Itali - Shqiptari i Italisë

Në përjetësim të violinistit Rrok Jakaj
Intervistë me Florian Jakaj, Markelian Kapidani e Paçalin Pavaci
nga Albana Temali

Festivali ndërkomëtar i Jazz-it në Shkodër - një event, si pak kush, që evokon, përkujton, stimulon e promovon jo vetëm muzikën jazz. Në edizioni e këtij viti, i cili nis më 27 gusht do të ketë hapësirë edhe muzika klasike me të ftuar nderi  mjeshtra të mëdhenj të muzikës që me performancat e tyre do të kënaqin publikun por  si çdo vit e bashkë me artistët e tjerë pjesëmarrës  do të ndikojnë mbi të gjitha  në formimin, specializimin e instrumenstistëve të rinj. Pikërisht kjo është pritshmëria nga Shkodra Jazz Festival.

Për një shkrim mbi edicionin e këtij viti u bë nxitje një mesazh i violinistit Paçalin Pavaci, për të cilin ky edicion është edhe një kthim në skenat e qytetit të lindjes pas shumë e shumë vitesh e ku do të sjellë përvojën e tij artistike por edhe miq instrumentistë të huaj, të cilët për herë të parë do të ndodhen  në ambjentin muzikor, artistik, kulturor por edhe natyral të Shkodrës, të Shqipërisë.

Për mua, si gazetare, ishte motiv i plotësimit të një shkrimi të parë për këtë festival të publikuar në gazetën "Shqiptari i Italisë" ndërsa si shkodrane një detyrim ndaj Rrok Jakajt, violinistit të talentuar, që mbetet i paharruar në kujtesën e kujtdo ka pasur rastin ta njohë në skenë  si instrumentist  apo si mik a shok me tiparet e njeriut me kulturë të gjerë e vizion optimist që pak kush e ka në jetë...!..

Në shkrimin tim, të parashumëvitesh, kujtoj  për trasformimin e shoqatës "Rrok Jakaj" në Festival të Jazzit në Shkodër  që u tregua në intervistën më të vëllanë e violinistit, Florianin, i cili është edhe themeluesi i shoqatës dhe ideatori i Festivalit Jazz. Por, që atëherë kanë kaluar  shumë vite dhe figura të tjera janë përfshirë në këtë eveniment, qoftë si organizatorë apo pjesëmarrës  e për këtë një intervistë përveç Florjan Jakaj (themelues i Shoqatës e Festival Jazz në Shkodër) zgjodhëm të flisnim edhe me Paçalin Pavacin (violinist) dhe Markelian Kapidanin (pianist, kompozitor).

Nga fjalët e tyre përcillet një reflektim mbi realitetin muzikor në Shkodër, një analizë e nevojave për rritje niveli, një reflektim mbi stadin eksperencial individual. Ide ambicioze e kurajoze për të ndërhyrë e ndihmuar realitetin artistik e muzikor të Shkodrës në veçanti, nëpërmjet këtij eventi ndërkombëtar fokusuar në synimin e përfshirjes që synon në formimin nëpërmejt përformimit.

Intervista:

Nga Shoqata Rrok Jakaj te Festival Jazz. Një sukses i menjëhershëm, por me një ndërprerje. Cilat janë arsyet?

Florian Jakaj: Shkodra Jazz Festival lind nga nji ide e Rrokut ne Shkoder me disa miq ne 2003 dhe ne 2005 filloi festivali e me një nivel të lartë në të gjitha drejtimet, pamvarsisht nga vështirësitë.  Pas edicionit  të 6-të vendosëm të bënim një pushim, mënyrë kjo, menduam, që të bënte të refektonte kush e kishte për detyrë që për aktivitete të tilla, që i japin jetës artistike të qytetit dhe imazhit të tij. 
Serioziteti dhe sensibiliti i personave që vlerësuan punën që kishim bërë bënë të mundur që të rimerrnim punën në 2016, për të realizuar edicionet në vazhdim dhe pasurimin e saj me Rrok Academy e Shkodra Sounds.

SHJF është një festival ndërkombëtar ku luajnë muzikantë, që njohin skenat më të rëndësishme të jazz-it, ndërkohë që dimensioni është me i reduktuar pasi fondet, që kemi në dispozicion, janë të reduktuara.

Shkodra Sounds një ide e hershme e një realitet i sotëm që pretendon, me të drejtë, një frymëmarrje të re. Si e shikoni të ardhmen e saj e te cilat figura identifikoni partnerët tuaj?

Florian Jakaj:  Shkodra Sounds, edhe për motivet që citova më sipër, pra ato ekonomike, nuk është zgjeruar aq sa kishim dëshirë. Ndër vite janë bërë disa aktivitete në sektorë të ndryshëm si  filmi i shkurtër, arti bashkohor, kantautorë, ndërsa muzika klasike gjen një derë të hapur. “Shkodra Sounds Corner” ngelet një takim fiks ndër vite në rrugët e Shkodrës, në formën e një talk show, me të ftuar: si një jehonë e të gjitha aktiviteteve. Struktura organizative e SHJF është e ndërtuar nga persona me eksperiencë dhe eksperimentimi ndër vite na lejon që gradualisht aktivizimi i elementëve të ndryshëm të mos jetë shumë problematik, ngelet impakti me publikun që kërkon kohën e duhur për ta asimiluar. 
Sigurisht q
ë eventimentet kanë nevoje për mbështetje e një nga mbështetësit e parë të aktiviteve tona është Bashkia Shkodër, por shpresojmë që të rriten bashkëpunimet edhe me qarkun e rrethit Shkodër si dhe me ministrinë e kulturës si dhe me gjithe aktorët e kësaj fushe, gjithashtu privatët,  të cilët kanë mundësinë e mbështetjes së aktiviteteve të kësaj natyre.

Dy fjalë për Skanderbeg Chamber Orchestra dhe Rrok Accademy.

Florian Jakaj: Skanderbeg Chamber Orchestra u kriju nga Rroku në Torino, në vitin 1996, dhe filloi aktivitetin zyrtar në ‘97 e ku merrnin pjesë Sokol Prekalori, Elda Laro e të tjerë ku u bashku dhe Paçalin Pavaci. Rroku ishte kordinator i “Alto profezionamnto musicale” të Saluzzo për muzikën klasike. Ideja e Rrok Accademy është ajo për ti dhënë vazhdimësi punës së tij. Morën më shumë se 80 bursa studimi studentët shqiptar kur ai drejtonte Akademinë.

Dy fjalë për pjesëmarrësit e vjetër e risitë e këtij edicioni të Shkodra Sound  e ShJF?

Florian Jakaj: Markelian Kapidani (ky ështe viti i 5 peste që merr pjesë në ShJF) ishte i pari që bashkëpunoi në fillimin e Akademisë në Shkodër dhe filluam me Jazz-in duke e lidhur me Festivalin. Për AkademinëMarkeliani shkroi dhe Metodën mbi Jazz-in  “shënime për muzikantin” dhe për këtë vit ka përgatitur vëllimin e dytë.
Risia e këtij viti është se fillojmë pjesën klasike të akademisë dhe e hap pikërisht violinisti Paçalin Pavaci, që me Rrokun që  klasën e parë në shkollën e muzikës e deri në Akademinë në Tiranë.
Miqësia është elementi themeltar i lidhjes tonë ndërvite e ky fakt I ardhjes së tij më gëzon fort.
Shkodra Sounds këtë vit fillon dhe me muziken klasike e pikërisht me një koncert të Paçalinit, i cili i mirënjohur në skenat ndërkombëtare do  të rikthehet në qytetin e tij të lindjes me koncert e tij të parë zyrtar dhe do jetë në dispozicion, të akademisë për pjesën klasike, një kontribut për brevi e ri të muzikantëve.
Ky edicion, do ketë në skenë drejtorin artistik, saksofonistin me famë nderkombëtare, të Torino Jazz Festival Diego Borotti, një ndër 10 saksofonistët më në emër në botë Michael Rosen e këngëtaren amerikane Joyce Elaine Yuille etj..
Këtë vit lind dhe bashkëpunimi me Torino Jazz School

Markelian Kapedani, ndër pjesmarrësit më “të vjetër” të ShJF e bashkëpunuesit që në fillimet e Rrok Accademy. Festivali i Jazz në Shkodër  2018, një motiv më shumë për tu kthyer në Shkodër?

