Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945, informatat dhe akt-akuza - BRENGA IME SHQIPTARE  - Shqiptari i Italisë

Histori
Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

 

Pjesa e dytë

Lexo më parë gjithë pjesën e parë:
Brenga ime shqiptare - Rikthimi
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë

Takimi me Petritin

Kokoshi në hotel Dajti
Komiteti Olimpik
Burgu i Burrelit
Pjesa e dytë
Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945

Informatë 1 (Shtojca 1)

Në lidhje me lëvizjen e disa italianëve në Vlorë. Për të shikuar edhe më mirë këtë lëvizje, situata e atjeshme raportohet kështu: Në Vlorë janë më se 20 veta dhe mes këtyre më të rrezikshmit dallohen të poshtë shënuarit:
1) D’Andrea, shitës radiosh në Vlorë 2) Beluci, ish-n/konsull në Vlorë në gradën Toger Kolonel; 3) Terruzi, Drejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë, ka dorëzuar të hollat e bankës gjermanëve për të mos i marrë F.N.Çl (1*). Shumë i rrezikshëm. 4) Sinopoli, ndërlidhësi i ngushtë i Klerit Katolik, 5) dy të tjerë katolikë. Që të tërë janë të lidhur ngushë me njëri-tjetrin, kanë provokuar mbledhje me qëllime politike reaksionare ndër italianët e Vlorës. 6) Monai e Verde janë të rrezikshëm dhe shumë të rafinuar, punojnë ndënë maskë. 7) Orlandi, shumë i rrezikshëm, dhe manovrues; lot mbi kurrizin e dy anëvet, sot për sot ndihmon F.N.Çl. kur do herë me qëllim të zhvillojë aksionin në formë të hapët është nga ata që ndjekin mendimet e Musolinit. Për disa nga ata ka ardhur urdhër nga Gjeneral Bonomi (2*) të arrestoheshin si kriminelë lufte për fajet që kanë bërë në kurriz të popullit italian. Shkak i mosarrestimit të këtyre dhe lënia në qarkullim të lirë dhe axhitatori i fortë për këta ka qenë Verdi, ish-kapiten i SIMI-t. E tërë këta janë aleatë reaksionarë dhe shumë të dëmshëm për ne, për këtë vërtet janë dhe disa italianë duke lëshuar dhe deklarata që ju dërgohen ngjitasi 24 copë (3*), nga të cilat disa deklarata përmbajnë veprimtari të kalbët të cirkolos në Vlorë duke theksuar abuzimet që bëhen m’atë Cirkolo. Italjanët që kanë lëshuar këto raporte janë të poshtëshënuarit:
Ing. Delogu, nëpunësi i bankës Chilovi, nëpunës Marina Piceci (4*).
Që të tre këta janë intelektualë dhe s’kanë asnjë pasion ndaj këtyre. Si reaksionarë dhe shumë të dëmshëm për situatën e sotme dhe aq më shumë që në qarkun e Vlorës këta t’arrestohen dhe të dërgohen në një vend tjetër qoftë dhe për një kohë të shkurtër. Largimi i këtyre nga qarku i Vlorës ndryshon krejt situatën dhe aktivizon popullin italian në F.N.Çl.
Francesco e Rosati Diego (për asistencë saniteti), major Granata Raffaele dhe kapiteni i karabinierëve Verde (përfaqsi ushtarake), Vasta Giuseppe Komisari i asistencës ndërmjet italianësh, ky komitet u çentralizua prej Kapiten Verde e prej Vastas, në marrëveshje me Terrusin, Belluzzin e Giudicen, e shokë, me përjashtim të njërit që kur nuk qe shkruar në Partinë Fashiste dhe të një partizani, të tjerët kanë qenë të gjithë në radhët Fashiste me përgjegjësi të larta nderi dhe nuk e lënë të dalë ose duket një ushtar me një fuqi t’ulët dhe aq një person nga turma e punëtorëve. (5*).
Ky Komitet mori fund më 19 mars me themelimin e Qarkut Galibardit (6*).

 (1*) Si provë e urrejtjes së Xhuzepes ndaj gjermanëve ekzistojnë tre letra autograf, private, të drejtuara të motrës Kiara në Itali, të cituara në këtë botim, që sjellin të dhëna para burgosjes, në të cilat shprehet qartë kundërshtia e Xhuzepes ndaj nazizmit dhe pushtimit gjerman të Shqipërisë. Natyrisht, meqë Xhuzepe ishte Drejtor i një banke të rëndësishme, denoncimi më i qartë dhe poshtërues është se ia ka dorëzuar paratë armikut në mënyrë të vullnetshme.
Duket qartë se si akuza të tilla synonin të shtrembëronin dhe të përmbysnin të vërtetën e fakteve me hipoteza perverse, pa mbështetjen e asnjë lloj dokumentacioni.
Letra (a)
Vlorë 22 tetor 1944… U çliruam para afro 10 ditëve dhe banditët gjermanë u larguan me bisht ndër shalë...
Letra ( b )
Vlorë 27 nëntor 1944… Ata gjermanët e poshtër kanë bërë të zezat më të mëdha dhe gjithë mizoritë që mund të përfytyrohen: kemi kaluar ditë tmerri dhe terrori, madje dhe mua thuajse më burgosën …
Letra (c) është ndërkallur në origjinal (Shtojcan 17).
Vlorë 8 janar 1945… Që nga dita e çlirimit të Vlorës nga forcat partizane që i vunë para banditët (në kuptimin e keq të fjalës) gjermanë, dua të shpresoj që të gjithë gëzoni shëndet të mirë dhe të mund të ribashkohemi sa më parë...

(2*) I referohet “Protokollit paraprak të marrëveshjes (intesa)” arritur në 2 gusht 1920 mes Italisë dhe Shqipërisë, që vendoste një amnisti reciproke për krimet ushtarake. Në veçanti, është krejtësisht e rreme dhe mashtruese akuza e komisarit mendjemadh politik.

(3*) Deklarimet në lidhje me faktin se do ta shohim më tutje, nuk janë aktakuza, por më së shumti merita për Xhuzepen... përveçse një deklarate të korruptuar qartazi!

(4*) Raporti i Komisarit bazohet edhe në informatat e dhëna nga inxhinier Delogu, nga nëpunësi i bankës Kilovi dhe nga nëpunësja tjetër e bankës Marina Piçeçi, që janë të gjitha dëshmi “me të dëgjuar”.
Nuk ka asnjë farë rëndësie se kush janë “dëshmitarët”, si veprojnë, anën e kujt mbajnë, e rëndësishme është që ata denoncojnë.

(5*) Për informatorin e rëndësishme është të mbështesë akuzat: janë intelektualë italianë, domethënë fashistë, ndaj dhe janë “të rrezikshëm dhe të dëmshëm” rrjedhimisht. Shqiptarët miq të italianëve janë kolaboracionistë, prandaj meritojnë të njëjtin fat. 
Gjyqtari “suprem” flet për Delogun, Kilovin dhe Piçeçin si “njerëz që e duan lirinë”, sepse ata dëshmojnë në favor të tezave të tij, duke ua kundërvënë këto atyre që ai i kishte piketuar si “persona të rrezikshëm”.
I mjeri ai, as që ia merr mendja se sa do të vuajnë njerëzit e tij përgjatë 50 viteve të diktaturës utopike e fanatike të Enverit, “dashamirësit të lirisë” dhe se sa morte do të pllakosin familjet shqiptare!
Kilovi dhe Piçeçi e konfirmojnë akuzën vetëm me gojë, pa firmosur deklaratat e tyre që në thelb janë bazuar në çfarë kanë dëgjuar. Këta, të pavendosur e të pasigurtë, pa pasur asnjë provë konkrete, e shtyjnë Komisarin t’i kërkojë gjykatës largimin e drejtorit Terruzi dhe të nëndrejtorit të Bankës së Vlorës, Beluci, “për motive të rendit publik” dhe “për njëfarë kohe”.
Një kërkesë e tillë duket qartë që lidhet me marrëdhëniet e vështira personale mes tyre dhe drejtorisë të Bankës, e cila nuk ka të bëjë fare me çështjet politike dhe ushtarake shqiptare.

(6*) Informatori, përveç të tjerash, përmend Rrethin Garibaldi si çerdhe ku përbashkohen persona “që ndihmojnë italianët”, dhe pastaj rrjedhimisht arrin në përfundimin e rekrutimit të ushtarëve italianë. Përveç kësaj, thotë, aktet e mëshirës (faljes) që ka ndërmarrë Rrethi Garibaldi, janë “të dëmshëm për komunitetin” dhe se anëtarët “bëjnë mbledhje me objektiva politike reaksionare”.
Në vijim të shpagimit të çmendur e shtazarak nazist pas famëkeqit 8 shtator 1943, po ky Rreth, që më parë thjesht ishte një pikë takimi, në të vërtetë u shndërrua në një qendër koordinimi për mbështetje dhe ndihmë (tesha, këpucë, ushqime, strehim), për ish-ushtarakët italianë dhe shqiptarë që ishin hapërdarë, me qëllimin për t’i mbrojtur nga persekutimi, grumbullimi dhe dëbimi që po bëhej kundrejt tyre nga nazistët. Gjithë kjo bëhej thjesht për mëshirë dhe keqardhje të krishterë dhe nuk kishte të bënte aspak me bëmat e guerrilëve, spiunazhin apo rekrutimin.

Në bankat italo-shqiptare, regjimi i Enver Hoxhës ngriti pretendimet për ndërkalljen e një numri të caktuar personazhesh vendas të emëruar drejtpërdrejt nga regjimi shqiptar si garantë politikë. Një ndër këta të punësuar (i paemëruar, por besnik i regjimit) u thirr për të bërë raportin e vet, si dëshmitar i drejtpërdrejtë, i jetës politike shoqërore të bankës së Vlorës. (Shtojca 2)

Informatë 2 (Shtojca 2)

