gio 21 agosto 2014

Ultimi aggiornamenti10:42:30 AM GMT

Termi “kombësi” në ligjin për Gjendjen Civile shkel kushtetutën

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur më 1 dhjetor 2011 vendimin e saj të 17 shtatorit për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të termit “kombësi” në nenet e ndryshme të ligjit “për gjendjen civile”.

Në vendimin e marrë me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese shkruan: “vendoset: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i termit “kombësi” në nenet 6/1, 8, 42/2, germa “e” dhe të nenit 58, tërësisht, të ligjit nr.10129, datë 11.05.2009, “Për gjendjen civile”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”.

Mes argumenteve që jep, Gjykata Kushtetuese thotë hapur se “neni 58i ligjit për gjendjen civile, ku parashikohen mënyrat e përcaktimit dhe ndryshimit të elementit “kombësi”, cenojnë parimet kushtetuese të parashikuara në nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës”.   

Pasi bën një historik të kuptimeve të ndryshme që shtete të ndryshme i japin fjalës “komb”, të njohura edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Gjykata kushtetuese thotë që: “Kushtetuta shqiptare nuk ka një përkufizim të qartë për termin “kombësi” apo termin “pakicë kombëtare”, edhe pse këto terma janë të përfshirë në dispozita kushtetuese. Gjykata vëren gjithashtu edhe mungesën e akteve të tjera ligjore apo nënligjore që përmbajnë rregullime në lidhje me termat “kombësi”, “pakicë etnike” apo “pakicë kombëtare”. Për herë të parë termi “kombësi” përmendet në ligjin nr. 8950, 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, i shfuqizuar, por pa u përkufizuar si term. Edhe ligji për gjendjen civile, dispozitat e të cilit janë objekt shqyrtimi, nuk përcakton saktësisht dhe qartësisht se çfarë kuptohet me termin “kombësi””.

Nga ana tjetër neni 20 i Kushtetutës “siguron nen synon të garantojë të drejtat e pakicave kombëtare, në mënyrë që ato të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e shprehura në Kushtetutë, të zbatueshme për këdo dhe njëkohësisht, të ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre etnik, kulturor, gjuhësor e fetar. Qëllimi i kushtetutëbërësit është që, në shoqërinë shqiptare, të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni, duke njohur vlerat në ndryshimet e dallimet kulturore që karakterizojnë pakicat kombëtare. ... Paragrafi i dytë i nenit 20, shprehet për deklarimin lirisht, pa u ndaluar, as detyruar, nga personat që i përkasin pakicave kombëtare, të përkatësisë së tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore.  Kushtetutëbërësi ka zgjedhur, siç duket qartë nga gjuha e këtij formulimi, që të sanksionojë në këtë paragraf, një parim mjaft të rëndësishëm, që është ai i mosdetyrimit të personave që ju përkasin pakicave kombëtare për të deklaruar përkatësinë e tyre etnike. Ky parim i mosdetyrimit është një garanci kushtetuese, për sa i përket të drejtës për të deklaruar ose jo disa përkatësi të veçanta që karakterizojnë pakicat kombëtare dhe lidhet ngushtësisht me mbrojtjen e autonomisë personale të individit. Në një shoqëri demokratike, mbrojtja e jetës private dhe respektimi i garancive në këtë drejtim janë thelbësore. Ndërsa ligji për gjendjen civile “duke përfshirë elementin “kombësi” si përbërës të gjendjes civile, krahas përbërësve të tjerë, si dhe duke përcaktuar kriteret objektive që rregullojnë regjistrimin e kësaj të dhëne nga punonjësit e gjendjes civile, kërkon deklarimin e kombësisë në mënyrë të detyrueshme, ku nënkuptohet njëkohësisht dhe përkatësia etnike, si aspekt/element i kombësisë”, shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu që Gjykata arrin në përfundimin se “termi“kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8;termi“kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile,bien  në kundërshtim me nenin 20 të Kushtetutës dhe parimin e sigurisë juridike”.

Gjykata vëren gjithashtu se “ligji për gjendjen civile, nuk parashikon garanci për sa i përket marrjes, mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave personale “sensitive”. Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk i referohet, në mënyrë eksplicite dhe  konkrete, ligjit për të dhënat personale”.  Gjykata  vë në dukje se “ligji për gjendjen civile nuk përmban as parashikime se si do të përdoren këto të dhëna apo mbi përgjegjësinë në rast keqpërdorimi të tyre, gjë e cila do të përbënte një garanci mjaft të rëndësishme për të gjithë shtetasit”.

Gjykata arrin në konkluzionin se “dispozitat e ligjit për gjendjen civile, objekt i këtij kontrolli kushtetues, duke vendosur detyrimin për regjistrimin e të dhënave mbi ‘kombësinë’ në regjistrat e gjendjes civile, ndërhyjnë në sferën e jetës private të individit, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës. Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale “sensitive”, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”.

Shkarko vendimin të plotë