Markelian Kapidani:  Për momentin është motivi kryesor ,i cili bashkë me koncerte tjera më impenjon profesionalisht gjatë verës. Ky festival është i rëndësishëm mbasi përmes tij, Shkodra ka shanse të mira për të pasuruar indirekt muzikën qytetare, të gjallërojë jetën sociale si dhe të fitojë një emër të mirë si qytet i artit dhe i kulturës. Muzika e qytetit në fjalë është një amalgamë tingëllimesh vëndase me influenca të ndryshme (sa lindore e sa perëndimore). Kjo gjë i lë vënd muzikës Jazz, (që është një përzierje mes kulturash të ndryshme) të influencojë muzikën vëndase duke pasuruar muzikën e qytetit me tingëllimet tipike Jazz. Gjithashtu, përmes Festivalit Shkodra Jazz, qyteti përjeton një gjallërim të jetës sociale, gjë kjo tepër e rëndësishme në zhvillimin e qytetit, për të cilën qytetarët kanë nevojë. Nga ku rrjedh që përmes këtij gjallërimi të jetës sociale, të përfitojë biznesi i turizmit i cili automatikisht ndikon në mënyrë pozitive tek vlera e qytetit.

Festivali Jazz në Shkoder mund të thuhet është ndërkombëtar. Sa ka qënë e mundur përfshirja e kolegëve tuaj të huaj në këtë festival? (Ndonjë mbresë e veçantë)

Markelian Kapidani: Grupi organizers i këtij festivali, vazhdimisht ka punuar për përfshirjen e artistëve me preiardhje nga e gjithë bota. Normalisht që më në detaj të këtij aspekti, fshihen probleme të mungesës së sponsorve privatë të cilët (ndoshta për ndrojtje) e ndjejnë akoma të vështirë ti afrohen festivalit. Veçanarisht në këtë pikë dëshiroj të ndalem dhe ti bëj thirrje atyre qytetarëve të cilët kanë mundësi ta ndihmojnë festivalin për tu rritur në nivelin e duhur (e që ne kemi si pikësynim) përmes sponsorizimit. Mbas disa vitesh pauze, ky festival është ripërtërirë me mund kryesisht për hir të mbështetjes së grupit aktual që drejton Bashkinë e qytetit të Shkodrës. Grupi organizativ i  festivalit ka sjellë vazhdimisht artistë të cilët i kanë dhuruar Jazzdashësit shkodran momente emocionuese. Loja mes artistëve me prejardhje të ndryshme është motori gjallërues i këtij festivali. ... ky aspekt është Jazz!

Nëse do të guxonim të bënim një krahasim me një festival jazz  jashtë kufijve, çfarë ka më pak e çfarë mund të përmirësohet në festivalin e Shkodrës?

Markelian Kapidani:  Me të drejtë thoni“Nese do te guxonim te benim nje krahasim ...”  mbasi të krahasosh një Jazz Festival me një tjetër, për mendimin tim nuk ka shumë kuptim. ... se bëka edhe rimë! P.sh: Të krahasosh festën e një dasme të bërë nga një familje me  standard jete të ulët me një tjetër të një standardi të lartë, më duket si diçka që e çvesh qëllimin fillestar të festës e cila kështu siç duket rrezikon të

