Një sy mbi marrëveshjen Rama-Basha - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Nëse marrëveshja u mbijeton zgjedhjeve, shanset janë që ajo, përmes normalizimit të marrëdhënieve pozitë-opozitë, të shënojë hapin e parafundit të tranzicionit postkomunist shqiptar, hapi i fundit i të cilit është aderimi në BE
Nga Gjergji Kajana

Marrëveshja Rama-Basha e 18 majit shmangu një përshkallëzim të rrezikshëm të krizës politike nisur me ngritjen e çadrës para 3 muajsh. I ngjan marrëveshjes Nano-Berisha të 2002-shit, që çoi në zgjedhjen me konsensus të presidentit Mosiu e dakordësoi ndryshime në kreun e institucionesh të rëndësishme kombëtare. Në sintezë, marrëveshja garanton regjistrimin e partive politike të opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit, institucionalizon dialogun e nivelit të lartë pozitë-opozitë në rang kryetarësh, riformaton qeverinë me zv/kryeministrin e 6 ministra teknikë të propozuar nga opozita, i hap rrugën votimit të komisioneve të vetingut (që do të vazhdojnë implementimin in progress të reformës në drejtësi), përmirëson transparencën zgjedhore për zgjedhjet (psh. rregullon shpenzimet zgjedhore të partive), i hap rrugën ndryshimit të krerëve të disa institucionesh kombëtare (Avokati i Popullit, KQZ, ALUIZNI, Hipotekat, OSHEE) me krerë të propozuar nga opozita dhe lë të kuptohet se në legjislaturën post-25 qershor dy partitë kryesore do t’i hyjnë bashkarisht një procesi reformash kushtetuese e zgjedhore (si psh. teknologjitë elektronike në identifikimin e numërimin e votës, kalë beteje i betejës së çadrës). Po e shpallin veten si të humbura partitë e vogla jashtë triptikut PS-PD-LSI e si pazar partitë e reja antitriptik të Blushit e Bojaxhiut, por marrëveshja ngjan një “win-win” në ngritjen në nivele bashkëpunimi intensiv të kulturës politike pozitë-opozitë në Shqipëri.

Merita kryesore e kësaj marrëveshjeje është për momentin sigurimi se PD mbetet pjesë e sistemit demokratik formal shqiptar, duke pranuar diçka që në një demokraci të shëndoshë nuk do të diskutohej fare: pjesëmarrjen e partisë më të madhe të opozitës e aleatëve të saj të vegjël në zgjedhjet parlamentare. Nëse PD do të “informalizohej” prej Parlamentit, për të do të ishte i fortë tundimi të përdorte mjete të dhunshme për të mbetur faktor politik. Kjo parti ka një histori të gjatë dhune ndaj kundërshtarëve prej dy dekadash e përsëritja e këtyre praktikave do të vinte në rrezik demokracinë kombëtare. Fakti se në Kavajë zgjedhjet lokale u anulluan pikërisht, sipas versionit zyrtar, prej planeve të dhunës të përgatitura nga partia e Bashës tregon se këto praktika nuk janë harruar. Pra, marrëveshja nuk përbën pazar por një mjet politik të dorës së parë që garanton – për momentin – paqen politike e sociale të vendit. Tregon se, përtej fjalëve sfiduese ndaj opozitës, Rama ishte bindur nga ngjarjet e kohës së çadrës se pa lëshime në tavolinë PD nuk do të hynte në zgjedhje dhe kjo do të cenonte fitoren pa rivalë të së majtës. Duke hequr kërkesën maksimaliste e politikisht qesharake të PD-së për qeveri krejtësisht me ministra teknikë pa Ramën kryeministër, marrëveshja i jep Shqipërisë një qeveri të riformatuar teknikisht që përmbush edhe kriteret e “qeverisë së besimit” të paraqitura në 1 prill nga LSI. Kryeministri i ka lëshuar shumë hapësira përfshirjeje në qeverisje opozitës, duke treguar një hapje mendore të pazakontë për një politikan shqiptar e të afrueshme vetëm me ato të Nanos, i cili emëronte në ministri strategjike aleatët e vegjël e trajtonte emërime drejtorësh institucionesh me liderin histerik të së djathtës. Qeveria, si të gjitha qeveritë kudo e kurdo, mbetet politike sepse do të votëbesohet prej Parlamentit e do të duhet të kalojë aktet e veta ligjore në të.

