurajuar qëndresën e popullsive shqiptare. Në tokën shqiptarë qarkullonin ende një mizëri emisarësh, spiunësh e trafikantë armësh venedikas. Nga ana tjetër, pinjollë të familjeve fisnike shqiptare që kishin emigruar jashtë, u kthyen në Shqipëri me anije venedikase, armë dhe para venedikase, në përpjekje për të rimarrë tokat e të parëve. Por sapo fuqia detare e otomanëve u shkatërrua në Lepanto, Venediku hoqi dorë nga ndërhyrja në bregdetin e Shqipërisë dhe u mjaftua të vëzhgonte e të ndiqte me kujdes çdo lëvizje që mund t’i interesonte. Ndërkohë trafiqet me portet shqiptare nisën të rimëkëmbeshin. Rreth 500 vjet pas shfaqjes së konsullit të parë venedikas, në vitin 1700 Venediku emëronte Gjergj Kumanin si konsull të vetin në Durrës dhe disa vjet më pas edhe një nënkonsull në Shkodër. Trafiqet tregtare me këtë qytet të fundit arritën nivele të larta pas gjysmës së parë të shekullit XVIII, kur Shkodrën e qeverisnin përfaqësues të dinastisë së Bushatllinjve. Këta ishin veçanërisht miqësorë kundrejt tregtarëve Venedikas. “Përgjatë brigjeve të Tivarit, Valdanos, të Shën Gjonit të Meduas dhe në grykëderdhjen e Bunës, as një qime floku të mos u preket venedikasve, përndryshe paguhet me kokë”, lexohet në urdhëresën e Mehmet pashë Bushatlliut në vitin 1766. Sidoqoftë, në Durrës, Shkodër dhe në qendra të tjera shqiptare, venedikasit nuk ishin më të vetmit zotër të tregjeve. Duke filluar nga 1690, Franca kishte zyrat e saj tregtare në Durrës, Vlorë, Sarandë e Pargë, dhe konsullit venedikas do t’i duhej ta pranonte me keqardhje që tregtarëve francezë punët u shkonin broth. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për austriakët e deri edhe hollandezët. Përsa i përket Shkodrës dhe qendrave të tjera të veriut, këtu shumë shpejt tregtia venedikase u detyrua të tërhiqej pas përparimit të ulqinakëve, lundrues sypatrembur dhe tregtarë, përveçse kusarë të frikshëm të Adriatikut dhe Mesdheut. Dhe të mendosh që Ulqini i vogël, tashmë “nido di pirati convertiti”, për vite me radhë kish qenë koloni e Venedikut. Provë kjo që kohët kishin ndryshuar.

Artikulli i mësipërm (botuar në Bota Shqiptare 90, gusht 2003) është një ndër parathëniet e libri “Albania - Immagini e Documenti dalla Bilioteca Nazionale Marciana e Dalle Collezioni del Museo Corrrer di Venezia” botuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe nga Biblioteka Kombëtare Tiranë.

Përkthimi nga origjinali italisht “Bota Shqiptare”.

Lexo edhe: