Do të na marrë malli për Bujar Nishanin - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Një fushatë si kjo e Metës, edhe pse është President i zgjedhur, Shqipëria nuk e kish parë kurrë më parë. As nga Meidani, as nga Moisiu, as nga Topi dhe as nga Nishani. Edhe pse ky i fundit ka qenë në qendër të kritikave si shërbëtor partiak
Nga Ardit Rada

Ka qenë një nga intervistat më interesante të Ilir Metës ajo e së enjtes (këtu e plotë), jo vetëm për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve. Presidenti i ri u zhvesh nga kostumi që iu besua për t’u rikthyer në terren dhe në televizor në emër të partisë që themeloi para 13 vitesh. Sikurse i turrej Jozefina Topallit mbi tavolina e karrige, LSI ka ditë që po përdor çdo makiavelizëm ndaj dy partive të mëdha edhe pse e bindur se të dalësh forcë e parë është një objektiv i pamundur.

Në fakt, Ilir Meta nuk po lufton që Petrit Vasili të bëhet kryeministër, por për të garantuar numrin maksimal të mandateve që ta mbajë konstante historinë e koalicioneve post-zgjedhore duke ofruar numra e duke marrë pushtet. Hidhini një sy historisë së partisënë fjalë që zë fill qysh në vitin 2004 dhe do të gjeni figura që janë larguar prej saj, por asnjë prurje të re përveç Ylli Shehut dhe Oni Pustinës…

Nervozizmi i Ilir Metës tregoi se nuk është një lapsus pjesëmarrja e tij në fushatë, por një vendim që e ka marrë me çdo kosto. Qoftë edhe duke humbur mandatin e Presidentit për shkelje kushtetuese, e ndoshta edhe ai vetë këtë po kërkon. Që viktimizimi i LSI të arrijë në kulm, si shpresa e vetme për të ruajtur sëpaku votat e vitit 2013. Një fushatë të tillë nga një President i zgjedhur Shqipëria nuk e ka parë kurrë. As nga Meidani, as nga Moisiu, as nga Topi dhe as nga Nishani. Edhe pse ky i fundit ka qenë në qendër të kritikave si shërbëtor partiak. Meta u shfaq si një president që përmes intervistës së fundit tentoi krahas të tjerash që të fusë spicat mes Ramës dhe Majkos, Bashës dhe Berishës, Topallit dhe Bashës, Carës dhe Ruçit, Selamit dhe Lelit, Veliajt dhe Klosit e të tjera.

Dhe të gjitha këto sado banale që duken edhe për dëgjuesin, paralajmërojnë stilin e të bërit politikë të presidentit të ardhshëm dhe sesi do të qëndrojë ai mbi palët… E pra kostumi i kreut të shtetit i rrinka ngushtë Ilir Metës, që vijon ta komentojë zgjedhjen e tij si vetë-ofrim për shpëtimin e vendit nga kriza.

Ilir Meta e di mirë që LSI nuk ka rritje me 600 mijë vota në këto 4 vite, sikurse tha ai në ekran. Asnjë demokrat nuk ka vajtur te LSI sepse PD e ka fajësuar Metën si përgjegjës të 21 Janarit që sipas tyre njollosi Berishën. Socialistët e Ramës gjithashtu e kanë parë Metën si tradhtarin e Nanos, si patericën e Berishës dhe së fundmi si ‘mish të huaj’ brenda së majtës.

Pakti Rama-Basha e ka mërzitur presidentin e zgjedhur sepse pa shkelur asnjë nen të Kushtetutës dhe brenda moralit politik, duket se është gjetur formula sesi t’i jepet fund presioneve dhe hesapeve ndaj të mëdhenjve pas 25 Qershorit.

Botuar në Java News