Lejomëni t’ju jap disa informata në lidhje me të arrestuarin italian që mbahet në burgun e Vlorës me akuzë politike fashiste.
Giuseppe Terrusi, ish-Drejtor i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ka ardhur në Shqipëri që me hapjen e Bankës Kombëtare, në cilësinë e llogaritarit. Puna e tij ka qenë e mirë dhe ka pasur marrëdhënie të mira me punonjësit shqiptarë. Ka pasur gradim si gjithë italianët e tjerë të cilët kanë pasur mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme dhe Komitetit të Romës. Në të vërtetë, është graduar për cilësitë e tij të mira teknike dhe jo si personalitet politik (7*).
Deri në fund të regjimit fashist nuk ka bashkëpunuar kurrë me njerëz që përfaqësonin fashizimin.
Fashistët e kanë pasur zakon të bënin kërcënime nëse nuk mbështesje politikën e tyre. Giuseppe Terrusi ka qenë kërcënuar nga Kont Salverini, ish konsull i Vlorës, që të shkonin me detyrim në Konsullatë (8*). Në kohën kur po vinin ushtarët italianë, para se të ndodhte zbarkimi, Terrusi mendonte se ardhja e tyre do të ishte diçka e mirë. Kur italianët u larguan drejt Sazanit deri në fund të zbarkimit, ai paralajmëroi të gjithë punonjësit e Bankës të shkonin bashkë me familjarët e tyre të banonin jashtë Vlorës, për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm. Na ka mbajtur në dijeni të të gjitha çështjeve bankare. Kur të gjithë ne punonjësve të bankës na telefonuan nga Milicia dhe na urdhëruan të visheshim si oficerë policie, Terrusi kundërshtoi i pari për veten dhe për punonjësit, duke thënë se nuk mund të largoheshin nga banka dhe të bëheshin pjesë e Milicisë.
Kur shkova në Bankë, na tha disave prej nesh, të cilëve na besonte, se këtë veprim e  kishte bërë me qëllim që të mos përziheshim, dhe sidomos ne shqiptarët, me politikë, sidomos me atë që imponohej nga jashtë.
Koha kalonte dhe Terrusi, duke parë fitoret e italianëve, mbante një marrëdhënie të ngushtë me hierarkët fashistë, të cilët i afroheshin sidomos për t’u njohur me familjen, sepse e kishin zakon të hynin nëpër familje, për qëllime imorale. Gjatë atyre takimeve, fliste gjithmonë mirë për elementë të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Ai druhej edhe nga atentatet që bëheshin në Vlorë. Si ndërmjetës ka bërë të pamundurën për të ndihmuar Petrit Bishën gjatë kohës që ka qenë në ilegalitet dhe gjithçka mundte për të liruar Sulejman Kasapin dhe mua. Këto që kam thënë, edhe i kam shkruar në letrat që kam nisur dhe kopje të të cilave gjenden edhe në bankë. (9*)
Mua personalisht, me rënien e Italisë, kur ramë në konflikt me elementë të Ballit, më tha se çdo punë që të bësh hajde ta bësh në shtëpinë time. Me pak fjalë, ka bërë ç’të mundte që të rrinte larg politikës dhe të ishte vetëm një teknik i bankës e t’i shërbente institucionit të tij. Gjatë qëndrimit të gjermanëve këtu, Terrusi nuk ka patur marrëdhënie me ta veçse për veprimet bankare. Ka qenë i kërcënuar nga Vizhdun Risilia dhe i detyruar madje një herë të dërgonte para në Itali brenda 24 orëve. Shtoj se sjellja e tij nuk ka qenë e keqe, edhe pse ishte fashist si gjithë italianët e tjerë, por nuk e kam dëgjuar asnjëherë të na përbuzë ne shqiptarët.

(7*) Xhuzepe Terruzi, prokurues, siç vërtetohet nga një dokument origjinal i Bankës së Shqipërisë, ka qenë një nga themeluesit e po kësaj banke në 1926.
Siç thotë punonjësi shqiptar, të gjithë italianët janë fashistë, duke iu referuar qartazi regjimit në fuqi në Itali.
Po i njëjti person e quan Xhuzepen një drejtor skrupuloz, i përkushtuar vetëm ndaj veprimtarisë së tij bankare, afër punonjësve të vet dhe larg nga veprimtaria politike me vulën fashiste.
(8*) Është e qartë, në këtë dëshmi, se ç’mendonte Drejtori mbi bankën “e vet” dhe veprimtaritë respektive të lidhura me karakterin financiar dhe jo me diktatet politike. Në çdo rast, nuk ka pasur “kërcënime” të asnjë lloji, aq më pak ftesa, për aq kohë sa Xhuzepe dhe Aurelia shkonin shpesh në Konsullatën Italiane për të biseduar e luajtur me letra me Konsullin dhe familjen e tij.
(9*) Megjithë rolin e tij si “spiun” në bankën e Vlorës, ky njeri nuk ka qenë në gjendje të formulonte akuza konkrete, përkundrazi, nga deponimi i tij rezulton që i akuzuari ka qenë një Drejtor absolutisht i ndershëm dhe i barabartë me vartësit e vet!

Në burgun e Vlorës, që nga prilli i vitit ’45, Xhuzepe u thirr për të dëshmuar pranë Gjykatës Ushtarake në dhjetor të po atij viti dhe të paraqiste mbrojtjen e vet ndaj organit të akuzës për tërheqjen e parave nga banka e Vlorës dhe dorëzimin e tyre në duar të gjermanëve.

