Gino Luka në gjurmët plot dritëhije të princeshës Dora d'Istria në Firence - Shqiptari i Italisë

Histori
Nga Adela Kolea

Shkrimi me titull Dov’è Dora d’Istria? i Gino Lukës publikuar së fundmi nga Shqiptari i Italisë mbi princeshën me origjinë shqiptare Dora d'Istria, është i fokusuar në gjurmët që autori ka ndjekur, e kjo për nismë, interes e pasion vetjak ndaj letërsisë e historisë, për më tepër ndaj lidhjes së figurave të njohura shqiptare të këtyre fushave, që kanë jetuar e vepruar nëpër botë apo në një rreth akoma edhe më të ngushtë: që mund të kenë jetuar në qytetin italian ku dhe vetë autori aktualisht banon, në Firence.

E gjitha kjo, për të zbuluar kureshti mbi ruajtjen e përkujtimin ende në ditët e sotme, të figurës dhe veprës së Dora d'Istrias. Pikërisht në Firencen ku ajo kontribuoi me kulturën dhe njohuritë e saj poliedrike për rreth 30 vjet. Firence është qyteti ku ajo jetoi deri në ditët e fundit të jetës së saj, aty ku gjendej vila e njohur e saj e banimit e njëkohësisht, qyteti ku ajo sot prehet.

Kontaktova autorin e shkrimit për t'i drejtuar disa pyetje mbi argumentin në fjalë, për t'i bashkëndarë ato me ju.

Firence, një prej qyteteve italiane më të pasur në art e histori, i konsideruar si djepi botëror i artit e arkitekturës. Ne jemi mësuar që ta njohim si qytetin e Michelangelo-s, Raffaello-s, Leonardo da Vinci-t, Giotto-s, Botticelli-t, Boccaccio-s, Macchiavelli-t, Dante-s etj. por, ja që mund të themi me bindje që është edhe qyteti i Elena Gjikës ( Dora d'Istria).

Adela Kolea: Ju, z. Luka, jetoni pikërisht në këtë qytet. Vetëm ideja që në këtë qytet, shumë kohë më parë, ka jetuar princesha me origjinë shqiptare, një të apasionuari si ju pas letërsisë apo historisë, ç'ndjesi i ka ngjallur kjo?

Gino Luka: Duke rilexuar veprat e Dora d’Istrias fillova të “zbuloj” më në detaje edhe jetën e saj. Ndjesia që kam pasur ka qenë një emocion i pamasë pozitiv dhe negativ, njëkohësisht. Pozitiv për faktin se kushdo që lexon sadopak historinë e kësaj Gruaje mbetet i mahnitur. Negativ sepse nga Dora d’Istria në Firence nuk ka mbetur pothuajse asgjë (kuptohet përveç korrespondencës dhe librave të ndryshëm në Arkivin Historik të Komunës së Firences e në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Firence).

Në mjedise që keni frekuentuar, në kontekste të ndryshme profesionale apo shoqërore në Firence, keni hasur të përmendet emri i saj? Apo ajo, sot, është e njohur aty vetëm relativisht?

Në përgjithësi flitet për Dora d’Istrian, si për një mit duke përmendur bukurinë, inteligjencën, kulturën, veprat, por pa një profil kritik të mirëfilltë të veprave të saj. Është e çuditshme se si një Grua e famshme, një intelektuale me famë botërore si Elena Gjika, figurë e rëndësishme në panoramën kulturore të shekullit XIX, që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Italinë, Rumaninë, Shqipërinë etj., të lihet në harresë...

Çfarë ju shtyu të kërkonit ish-vilën, banesën e saj?

Në Firence kjo gjë mund t’i ndodhë kujtdo natyrshëm: në kuptimin që p.sh. në qoftë se lexojmë veprën e Dantes, kemi mundësi të shkojmë te Shtëpia e Dantes, tek Kisha “Santa Margherita dei Cerchi“ ku ka njohur Beatriçen.
Ke qejf të shkojmë te shtëpia e Giotto-s? Mos u bëj merak se e ka këtu afër. Duket si anekdotë por, në fakt, kështu është.
Projektimi në kohën dhe vendet ku kanë jetuar e ku kanë punuar këta gjeni përzihet me realitetin. Ecën në rrugën ku kanë kaluar ato, prek me dorë objektet që këta persona kanë prekur, ke parasysh atë çfarë ato kanë parë. Këtë sensacion e kanë ndjerë edhe shumë miq kur i kam shëtitur në Firence. Kuptohet që për një studiues ose për një person të pasionuar këto efekte amplifikohen disa herë.

Cili qe impakti i parë sapo mbërritët në atë adresë të përcaktuar që kërkonit e që përkonte me banesën e princeshës?

Unë prita të njëjtën gjë që kisha eksperimentuar me personazhet e tjerë historikë: pra një shtëpi muze. Një vilë elegante të cilën Princesha e pagëzoi «Villa d’Istria» të rrethuar me atë kopshtin e mrekullueshëm që përshkruhet në veprën e Prof. D. Demetrio Bargellini, “L'Arboreto Istriano” (Kopshti Istrian) botuar në vitin 1887 në Firence, që e pati blerë nga Angelo De Gubernatis (shkrimtar dhe orientalist i famshëm italian) në vitin 1870, kur ajo u vendos në Firence dhe që pati qenë banesa e saj derisa vdiq në nëntorin e vitit 1888, e që ua la me testament shurdhmemecëve të Firences.

Cilat ishin pritshmëritë tuaja për atë banesë dhe si rrjedhim - ajo që është diçka e mirëqenë fundja - për vëmendjen kushtuar pllakës përkujtimore aty të vendosur për emrin e Dorës. Ajo pllakë, përmbushte parametrat e nevojshëm të nderimit të një figure të tillë?

Kuptohet se pllaka përkujtimore ishte një zhgënjim edhe më i madh. E kisha parë në fotografi atë pllakë të shkruar me aq nderim por kur e “zbulova” (sepse nuk shihet nga rruga si çdo pllakë përkujtimore): nga njëra anë pllaka me atë përkushtimin që i ka bërë Komuna e Firences në shenjë nderimi e nga ana tjetër pllaka është e fshehur “prapa shtëpisë” në oborrin e ish-vilës, tek shtëpia që vetë Komuna ka shembur, në oborrin që më nuk ekziston. Në Shqipëri diçka e tillë mund të jetë “normale” p.sh. në vitin 1967 u rrënua me dinamit Kisha e vjetër e Vaut të Dejës ku Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u martua ose para pak vitesh u shkatërrua shtëpia muze e Heroit të Popullit shqiptar Luigj Gurakuqi etj. etj.
Po në Firence, ku ruhet madje edhe një gur antik sepse mendohet se e ka prejardhjen nga Varri i Shenjtë i Krishtit (Pietre del Santo Sepolcro), shkatërrimi i kësaj banese historike është demoralizues...

Nuk u ndalët me kaq, por iu drejtuat edhe varrezave të qytetit për të gjetur varrin e saj. Ishte një shtysë, fryt i një ndjesie thjesht njerëzore kjo, përveçse profesionale mendoj. Çfarë zbuluat aty?

Ky ka qenë një moment i dytë.
Çdo vit me 2 nëntor, kremtohet Dita e t’Shumave (Dita e të vdekurve), festë që Kisha Katolike ia kushton përkujtimit të të vdekurve. Njerëzit shkojnë në varreza për të vënë lule dhe qirinj për familjen dhe miqtë që nuk janë më. Elena Gjika nuk ka pasur fëmijë dhe pasurinë e saj ia la shurdhmemecëve të Firences. Mendova ta kujtoj me një lule këtë Grua shqiptare që ka bërë aq shumë për mbrojtjen e popujve të shtypur.
Nuk kishte varr. Unë fillova të bëhem nervoz dhe kureshtar, sepse aty për aty nuk realizova faktin që ajo ishte kremuar. Pastaj gjeta urnën ku ruhej hiri i saj, dhuratë e Institutit të shurdhmemecëve pas vdekjes.

Ju i keni krijuar vetes mundësinë që të pajiseni me një dorëshkrim origjinal të Dora d'Istrias. Mund të na thoni diçka mbi këtë letër: mbi burimin e gjetjes së saj e deri, mbi vendndodhjen e saj aktualisht? Ndjesitë që ju shkaktoi kur e morët letrën në dorë?

Sot pjesa kryesore e korrespondencës së Dora d’Istrias gjendet në Arkivin Historik të Komunës së Firences e në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Firence. Unë e gjeta dorëshkrimin te një antikuar e nuk e njoh rrugën me të cilën ai kishte hyrë në zotërim të kësaj letre për të cilën as ai vetë nuk kishte dijeni. Unë kisha dëshirë të kem një “kujtim” nga Dora d’Istria, dëshirë e cila u realizua kur gjeta këtë letër. Përveç kuriozitetit, kur sheh e prek një letër të shkruar nga një Princeshë shqiptare, vetë letra me vulën e princeshës e shkruar përpara 154 vjetësh, provon emocion të rrallë. Për mua kjo letër kishte një vlerë edhe më të madhe simbolike. Sikur nga frika se edhe ajo letër do të zhdukej si vila e saj, më pushtoi dëshira për ta pasur e për ta ruajtur këtë letër. Ishte si një “dhuratë” që i bëra vetes, kujtim nga Elena Gjika.

Zgjedhja, për dhurimin nga ana juaj e letrës, ndaj Bibliotekës Kombëtare Shqiptare - përveç të qenit një gjest i vlerësueshëm qytetar e shoqëror - përkoi dhe me ditët kur në Tiranë po zhvillohej Samiti i Parë i Diasporës. Di që u nderuat me një certifikatë mirënjohjeje për këtë, nga Ministrja e Kulturës. Përshtypjet tuaja?

Pasi e kisha mbajtur këtë letër, duke menduar se Dora d’Istria ia ka dhuruar të gjithë pasurinë e saj shurdhmemecëve të Firences, e pashë me vend të vazhdoj, në vogëlsinë time, veprën e saj si gjest simbolik miqësie për të mbajtur gjallë kujtimin e Dora d’Istrias. Mendova se ajo letër do të kishte më shumë vlerë në Bibliotekën Kombëtare se sa në studion time.
Unë shkova në Tiranë i ftuar në takimin “Roli i komunitetit shqiptar në Itali” i organizuar nga Ministria e Punës italiane, Ministria e Jashtme italiane dhe Ministria e Punës e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kishin çelur ekspozitën “Identiteti kombëtar dhe diaspora” në kuadër të samitit të parë të Diasporës. Më përpara unë i pata shkruar drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare Znj. Persida Asllani, në lidhje me këtë letër, e cila e pati pritur me shumë interes dëshirën time për dhurim. Me rastin e çeljes së ekspozitës pra u organizua edhe dhurimi i letrës. Ishte një shkëmbim dhuratash: unë i dhurova Bibliotekës dorëshkrimin e Dora d’Istrias e Biblioteka më dhuroi një certifikatë mirënjohje. Shpresoj që emri i Dora d’Istrias (Elena Gjika) të mos harrohet.

Dokumenti i vyer

Më duhet të pohoj se letra, e zverdhur nga koha, është shkruar në vitin 1862, në gjuhën frënge, dhe impakti i parë me kaligrafinë e saj të bukur e të rregullt, më emocionoi. Kjo si fillim, në kontaktin e parë, atë pamor.
Në momentin që i kryeja transkriptimin dhe më tej, përkthimin në shqipe, interesi im për të shtohej.
Një intelektuale e kohës, që shprehte përshtypjet e saj e bindjet politike në nivel botëror, duke u përqendruar në çështje të Evropës e Ballkanit, vend i origjinës së saj, në kontekstin që atëherë përjetohej, vë në dukje admirimin që perceptohet për figurën e saj komplete nga pikëpamja intelektuale e nga formimi i saj i përgjithshëm njëherësh në shumë fusha të dijes.

Tekstin e transkriptuar dhe të përkthyer shqip të letrës origjinale të Dora d'Istrias – letër e cila sot ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë - duke falënderuar autorin Gino LUKA për mundësinë e besimin, duke shpresuar të kem qenë në lartësinë e duhur, pasi edhe për mua këto janë punime të udhëhequra thjesht nga pasioni për letrat e gjuhët përgjithësisht, po e bashkëngjis në këtë artikull, që ndajmë me kënaqësi me të gjithë ju.


Livourne, 26 février, 1862
Villa Caprilli, fuori la porta a mare.

Monsieur le Directeur,

J’ai lu avec plaisir dans La Nazione d’hier, votre intéressante appréciation de l’écrit du D.R Papiu Flarianu. Cette appréciation est fort exacte et, en général, je vois avec plaisir que La Nazione est bien informée sur ce qui se passe dans l’Europe Orientale.
En effet, le voyage que je viens de faire en Grèce, m’a convaincue que l’Autriche agit dans ses contrées avec une activité et une persévérance qu’on ne soupçonne point en Occident.
Voyant bien que dans un moment donné, les populations des rives de l’Adriatique et des bords du Danube, Hèllenes et Albanais, Roumains et Serbes, pourraient faire une diversion puissante en faveur de l’Italie, elle prend en Orient de misures exceptionnelles et n’épargne rien pour se servir des princes contre les peoples.
Voilà pour quel motif, un de mes ouvrages, surtout Les femmes en Orient, où j’engage si fortement les Orientaux, à n’être pas dupes de la tactique, ont excité de telles colères en Autriche. Mise à l’index, par un décret de l’impereur François Joseph, signalée par ses pamphlétaires comme une ennemie de son empire, je n’en ai pas moins continué à défendre dans la presse orientale, spécialement dans Le Siècle, le plus répandu des journaux  grecs, et l’Italie et son roi patriote. Mon article intitulé : “Le roi d’Italie” a été reproduit par tous les journaux libéraux, fait qui prouve seul combien il serait facile de rapprocher des nationalités, dont les intérêts vont complétement identiques et qui ont les mêmes ennemis.

Agréez Monsieur, ma haute considération

Dora d’Istria.
(P.sse  Koltzoff-Massalsky )

P.S: Oserai -je vous prier de jeter un coup d’oeil sur la traduction de la petite note que j’envoie à M.Barbéra pour Les Fatti Diversi de la Nazione!
Il s’agit de la traduction que M.elle Kousé vient de faire de mes Femmes en Orient, travail qui vous semblera, je l’espère, très digne d’encouragement chez une jeune personne à laquelle, un sincère patriotisme à seul fait d’entreprendre cette pénible besogne.

 

Livorno, 26 shkurt, 1862
Villa Caprilli, jashtë Portës në Det.

Zoti Drejtor,

Lexova me kënaqësi në La Nazione (Kombi) të ditës së djeshme, vlerësimin tuaj interesant mbi shkrimin e  D.R  Papiu Flarianu. Ky vlerësim është shumë i saktë dhe, përgjithësisht, vërej me kënaqësi që La Nazione (Kombi) është e informuar mirë mbi çka ndodh në Evropën Lindore.
Faktikisht, udhëtimi që sapo kryeva në Greqi, më bindi se Austria sillet në rrethinat e saj me një veprimtari dhe me një këmbëngulje të tillë, mbi të cilën nuk  dyshohet  aspak në Perëndim.
Duke vërejtur që, në një moment të përcaktuar, popullsitë e brigjeve të Adriatikut dhe kufijve të Danubit, Helenë e Shqiptarë, Rumunë e Serbë, mund të përbënin një kthesë të fuqishme në favor të Italisë, ajo merr masa të jashtëzakonshme në Lindje dhe nuk kursen asgjë për t’iu kundërvënë popullsive, nëpërmjet princave.
Kjo është arsyeja për të cilën, një nga veprat e mia,veçanërisht Gratë në Lindje, ku unë porosis aq fort lindorët, që të  mos mashtrohen nga këto taktika, ka shkaktuar aq pakënaqësi në Austri. E dëbuar nëpërmjet një dekreti të perandorit François Joseph, e përcaktuar nga  përkufizime polemike të tij si një armike e perandorisë së vet, nuk kam reshtur së mbrojturi në shtypin lindor, veçanërisht në Le Siècle ( Shekulli), më e përhapura ndër gazetat greke si Italinë, edhe mbretin e saj patriot. Artikulli im i titulluar: “Mbreti i Italisë”, është riprodhuar nga të gjitha gazetat liberale, fakt ky, i cili vërteton sesa e lehtë do të kishte qenë që të afroheshin pranë njëra-tjetrës kombësitë, interesat e të cilave janë krejtësisht identike dhe që kanë armiq të përbashkët.

Pranoni, ju lutem Zotëri, konsideratën time të lartë.
Dora d’Istria.
(Princesha  Koltzoff-Massalsky )

P.S: Do të guxoja t’ju lutesha që t’i hidhnit një sy përkthimit të shënimit të vogël që unë i dërgoj zotit Barbéra për Fatti Diversi  të La Nazione (Fakte të Ndryshme,  të Kombit)!
Bëhet fjalë për përkthimin që Zonjusha Kousé sapo i ka bërë veprës  sime Gra në Lindje, punim që do t’ju duket, shpresoj, shumë i denjë për inkurajimin e një të reje, të cilën, thjesht një ndjenjë e sinqertë patriotizmi, e ka bërë që të ndërmarrë këtë çështje të mundimshme.

Transkriptimi i letrës dhe përkthimi i saj nga gjuha frënge në atë shqipe janë kryer nga Adela  Kolea

Leggi anche: Dov’è Dora d’Istria?