mer 17 dicembre 2014

Ultimi aggiornamenti08:32:49 AM GMT

Dita e Verës në Elbasan

Muaji mars për çdo elbasanas mban festën e Ditës së Verës, e quajtur dhe "festa e luleve", që tashmë ka marrë përmasa të mëdha në gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit për të vijuar gjithë ditën e 14 marsit, deri në perëndim të diellit.

Studjuesi 74-vjeçar Shpëtim Haxhihyseni sjell kujtimet nga fëmijëria e tij kur Elbasani sipas traditës, festonte 14 marsin, që dikur quhej "Dita e Verës" dhe sot "Festa e Luleve". "Është festë me origjinë pagane, ku nuk ndërhyn feja dhe të gjithë festojnë kënaqësinë e stinës së pranverës", thotë Haxhihyseni, që kujton vitet 1920-1940 kur festimet nisnin në 13 mars. "Ndoshta në vitet e komunizmit festa pati një " ndrydhje", pasi nuk festohej si dikurë, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë, dhe drekonin në lëndina", kujton studjuesi.

Pas vitit 1990 aktivitetet janë shtuar me karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes dhe Dita Poetike, që shtojnë larminë e festës, e cila përfundon para se dielli të perëndojë, kur elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga qytetet e ndryshme duke mbyllur kështu, një ditë të paharruar dhe të mbarë për gjithë vitin.

Edhe këtë vit festa ka nisur që mbrëmë. Kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm festimet e "Natës së Verës" në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij.
Koncerti madhështor në Natën e Verës, ku këngëtarë të njohur qëndruan deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, karnavalet dhe krosi nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare, ishin pjesë e kënaqësisë së miqve dhe banorëve të Elbasanit për të shijuar Ditën e Verës.

Sot, një ditë e gjatë, një festë e madhe, shumë aktivitete, shumë lokale që presin miq, klientë të përhershëm, e mysafirë, shumë lëndina të mbushura me njerëz që drekojnë, madje edhe shumë muzikë, kjo ishte Dita e Verës në qytetin e Elbasanit, e cila nga viti në vit po merr përmasa edhe më të mëdha.

Edhe këtë vit Elbasani vazhdoi të jetë kryeqendra e festës së Ditës së Verës, edhe pse "dekori" i saj, nuk mungoi  në Tiranë e qytete të tjera.

Dita e Verës, festa e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës, festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale si karakaftet dhe manushaqet. Rreth origjinës së festimit të saj nuk ka një "version" të qartë, por si festë pagane, Dita e Verës shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë. Thuhet se zakonet dhe ritet zbatoheshin qysh nga kohët më të lashta, ku për këtë ditë ruhej zahireja e një moti më parë si arrat, mollët, palët e fikut, ftonjtë, mjalti dhe pekmezi.

Në periudhën e socializmit tradita nuk humbi, por festohej me sa mundësi kishin njerëzit të dielën më të afërt me datën 14 mars. Festimet pësuan rigjallërim të dukshëm gjatë mandatit të kryebashkiakut Engjëll Dakli, i cili organizoi në mandatin e tij, 1998-2000 festimet e para masive, duke rikthyer traditën për Elbasanin.

Elbasani u shtua në dy ditët e fundit me rreth 40.000 qytetarë të mbërritur nga qytete të ndryshme dhe si rrallë herë, edhe me dashamirës e kureshtarë nga trojet shqiptare të Malit të Zi, Maqedonia dhe Kosova, që festuan Ditën e Verës në qytetin ku tradita ruhet me fanatizëm.

Riti pagan i festës i solli në Elbasan miqtë në 13 mars, të cilët sipas zakonit, darkuan në familjet e të ftuarve me ushqimet e traditës së ditës, kryesisht mish të pjekur, gjel deti dhe ëmbëlsirën e pazëvendësueshme, ballokumen, që arriti numrin rekord, me mbi dy milionë copë, që u poqën në shtëpitë elbasanase dhe furrat e qytetit.

Atmosfera festive zgjati për dy ditë rresht deri sot në mesditë, kur vetë elbasanasit dhe mysafirët e shumtë lanë  qytetin dhe shkuan në parqe e kodrina si në Kodër Krastë, lëndinat e Krrabës, pika turistike e Bushekut, Ullishta me simbolin e saj "Ullirin e Qejfit" dhe në lokale në periferi e në qytet, ku prenotimet ishin bërë ditë më parë.