gio 23 ottobre 2014

Ultimi aggiornamenti09:00:00 PM GMT

Afati i deklarimit të të ardhurave shtyhet për në shtator

Ministria e Financave rishikon ligjin për deklarimin e të ardhurave personale dhe e shtyn afatin deri në shtator. Fillimisht ishte vendosur që të ardhurat personale të deklaroheshin deri në prill

Tiranë, 7 janar 2012 – Ministria e Financave vendos t'i propozojë qeverisë shtyrjen e afatit për deklarimin e të ardhurave personale nga muaji prill në muajin shtator.

Zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj tha se duke marrë shkas nga shtyrja e afatit për Amnistinë Fiskale deri në mars të këtij viti, ne bëmë ndryshime edhe në ligjin për deklarimin e të ardhurave personale, duke iu dhënë më tepër kohë qytetarëve për të kryer deklaratën.

Sipas projektit të hartuar nga ministria e Financave, brenda muajit shtator qytetarët shqiptarë dhe të huaj, rezidentë në Shqipëri, që krijojnë të ardhura nga më shumë se një burim, të cilat nuk janë tatuar, janë të detyruar të plotësojnë një formular, ku duhet të deklarojnë të ardhurat e siguruara gjatë vitit 2011.

Rushaj tha se sipas ligjit "Për tatimin mbi të ardhurat", në dispozitat që parashikojnë të dhënat mbi të ardhurat bruto përfshihen, të ardhurat bruto nga paga, të ardhurat e tjera nga marrëdhëniet e punësimit, të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëritë tregtare apo veprimtaritë e biznesit, të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të paluajtshme në pronësi të deklaruesit, të ardhurat nga interesat bankare, të ardhurat në investime ne tituj pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, të ardhurat nga pasuria intelektuale, shuma bruto të fituara nga lojërat e fatit, të ardhurat nga skema e sigurimit suplementar, trashëgimia dhe dhurimi. Në të ardhurat e tatimpaguesit të vetëpunësuar, përfshihen të gjitha të ardhurat që ai realizon gjatë veprimtarisë së tij ekonomike, pavarësisht nga lloj i aktivitetit.

Deklarata vjetore, nënvizoi Rushaj, duhet të përmbajë të dhëna mbi të ardhurat bruto, por edhe shpenzimet e zbritshme të kryera si dhe tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore për të cilën deklaron.

Për efekt përfitimi të shpenzimeve të zbritshme, Rushaj tha se, është përcaktuar kategoria e shpenzimeve të cilat do të përfitojë kreditimin, duke plotësuar një deklarate të vetme nga kryefamiljari. "Nga më të rëndësishmet, janë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, interesat e kredive, të cilat do të njihen dhe do të zbriten nga taksat e paguara, interesat e kredive për shkollim për vete dhe për personat në kujdestari si dhe pjesërisht, shpenzimet për mjekim të pambuluara nga sigurimi i detyrueshëm, për fëmijët dhe personat në kujdestari, deri në masën 32.000 lekë për familje", tha Rushaj.

"Përjashtohen nga ky detyrim për plotësimin e deklaratës, vetëm dy kategori tatimpaguesish: të vetëpunësuarit me një qarkullim vjetor deri në 2 milionë lekë, si dhe individët që kanë realizuar të ardhura vjetore deri në 200.000 lekë", theksoi zëvendësministri. “Njëkohësisht, vijoi ai, synohet që të lejohen persona të tjerë që, për efekt të përfitimeve, pasi skema ka brenda edhe një sërë përfitimesh të shpenzimeve të zbritshme, që edhe pse nuk e kanë detyrimin ligjor, ata të mund të deklarojnë të ardhurat në mënyrë vullnetare për të përfituar rimbursimin e shpenzimeve, nga të cilat përfitojnë”.

Një tjetër ndryshim, sipas Rushajt, është edhe kufiri i i të ardhurave që përfiton nga shpenzimet e zbritshme. "Nëse kryefamiljari realizon të ardhura vjetore mbi kufirin 1 milionë lekë, ai nuk do të përfitonte nga shpenzimet e zbritshme.

Diferenca midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme, e cila tatohet me normën 10%", tha Rushaj. Nëse diferenca është pozitive, Rushaj theksoi se deklaruesi brenda 30 ditëve nga paraqitja e deklaratës vjetore bën pagesën e tatimit, ndërsa në rast se diferenca rezulton negative, administrata tatimore i kthen tatimpaguesit shumën e taksave të paguara më shumë sa i takon. Kthimi i shumave bëhet brenda një viti nga paraqitja e deklaratës.    

Element i rëndësishëm, nënvizoi më tej Rushaj, është plotësimi i deklaratës vjetore të të ardhurave me numrin e kartës së identitetit të individit, pra unifikimin e numrit të deklaratës me numrin e kartës se identitetit, çka do të krijojë mundësinë shumë shpejt që numri individual të shndërrohet në kod fiskal për individët brenda vitit të parë. Kjo do të bëjë që të kemi një identifikim të plotë të individit edhe në pagimin e taksave.

Deklarata vjetore e të ardhurave dorëzohet në Drejtorinë Tatimore Rajonale me të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Ligji nuk parashikon procedurë të verifikimit të të dhënave të deklaruara nga individi deklarues. Ai mbështet mbi parimin e vërtetësisë së të dhënave të deklaruara vullnetarisht. Parashikohet edhe një afat i arsyeshëm për korrigjimin e deklaratës, për gabime materiale të bëra nga deklaruesi. Por në rast se del nevoja e verifikimit të deklarimeve të bëra më herët, apo edhe në vite të deklaruesit, dhe nga verifikimi rezulton deklarim i gabuar apo fals, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe ato të Kodit Penal.

Sipas Rushajt, deklarimit të të ardhurave përbën një instrument shumë të gjetur në realizimin në mënyrë jokorruptive, transparente të politikave sociale për të mbështetur grupe të caktuara shoqërore me të ardhura të pakta të cilët në treg paguajnë taksa njëlloj si të tjerët.