gio 27 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti02:19:58 PM GMT

Arrestohen në Shqipëri 15 persona të kërkuar në Itali

Me një operacion të përbashkët mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane, është bërë i mundur arrestimi i 15 personave të shpallur në kërkim nga drejtësia Italiane për krime të ndryshme të rëndë. 

Tiranë, 13 shtator 2011 – Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj deklaroi dje se "kurorëzimi me sukses i operacionit të arrestimit të 15 personave është bërë i mundur në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetet policore Italiane dhe Zyrën e Ndërlidhjes Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri. Është krijuar kështu mundësia e përballjes së tyre me drejtësinë për krimet për të cilat akuzohen të kenë kryer në këtë shtet ".

Ai njoftoi se operacioni, i zhvilluar nga data 8 deri 11 Shtator, nga Departamenti kundër krimit dhe krimeve të rënda, në bashkëpunim me Departamentin për sigurinë publike, Drejtorinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Tiranë.

"Nga strukturat e Policisë së Shtetit do të hetohen dhe pasuritë e këtyre shtetasve, duke konkluduar sipas rastit dhe me sekuestrimet e tyre në përputhje me aktet ligjore" është shprehur drejtori i përgjithshëm.

Të arrestuar janë: Astrit Abdullah Salihi, 33 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria e Brescias ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale pjesëmarrje në organizata kriminale e finalizuar me kryerjen e krimeve për shkeljen e ligjit, për narkotikët, posedimin, transportimin dhe importimin e lëndëve narkotike, në Itali, Naim Hamza Dervishi, 50 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas  Prokuroria e Lecces ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”, Hektor Skënder Dumo, 35 vjeç, banues në Durrës, për të cilin Prokuroria e Lecces ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Trafik të lëndëve narkotike”, në Itali. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet e bllokua pistoleta “Clock Automatik” të cilën e mbante pa leje, Gentian Myfit Abdyli, 37 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas  Prokuroria e Shtetit Italian, ka urdhëruar ndalimin për veprën penale të vrasjes, Ilia Lio Beci dhe Lefter Muhamet Aliu, përkatësisht 46 e 57 vjeç, banues në fshatin Radostinë e Zhupan, të rrethit Fier, pasi këta shtetas Gjykata e Milanos, i ka dënuar me nga 12 vjet burg për  trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të miturve dhe marrjes pjesë në organizata kriminale, Arben Ali Lamçja, 37 vjeç, banues në Elbasan, të cilin Gjykata e Apelit në Brescia e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostucioni”, Ferdinand Pali Dedja dheGenti Pali Dedja, përkatësisht 34 e 38 vjeç, banues në Elbasan, për të cilët Prokuroria e Pratos ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale “Vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje e shfrytëzim prostitucioni”, Myrteza Adem Toto, 49 vjeç, banues në Berat, të cilin Gjykata e Milanos e ka dënuar me 22 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale të “Krijimit të Organizatës Kriminale me qëllim”, Mikel Myrteza Çuçaj dhe Altin Fejzi Liçaj, përkatësisht 38 e 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi këta shtetas  Gjykata e Torinos i ka dënuar me nga 14 vjet burg për shkelje të ligjit mbi narkotikët, Agim Avdulla Belba, 48 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin Gjykata e Apelit të Firences ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit, për shlyerjen e dënimit prej 4 vjet e 10 muaj burgim për veprën penal të vrasjes me dashje, Tarzan Muharrem Mullaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Milano e ka dënuar me 6 vjet burg, për favorizim emigracioni klandestin në rrethana rënduese, rekrutim femrash me qëllim prostitucioni, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni me minorene, kërcënim/dhunë në rrethana rënduese, Ylli Preng Ndoi, 34 vjeç, banues në Laç, pasi Gjykata e Milanos e ka dënuar me 21 vjet e 10 muaj burg për “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Arratisje nga burgu i sigurisë lartë”. Në momentin e kapjes këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan një pistoletë “Zastava” me  një krehër me fishekë, si dhe një pistoletë “Ekol” me një krehër me fishekë.