ngelet si diçka thjesht materiale duke humbur vlerën shpirtërore për të cilën bëhen festat! Me një të tillë metër vlerësimi, del qartë që Shkodra Jazz duket si diçka krejt e vogël kundrejt festivaleve më në zë të cilët mbledhin miliona Euro nga sponsor privatë. Kështu, “Shkodra Jazz i njgjet asaj martesës së families së  varfër!”Por kjo mungesë materiale për momentin nuk është pengesë për të servirur cilësinë e duhur muzikore, mbasi Festivali merr vlerë nga artistët e ftuar të cilët kontribojnë duke u bërë mbështetës të festivalit. Pikërisht Shkodra Jazz Festival është një ndër festat e qytetit të Shkodrës dhe jam i mendimit që kjo festë i ka letrat në rregull për tu zgjeruar, për të arritur dimensionet e duhura që i përkasin asaj në panoramën e festivaleve ndërkombëtare. Prandaj për të ardhmen, gjithshka varet nga predispozita e forcave sponsorizuese private dhe mbështetja shtetërore etj, që ky festival i vogël të rritet bashkë me qytetin duke u bërë një ndër emblemat e shkëlqyera të vendit.

Paçalin Pavaci, violinist i mirënjohur, ktheheni pas shumë vitesh në Shkodër e për Shkodra Jazz Festival me një përfshirje pothuaj të plotë në këtë edicion. Cili është mendimi juaj për këtë event?

Paçalin Pavaci:  Kthehem në Shkodër mbas 26 vjetësh  e për  ShJF, që mbahet më 27 gusht deri më 2 shtator, por nuk shkoj vetem! Për këtë rast sjell edhe dy miq të mi, artistë të mëdhenj, Jose Maria Gallardo Del Rey (kitarrista) e Paolo Marzocchi (pianista) që janë të ftuar nderi, bashkë me shumë artistë të tjerë nga  bota. Shkodra, si çdo qytet me tradita muzikore, ka nevojë për një jetë të gjallë artistike e gjithashtu ky event ka synim të mbajë gjallë kujtimin e shokut e vëllait tonë Rrok Jakaj.  
Rrok Accademy, Festivali Jazz jan
ë ambiente ku kryesisht artistëve të rinj e jo vetëm, ju jepet mundesia të njohin eksperiencat tona dhe ne të shkëmbejmë e trasmetojmë  tonat mes profesionistësh.

Ku nis lidhja juaj me Festivalin jazz dhe cila është esenciale e këtij edicioni?

Paçalin Pavaci: Festivali i jazz nisi si andërr e imja dhe e Rrokut e ku unë,në këtë festival,  do të kisha anën klasike. Andërra  e Rrokut , Festivali është  realitet i mrekullueshem, realizuar nga Floriani, vëllai i Rrokut e ku bashkëpunojne e marrin pjesë shume e shumë artistë, miq të përbashkët, por edhe mjeshtra të muzikës, didaktikes me famë. Esencialja, e veçanta e këtij edicioni të nëntë është hapja e seksionit klasik. Koncerti im, që shënon edhe një khim mbas vitesh ne vendlindje, është një  emocion, përgjegjesi e kënaqësi e pafund.
Ky edicion i Festivalit të Jazz do të ketë një program të ngjeshur me masterclass, workshop, koncerte jazz por dhe të muzikës klasike.  Kjo gjithëpërfshirje është sa esenciale edhe premtuese për publikun por edhe për brezin e ri të instrumentistëve .

Do të ketë edhe surpriza nga ana juaj për Shkodra jazz Festival?

Paçalin Pavaci:  Natyrisht. Kam menduar për një koncert me orkester harqesh, që e drejtoj vetë , e po ashtu surpriza për Markelianin, Jose e Paolo e masterclass per miqte e mi. Takime, diskutime e ide të reja e pse jo dhe projekte mund të lindin, siç ndodh zakonisht në këto ambjente e evente. Dëshira, impenjimi nuk mungon mjafton të besojmë te aftësitë, eksperiencat e vullneti i mirë i njerëze dhe institucioneve që besojnë te kultura, te muzika si gjuha universale për komunikim e promuovim.

Për kreun e opozitës, Basha, deklarimi i dorëheqjes nga mandati i deputetit i Saimir Tahirit është “një manovër politike, pas presionit që iu bë kryeministrit në Berlin”, për kreun e qeverisë, Rama, një “akt dinjitoz”

Tiranë, 4 maj 2018 - Pas deklaratës së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lënien e mandatit të deputetit, kanë reaguar përfaqësues të politikës.

