ven 28 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti02:04:07 PM GMT

Marsida Koni sjell muzikën e kompozitorëve shqiptarë në skenat italiane

Pianistja promovon në Chieti, Pescara e Cesena diskun e saj “Historia ime…” 

Romë, 22 maj 2013 – Pianistja elbasanase që sot jeton në Perugia e jep koncerte në skenat anembanë botës vazhdon promovimin e diskut të saj “Historia ime - Shqipëria muzikore nën diktaturën e Enver Hoxhës” me recitale nëpër Itali.

Datat e ardhshme të koncerteve të saj janë 28 maji (ora 21.00) në San Giovanni Teatino të Chietit (Auditorium Scuola Civica), 29 maji (ora 18.00) në Pescara (Accademia Musicale Pescarese) dhe 13 qershori (ora 21.00) në Cesena (Conservatorio Statale di Musica "B. Maderna").

Disku përmban pjesë të kompozitorëve shqiptarë Pëllumb Vorpsi, Tonin Harapi, Albert Paparisto, Limos Dizdari, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja e Kozma Lara, tingujt e asaj muzike me të cilën ajo u formua që në fëmijëri.

Në recitalet e saj, Marsida Koni paraprin pjesët e kompozitorëve shqiptarë që luan, duke thënë dy fjalë për secilin prej tyre, duke i treguar publikut ç’e lidh me ta. Kur nëntorin e shkuar solli në Romë këtë recital ishte e lumtur që bënte këtë dhuratë vendit të saj në 100 vjetor. “Ishte një premtim që i kisha bërë vetes dhe asaj muzike me të cilën u rrita. Realizimi i një programi vetëm me autorë shqiptarë ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja në sirtar dhe 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë m’u duk momenti më i përshtatshëm për ta bërë realitet” u shpreh atëherë për shqiptariiitalise.com.

Marsida Koni nuk e kupton dot jetën e saj larg pianos e muzikës. Ka nisur t’i bjerë pianos që në vitin 1985, kur ishte katër vjeçe, në Elbasan, qytetin e saj të lindjes. Në moshën 9-vjeçare regjistron për herë të parë për Radio Televizionin shqiptar, 11 vjeçe i bie pianos si soliste e shoqëruar me orkestrën filarmonike të Elbasanit. Në vitin 1999 përfundon liceun Jordan Misja, më pas mbaron studimet universitare e mbahet pedagoge e brendshme në Akademi.

Prej tetë vjetësh jeton në Perugia, me të shoqin, klarinetist, me të cilin e ka lidhur muzika. Vetëm dashuria për të i mbushi mendjen të linte Shqipërinë, nga e cila nuk mendonte kurrë të largohej. Shumë shpejt, pianistja nga Elbasani bëri emër dhe në Itali.

Marsida Koni ka dëshmuar se është një pianiste e zonja, studiuese, e angazhuar dhe e besuar. Ka dhunti muzikale të pazakonta” ka thënë për të mjeshtri me famë botërore i pianofortes, Ennio Pastorino. “Kjo pianiste ka dhunti profesionale të jashtëzakonshme. Nxjerr në dukje art pianistik të shkëlqyer dhe një ndjeshmëri mbresëlënëse për stilin. I uroj sukses të madh dhe shpresoj të kem rastin ta dëgjoj sërish” shprehet për të pianistja e famshme ruse Elena Ashkenazy kur e dëgjon për herë të parë në vitin 2007. Një vit më pas Ashkenazy e fton të japin së bashku një koncert pianoje me katër duar.

Marsida mund të konsiderohet një gjeni i mirëfilltë i pianofortes” shkruan për të La nazione (09/06/2009). “Marsida (emri i saj frymëzohet nga Marte, perëndia e luftës), është një vajzë e bukur brune me sy të ëmbël, por me karakter të vendosur e luftarak” thotë mes të tjerash Corriere dell’Umbria (07.12.2009).

Marsida i bie pianos përveçse në Itali e Shqipëri, edhe në Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Maqedoni, ShBA, Francë, Angli, Kinë. Është anëtare jurie në konkurse italiane e ndërkombëtare për piano.

Ndërkaq, Marsida ka realizuar një ëndërr të sajën, mësimdhënien. Pasionin, dashurinë dhe bagazhin e saj profesional, të mbledhur në vite e vite studimi e koncertesh, ua përcjell nxënësve të "Piano Academy", shkollës që ka hapur në Perugia.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Marsida Koni: “Jeta pa muzikë nuk ka kuptim, është si një zjarr pa ngrohtësi”