ven 25 aprile 2014

Ultimi aggiornamenti04:19:57 AM GMT

Olsi Duli, emigranti që kthehet me teknologjinë më të fundit të klimatizimit

Pas 20 vjetëve emigrim në Greqi, Olsi Duli kthehet në qytetin e lindjes, Elbasan, e hap biznesin  Al Gjeoterm, për instalimin e sistemeve modenre të ngrohje-ftohjes dhe të klimatizimit

Olsi Duli u rikthye në Elbasan, qytetin e lindjes, pas 20 vjetësh emigrim në Greqi me biznesin e sistemeve të ngrohje-ftohjes, sepse në Shqipëri kërkesat për to po vijnë gjithnjë në rritje.

Olsi, një nga të shumtit emigrantë që vendosi të kthehet në qytetin e tij, ka sjellë të gjitha pajisjet moderne bashkë me përvojën 20-vjeçare të punës në Greqi ku shkoi kur ishte ende fëmijë. "Gjatë periudhës së verës kthehesha shpesh në Elbasan dhe dëgjoja që profesioni im ishte shumë i preferuar, pasi ishin të paktë specialistët të cilët dinin të instalonin sistem klimatizimi", tregon Olsi.

"Për këtë arsye u ktheva edhe unë, pasi me profesionin që kam marrë në Greqi prej më se 20 vjetësh, vendosa të hap një aktivitet në Elbasan, por tani e kam shtrirë në gjithë vendin", shpjegon.

E ka quajtur firmën e vet " Al Gjeoterm" dhe duke qenë se kërkesat për instalimin e sistemit të klimatizimit në pallate, vila, banesa, madje edhe në objekte kulti, kërkonin më shumë se një punëtor, Olsi ka punësuar katër djem të rinj, të cilët së bashku kanë krijuar një brigadë pune. “Bashkë me punën, ata përfitojnë edhe profesionin", thotë ai.

"Instalimi i sistemit të ngrohjes dhe ftohjes në banesa dhe në vendet e punës dhe i vetëm nuk mund të arrija të bëja një punë që kërkon më shumë se 7 ditë. Me brigadën time e bëj për tre ditë instalojmë të gjithë sistemin, duke i ofruar klientit edhe garanci 5-vjeçare, edhe sigurinë se pajisjet janë të teknologjisë së fundit", vijon Olsi.

Nisur nga fakti që kjo teknologji është një risi, veç punëtorëve që i paguan rregullisht, Olsi tregon se merr me vete gjatë instalimit të sistemit, edhe nxënës të shkollës së mesme profesionale. "Kjo bëhet sipas një marrëveshjeje me mësuesin e tyre, Adi Sejdini, që parashikon që nxënësit të bëjnë tek unë praktikën, me qëllim marrjen e një profesioni të ri dhe me përfitim për të ardhmen e tyre", shpjegon ai.

Me përvojën e punës në Greqi, Olsi Duli ka mësuar se besimi i klientëve fitohet që me prezantimin me seriozitet para tyre, ndaj ka investuar edhe në këtë drejtim. "Që të nisësh një punë, në radhë të parë duhet të kesh performancën e duhur dhe për këtë qëllim bashkë me punëtorët e mi, prezantohemi tek klienti të rregullt, me uniformë me siglën e firmës sime. Edhe kjo ndihmon që klientët të më besojnë për sigurinë që u jap se investimi është i sigurt dhe jetëgjatë", shton Olsi.

Tregon se instalimi i sistemeve të ngrohje-ftohjes edhe vendosja e sistemit të klimatizimit nën dysheme është një investim i madh, që jo kushdo e bën. Por duket se qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe kërkojnë pajisje moderne dhe jetëgjata në banesat e tyre, edhe pse mund të jenë pak të shtrenjta.

"Këtu ka më shumë punë se në Greqi, aq më tepër që me klientin të cilit i shërbej, komunikoj mjaft mirë, më kupton për punën që bëj dhe unë përpiqem që ai të kënaqet. Jo kushdo mund ta bëjë, por gjithsesi them se bashkëqytetarët e mi elbasanas, edhe pse në kohë krize, dinë të menaxhojnë mjaft mirë paratë e tyre dhe t'i kthejnë edhe në investime me vlerë për familjet e tyre".

Olsi Duli ka vendosur ta shtrijë më shumë aktivitetin duke e menaxhuar mirë punën. "Së shpejti do të hap një ekspozitë ku të pasqyroj të gjithë punën time, me qëllim që klienti të jetë i informuar mirë rreth investimit para se ta bëjë atë. Kjo kërkon mjaft para, por që jam i bindur se që të forcosh aktivitetin tënd duhet edhe të investosh vazhdimisht në të".

Emigrimi ofroi shumë mundësi pune për shqiptarët, që mësuan dhe jetuan shumë kohë jashtë vendit të tyre, bashkë me mendimin se do të vinte një ditë që të riktheheshin bashkë me përvojën e punës atje për ta shfrytëzuar në vendlindje.

Ashtu si Olsi Duli, që është specialist në fushën e sistemit të ngrohje-ftohjes, në Elbasan janë rikthyer mjaft emigrantë të tjerë, që përvojën e punës, kursimet e mbledhura në emigrim po i investojnë në vendlindje. (ATSh)