Proces-Verbal (Shtojca 3)

U thirr dhe u mor në pyetje i pandehuri Terrusi Giuseppe i cili deklaroi se nuk dinte gjuhën shqipe pos Italishtes dhe për këtë u mor si përkthyes z. Namik Cakrani, gjyqtar popullor në Vlorë, i cili, mbasi u betua rregullisht se përkthimin do ta bënte në rregull: u pyet i pandehuri Terrusi Giuseppe, bir i të ndjerit Nikola dhe të ndjerës Roza, vjeç 45, nga Palermo i Italisë dhe banues në Vlorë, i martuar me një fëmijë, me arsim Shkollën e Lartë Tregtare, i padënuar, i cili u pyet dhe tha se:
Kam ardhur në Shqipëri në prill të vitit 1926. Kur jam nisur nga Italia, kam qenë me shërbim në Bankën e Kreditit Italian dhe, meqë asokohe për në Shqipëri paguanin dyfishin e rrogës, erdha këtu dhe kryeva shërbime në bankë, fillimisht në Durrës, pastaj në Tiranë, Korçë, në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, sërish në Sarandë dhe në kohët e fundit në Vlorë.
Nuk jam marrë me politikë, por, nga Italia më kanë dërguar vetëm si teknik banke, kam qenë anëtarësuar në Partinë Fashiste si gjithë italianët e tjerë për të pasur mundësi pune. Para se të iknin gjermanët nga Vlora, në arkën e bankës ndodhej shuma prej 1.000.000 fr. (frangash). Dhe një ditë kanë ardhur gjermanët të armatosur dhe duke na kërcënuar me armë në dorë kanë marrë shumën prej 299.000 franga, njëqind mijë franga ishin monedhë e prishur nuk i morën gjermanët. Unë bashkë me nëpunësit Vangjel Skrame, Niko Papalillo, Belluzzi Ugo, Ramonio Antonio i kishim fshehur më parë duke parashikuar një rrezik të tillë të gjermanëve, me çlirimin e Vlorës prel Lëvizjes N.Çl. Shumën prej 600.000 franga ne e vumë përsëri në arkë; nga shuma 299 mijë franga që morën gjermanët na lanë vetëm 20.000 franga për rrogat e personelit të bankës. (10*)
E ndjej veten të pafajshëm dhe kam besim të plotë në drejtësinë e popullit të sotëm.
Tjetër gjë s’kam për të thënë thëniet e mia mbasi m’u lexuan i vërtetoj me firmën time.

Vlorë 13/12/1945
I pandehuri             Përkthyesi      Of. M. P. Kapiten II     Tekniku
Terrusi Giuseppe      N. Cakrani       Qatip Dervishi 

(10*) Xhuzepe, gjatë marrjes në pyetje në Vlorë, në datën 13/12/1945, e përligj zhdukjen e parave duke deklaruar se i ka lëvizur për t’i ruajtur nga makutëritë naziste, duke përmendur si dëshmitarë nëpunësit e bankës, italianë e shqiptarë, “Vangjel Skrame, Niko Papalillo, Berluzzi Ugo e Ramonio Antonio”, me të cilët kishte rënë dakord të fshihte 600.000 franga. Vetë nëpunësit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, Loro Musani (Shtojca 8), e konfirmojnë deklaratën e Xhuzepes. Ushtarët gjermanë, siç del nga dëshmitë, arrijnë gjithsesi të “tërheqin” rreth 300.000 franga që kishin mbetur në depozitën e bankës së Vlorës.
Shumë vite më vonë, në një nga fjalimet e tij zyrtare, (të cituar ndërkohë më herët këtu), po vetë Enver Hoxha mund të thotë që ato para iu zëvendësuan shqiptarëve nga gjermanët duke ia hequr faktikisht përgjegjësitë Drejtorisë së Bankës së Vlorës.
Xhuzepe deklaron se nuk është “fashist”, por për ata që punonin jashtë ishte e domosdoshme vula fashiste në pashaportën italiane. Përveç kësaj, ai ishte një civil që nuk ishte marrë kurrë me politikë dhe karriera e tij në bankë i detyrohej vetëm profesionalizmit të tij, të fituar përgjatë viteve dhe të njohur nga gjithë dëshmitarët e thirrur në gjyq.
Ndërkohë që Xhuzepe Terruzi ndodhet prej thuajse 8 muajsh në burgun e Vlorës, konfirmohen edhe akuza të pabazuara në asnjë lloj vërtetësie, por vetëm nga hipoteza të sjelljes, për shkak të pozicionit të tij si Drejtor Banke dhe intelektual – rrjedhimisht, i pajisur me aftësitë menaxhuese të tilla sa mund të kontrollonin edhe komunitetin italo-shqiptar të Vlorës.
Pavarësisht gjithçkaje, vjen dhe Akti i Akuzës, i formuluar Nga Komisioni për Krimet dhe Kriminelët e Luftës i Vlorës, i thatë dhe i përpiktë në fallsitetin e vet.
Xhuzepe akuzohet për tre krime; që ishte: një drejtues fashist, që u kishte dhënë para nazistëve, i kishte rekrutuar ushtarët italianë për t’i dërguar të luftonin në Itali me nazistët.
Përgjigjet për akuza të tilla janë të thjeshta, objektive, të sakta dhe sipas rrethanave.