A do të mbajë në kohë kjo marrëveshje? Shumë do të varet prej rezultatit të zgjedhjeve e prej rezultatit që do të marrin në to respektivisht PD e PS. Me 71 mandate socialiste në Parlament Rama do të ishte më i fortë sesa përgjatë gjithë legjislaturës që shkoi, kur i duheshin deputetët e LSI-së osë PDIU-së për të gëzuar shumicën parlamentare. Duke dëgjuar etiketimet kryeministrore për PD si parti e së shkuarës edhe në komunikimin javor të djeshëm mundësitë për një koalicion të madh qeveritar PD-PS pas zgjedhjeve duken të pakta edhe pa 71 mandatet për socialistët. 71 mandatet ngjajnë mision shumë i vështirë. Sipas projeksioneve të sondazhistit Zaloshnja ato duhet të jenë 69, çka e bën të paevitueshme aleancën e Ramës me partinë e Vasilit. Kjo aleancë do të ishte më e natyrshme si për PS, si për LSI si vazhdim logjik i reformave bashkarisht të votuara të 2013-2017-s. Gjithsesi, Rama që negocion drejtpërsëdrejti marrëveshjen e kthehet në “Romeo” të “Xhuljetës” Basha për ta materializuar atë duket si një garanci, në vizionin e kryetarit socialist, për nevojën e mbijetesës së saj përtej horizontit elektoral.

Marrëveshja është me të vërtetë një fitore momentale për PD-në, sepse e nxori nga qorrsokaku i alternativës antipolitike midis daljes nga sistemi e rezistencës së përhershme në rrugë. Ajo lloj rezistence, duke parë apatinë e shqiptarëve të thjeshtë ndaj kauzës së çadrës, nuk do të mund të çonte kurrë në një ndryshim joelektoral qeverish në vend. Do të ishte një mrekulli nëse marrëveshja do t’i rezistojë një fitoreje të thellë socialiste pas zgjedhjeve. Natyra e brendshme “revolucionare” e PD-së shtyn në parashikimin se marrëveshja do të tronditet për vdekje nga një humbje mëse e mundshme e demokratëve në zgjedhje. Me shprehjen “natyrë revolucionare” duhet nënkuptuar konstatimi se, megjithëse regjistruar në sistem si një parti politike formale, PD-së i pëlqen të ndjekë gjithmonë strategjinë e ardhjes në pushtet me taktika politikisht jokonvencionale e jopaqësore, që përfshijnë protesta në rrugë që mund të kthehen në problem për rendin publik (siç ndodhi në dhjetor 2015 me bunkerin në Tiranë). Zgjedhjet janë vetëm njëra mes këtyre taktikave, jo e vetmja. Fakti se PD vazhdon të veprojë në sistem si një forcë potencialisht e rrezikshmërisht antisistem tregon se nuk e ka kuptuar vërtet sa vazhdon të ndryshojë me kalimin e kohës sistemi shqiptar, që në pritshmëritë e anëtarëve të tij, qytetarët shqiptarë të Shqipërisë, pret integrimin e plotë shqiptar në rrugën evropiane e jo kaosin informal të ëndërruar prej krerëve demokratë. Shqiptarët nuk njohin në detaj teknikalitetet e “vetingut” ose të marrëveshjeve si kjo e 18 majit, por duan drejtësi e stabilitet e kanë kuptuar se me rrëmujë nën çadër apo nën qiell s’kihet asgjë prej këtyre.

Sipas të gjitha gjasave marrëveshja e 18 majit garanton atë që i shërben më tepër dyshes drejtuese në PD Basha-Berisha: rikonfirmimin e Bashës si kryetar i partisë pas zgjedhjeve, padyshim – në rast humbjeje të tyre – nën parrullën e rezistencës së paepur ndaj qeverisë kriminale Rama. Humbja në zgjedhje mund t’i vishet gjithmonë tradhëtimit të marrëveshjes nga Rama, i mbërthyer nga interesat koncesionare e të narkotrafikut … Zërat kritikë brenda partisë që theksonin vetëvrasjen e mospjesëmarrjes në zgjedhje janë fikur me pranimin e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Në 4 vjet opozitë, prej 2013-s, PD nuk ka vepruar si parti tërësisht parlamentare por si një grupim që mbante marrëdhënie të kufizuara me Parlamentin, duke e braktisur disa herë, duke penguar me obstruksionizëm verbal e në komisione punimet e tij e duke qëndruar në 2014-n 6 muaj larg tij për të marrë, me ndërmjetësimin Flekenshtejn, ligjin e dekriminalizimit.

Nëse marrëveshja mbijeton pas zgjedhjeve, shanset janë që ajo, përmes normalizimit të marrëdhënieve pozitë-opozitë, të shënojë hapin e parafundit të tranzicionit postkomunist shqiptar, hapi i fundit i të cilit është aderimi në BE. Ky hap i fundit, pra aderimi në BE, ka nevojë si oksigjen për të parafundit, që është njohja e ndërsjelltë me dialog pa doreza pozitë politike – opozitë politike.

 

Botuar në Tirana Observer me titullin “Marrëveshja Rama-Basha si armëpushim taktik”