gio 18 dicembre 2014

Ultimi aggiornamenti08:32:49 AM GMT

Korçë: Arrestohen 4 vetë për falsifikim të pasaportave biometrike

Pas një hetimi 3 mujor policia e Korçës ka arrestuar katër persona, dy prej të cilëve të shoqërisë Aleat. Shisnin pasaporta biometrike të falsifikuara për 7 mijë euro

Tiranë 8 korrik 2011 – Policia e Korçës ka arrestuar katër persona gjatë një aksioni që u zhvillua për kapjen e autorëve të lëshimit të pasaportave biometrike me gjeneralitete të rreme për shtetas shqiptarë që kanë probleme me drejtësinë në vendet të ndryshme të BE-së. Sipas njoftimit për shtyp, gjatë këtij operacioni, Policia ka ekzekutuar masat e sigurisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, "arrest në burg" për Artur Feton, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fitore-Devoll, Relis Mullën, 27 vjeç, lindur dhe banues në Korçë me detyrë specialist IT-je pranë shoqërisë Aleat, Armand Cenollin, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vashtëmi, Korçë me detyrë operator aplikimi pranë shoqërisë Aleat në Komunën e Libonikut-Korçë, dhe Setki Mullën 56 vjeç, lindur dhe banues në Korçë me detyrë Pedagog në Universitetin "Fan. S. Noli" Korçë. Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprimtari kriminale.

Operacioni është realizuar pas tre muajve hetime, gjatë të cilëve janë mbledhur prova të mjaftueshme për veprat penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 praktika aplikimi për pajisje me pasaporta biometrike, 3 automjete të markës Mercedes Benz, 12 copë aparate telefoni celular, 5 karta sim, 2 usb, 1 kartë memorie, 1 pasaportë, si dhe 6 fotografi të shtetasve të ndryshëm.

Praktikisht, Artur Feto, pasi gjente shtetas të ndryshëm të cilët kishin probleme me ligjin në vendet e Europës dhe ishin të interesuar për ndryshimin e gjeneraliteteve, u garantonte dhënien e pasaportave biometrike me të dhëna të shtetasve të tjerë, por pa probleme. Nxjerrja e këtyre pasaportave garantohej kundrejt pagesave nga 5.000-7.000 euro për pasaportë dhe realizohej, duke bashkëpunuar me punonjës të firmës së prodhimit të pasaportave, Aleat. Pasi u siguronte personave të interesuar dokumente të falsifikuara, bashkëpunonte me Specialistin e IT-së Relis Mulla dhe operatorin e aplikimit për pajisje me pasaportë, Armand Cenolli, për të bërë aplikimin dhe prodhimin e pasaportave biometrike me të dhëna të rreme, duke u paguar këtyre punonjësve nga 2.000-3.000 euro për çdo pasaportë, me ndërmjetësimin e babait të Relis Mullës, Setki Mulla. Më pas, shtetasi Artur Feto në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti kriminal i ndihmonte këta shtetas për të dalë jashtë Shqipërisë sipas destinacionit të kërkuar prej tyre.

Në lidhje me këtë procedim penal po hetohen dhe raste të tjera të aplikimit të dokumenteve të falsifikuara, si dhe persona të tjerë, të cilët janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.