Akt-Akuzë (Shtojca 4)

Komisioni për krimet dhe kriminelët e luftës i ka referuar kësaj Gjykate aktet procesuale kundër të pandehurit Xhuzepe Terruzi, nënshtetas italian e banues në Vlorë për t’u gjykuar nën akuzat e poshtëshënuara:
Ka qenë fashist i vendosur dhe si i tillë është dërguar nga Italia me shërbim në Shqipëri në favor të organizatës fashiste. (11*)
Duke qenë drejtor banke në Shqipëri dhe me rastin se dita e çlirimit të Shqipërisë po afronte dhe së gjermanët po largoheshin, i pandehuri me qëllim mosdorëzimin e parave në duart e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ia ka dorëzuar ato ushtrisë naziste. (12*)
Me çlirimin e Shqipërisë, i pandehuri ka bërë mbledhje të ndryshme në bashkëpunim me shokët e tij Arturo Orlandi etj. për dërgimin e ushtarëve italianë që ndodheshin në radhët e ushtrisë Nacional-Çlirimtare në Italinë e okupuar prej nazizmit. (13*)
Prandaj u vendos nevoja e gjykimit të tij për t’u gjykuar para Gjykatës ushtarake të këtushme si armik i popullit.
Komisioni

(11*) në lidhje me akuzën e parë, gjithë dokumentat e italianëve (pashaporta, leje, etj.) kishin vulën fashiste, përndryshe diplomatët, drejtuesit, punonjësit dhe nëpunësit, etj. nuk do të mund të punonin dot; sidomos jashtë shtetit, kur ishte e domosdoshme të kishe pashaportë fashiste! Pyes veten si mund të dënohet një njeri sepse qeveria e vet i imponon një dokument të regjimit!

(12*) Për akuzën e dytë, është e pamundur ta besosh që Xhuzepe, megjithë urrejtjen dhe refuzimin ndaj nazistëve, t’i ketë ndihmuar duke u ofruar vullnetarisht paratë e Bankës (shih letrat e tij (Shtojca 27) dhe dëshmitë). Vetëm ta çosh nëpërmend është absurde! 

(13*) Rrethi Garibaldi ishte organizuar për të ndihmuar ushtarakët italianë, përveç partizanëve dhe ushtarakëve shqiptarë të braktisur për t’u mbijetuar internimeve dhe pushkatimeve të vazhdueshme nga gjermanët, pas datës 8 shtator ’43. Nuk ka qenë pra rekrutim!

Nëna ime, Aurelia, në një përpjekje të dëshpëruar në mbrojtje të të shoqit Xhuzepe, i shkruan një letër Komisionit për Krimet e Luftës që u bashkëngjitet akteve.

Vijon

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
"Brenga ime shqiptare". Përtej detit, aty ku lind dielli - Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika