Atdheu si kurth - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Sot sheh mjekë që kanë nisur të mësojnë gjermanisht për të emigruar aty, të rinj që mbarojnë shkollat e që refuzojnë të kthehen këtu dhe një masë amorfe, gjithmonë e më të madhe, që është ende e gatshme të vjelë ullinj si argat në dhe’ të huaj dhe jo të punojë tokën e vet në Shqipëri.
Nuk ka rëndësi çfarë është më lart në hierarkinë e të ligës, epoka kur shqiptarët duhej të kapërcenin gardhin nga brenda-jashtë, apo tani kur sytë e mbajtur vetëm jashtë, rrezikojnë të nesërmen e të gjithëve që kanë mbetur brenda

Nga Lorenc Vangjeli

Është e vështirë, në mos e pamundur që të ketë një konsensus të plotë në Shqipëri në identifikimin e “hierarkisë” së të keqes. Domethënë, të problemeve më të mëdha që kalon vendi, të shqetësimeve më të thella që kanë qytetarët, të urgjencave më të rënda që ata do të donin  të ndryshonin. Statistika apo dhe sondazhe të ndryshme japin tablo të ndryshme.

Dikush shenjon papunësinë dhe varfërinë si të lidhur me të, dikush tjetër korrupsionin në pushtet dhe pandëshkueshmërinë e mëkatarëve me pushtet, sigurinë e kërcënuar ushqimore apo ndotjen fatale të mjedisit, kapriçiot e flurudhës së çmimeve apo pabarazinë gjithmonë e më të theksuar sociale, problemet në sigurinë publike, në shëndetësi, në arsim e të tjerë. Shumëkush tjetër konsideron si problem thelbësor qeverisjet dhe opozitat në vend, marrëdhëniet plot konflikt të tyre, pavarësisht ngjyrës dhe natyrës; duke vënë shenjë barazimi ndër këto dy institucione sipas parimit: sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë!

Ngjan se shqiptarët kanë rënë dakord që të mos bien dakord se cili është kryeproblemi i tyre. Qoftë edhe pse problemet kanë një veçori të çuditshme: ato bashkëjetojnë të gjithë së bashku dhe herë njëri dhe herë tjetri të bëhet mbizotërues në një moment të caktuar për të nxirë jetët e shqiptarëve. Madje edhe më shumë se kaq; çfarë në fotografinë e parë konsiderohet sukses, më pas shndërrohet në problem. Shembulli klasik në Shqipëri për një gjë të tillë është emigracioni. Izolimi total deri në vitet '90 në drejtimin nga brenda-jashtë, i la vendin izolimit nga jashtë-brenda. Nëse për gati gjysmë shekulli ishte “kufitari” shqiptar me kallashnikov që nuk lejonte daljen, mbas viteve ‘90 u bë doganieri italian, grek a gjerman që nuk lejonte hyrjen e shqiptarëve në tokën e premtuar.

Vala e parë e daljes jashtë me ambasadat dhe më pas edhe me kalimin nëpër male më këmbë dhe në det me gomone, krijoi pak nga pak bërthamën e parë të emigracionit modern shqiptar. Dhe shumë më shumë se kaq, përveçse garantoi dhjetëra mijëra jetë që po preknin Evropën qoftë dhe si klandestinë, ata u bënë garancia e jetesës në Shqipëri për ata që ndodheshin këtu. Si një arkë kursimi për prindërit shpesh tërësisht pa punë dhe një “bazë” pritjeje plot shpresë për vëllezërit, motrat e miqtë që synonin gjithashtu ikjen në Perëndim. Pakkush mund të imagjinojë se çfarë fytyre do të kishte vendi pa emigracionin. I sigurt është vetëm që presioni në vend do të ishte padyshim shumëfish më i madh, dramat individuale dhe kolektive shumë e shumë herë më të mprehta, papunësia shumë herë më e lartë dhe mundësitë për arsim cilësor a shërbim mjekësor të specializuar shumë herë më të vogla.

Liberalizimi i vizave solli si pasojë anësore qoftë rënien në mënyrë drastike të emigrimit ilegal, qoftë dhe bjerjen e rëndësisë relative të ambasadave të huaja në vend, ndonëse ajo që u paralajmërua dhe u duk logjike në momentin e parë të heqjes së barierave të lëvizjes, nuk ndodhi.

Çfarë nuk u verifikua në 2010 kur nisi udhëtimi pa viza, u bë problematik në mënyrë të papritur pesë vite më pas, kur nga shqiptarë nga Shqipëria, por dhe emigrantë shqiptarë kryesisht nga Greqia, nisën një valë të re emigrimi, me synimin e marrjes së azilit në Gjermani e gjetkë. Në dy vite rresht ky amok i papritur i bëri shqiptarët popullsinë e dytë në rang botëror që kërkonte azil në perëndim.

Po kështu, statistika përgjithësisht të besueshme ndërkombëtare, njohin se më shumë se një në dy shqiptarë janë të gatshëm që të lenë vendin. Duke tkurrur kështu jo vetëm popullsinë rezidente në vend, jo vetëm duke e çuar drejt barazimit numrin e njerëzve që jetojnë brenda me ata që jetojnë jashtë, por edhe duke rritur në mënyrë dramatike moshën mesatare të rezidentëve në Shqipëri, që në llogari të fundit, rrit numrin e pensionistëve në piramidën që duhet ushqyer me kontribute. Ky është rreziku real që kërcënon vendin që sheh mjekë që kanë nisur të mësojnë gjermanisht për të emigruar aty, të rinj që mbarojnë shkollat e që refuzojnë të kthehen këtu dhe një masë amorfe, gjithmonë e më të madhe, që është ende e gatshme të vjelë ullinj si argat në dhè të huaj dhe jo të punojë tokën e vet në Shqipëri.

Kjo është e sotmja që, pavarësisht qeverisjeve dhe opozitave, e bën të zymtë parashikimin e të nesërmes. Këtu duhet të fillojë operacioni i madh i ndryshimit. Që nuk është as vetëm politik, as vetëm ekonomik, as vetëm social, por gjithçka së bashku. Është kryehalli, është problemi më i thellë në “hierarkinë” e ligësive që duhen përballuar, është plumbi i nisur për të goditur të gjithë dhe që nuk do të kursejë askënd nesër. Pa pasur rëndësi nëse është e vërtetë që ishte më mirë kur ishte më keq. Dhe pa llogaritur se çfarë është më lart në hierarkinë e të ligës: atëherë kur shqiptarët duhej të kapërcenin gardhin nga brenda-jashtë apo tani kur sytë e mbajtur vetëm jashtë, rrezikojnë të nesërmen e të gjithëve që kanë mbetur brenda. Dhe u duket atdheu si kurth!

Botuar në Java News