Kryeministri Rama: Akt dinjitoz, i pari i këtij lloji në historinë e Kuvendit

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste në emisionin Opinion tha se dorëheqja e Saimir Tahirit si deputet, është një akt dinjitoz, teksa theksoi se integrimi nuk varet nga çështja Tahirit, pasi nuk është kusht.

“Ky është një akt dinjitoz, në kujtesën time i pari i këtij lloji në historinë e parlamentit shqiptar, i respektueshëm plotësisht.  Besoj që është humbje kohe të merremi me llafet e kazanit politik dhe mediatik, pasi ky është një akt që flet vetë dhe është i respektueshëm për atë që është. Unë s’kam pasur asnjë dijeni dhe s’ka asnjë arsye pse unë duhet të kisha dijeni. Saimir Tahiri prej 6 muajsh nuk është pjesëtar i grupit tonë parlament dhe nuk ka asnjë rol në Partinë Socialiste” theksoi Rama.

“Parlamenti shqiptar, fatkeqësisht nuk është një i tërë sot, është i ndarë. Parlamenti shqiptar ka një shumicë, ka dhe një pakicë. Në rast se flasim për shumicën, nuk ka pasur asnjë lloj nevoje të çlirohet nga asgjë. Shumica ka mbajtur qëndrimin e duhur për këtë rast. 100 herë të ktheheshim mbrapsht, 100 herë do kishim mbajtur të njëjtin qëndrim”, tha Rama.

LSI, Kryemadhi: Akuzat e Tahirit pa vlerë

“Akuzat e Saimir Tahirit ndaj opozitë janë të pa vlera, pasi ai është njeriu që kanabizoi Shqipërinë”, – deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat, para Kuvendit.

E pyetur për dorëheqjen e Saimir Tahirit, Kryemadhi tha se dorëheqja e tij është për t’i dhënë oksigjen qeverisë.

“Saimir Tahiri është një nga ushtarët e drogës dhe kërkon t’i japë oksigjen qeverisë, por nuk mund t’u hedhë hi syve shqiptarëve dhe opozitës. Lotët e krokodilit të Tahirit nuk janë gjë tjetër vetëm një shfaqje e shëmtuar. Ne e dimë se kanabizimi i Shqipërisë solli varfëri të shqiptarëve, shpërnguljen e tyre dhe kriminalizimin në vend”, – tha Kryemadhi.

Përsa i përket akuzave të Saimir Tahirit ndaj çiftit Meta dhe drejtuesve të opozitës, Kryemadhi tha se është një fat i madh që opozita akuzohet nga një njeri, i cili komuniteti ndërkombëtar e di se kanabizoi vendin.

“Bërja kurban vetëm për dy orë të Saimir Tahirit, tregon se drejtësia shqiptare është e kapur nga politika”, – shtoi Kryemadhi.

Ndërsa, e pyetur për zgjedhje të parakohshme, Kryemadhi tha se opozita është gati, 27 janari e tregoi se kush është opozita dhe ne do t’i vazhdojmë protestat.

PS, Balla: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri, vendim personal

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi për mediat vendimin e Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit.

Balla u shpreh se vendimi i Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit është personal dhe është një çështje që i përket atij dhe drejtësisë.

“Vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë. As e jona, dhe kurrësesi e kësaj opozite gojështhurur që në çdo mundësi që i jepet gjen argumenta për të ndërtuar baltën e radhës ndaj punës së rëndësishme që ka imazhi i Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave”, – tha Balla.

PD, Basha: Dorëzimi i mandatit të Tahirit, manovër politike

“Dorëzimi i mandatit të Tahirit ka ardhur pas presionit që iu bë Kryeministrit në Berlin”, – deklaroi Kryetarit i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.

Basha shprehet se “dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është vazhdim i paktit Rama-Tahiri. Është fakt se dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Kryeministrit në Berlin, ku iu tha se është e patolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë”.

Sipas Bashës, Tahiri shkoi në Kuvend për të mbrojtur mandatin e deputetit. “Më 19 prill Saimir Tahiri mori pjesë në seancë plenare pas 6 muajve mungesë për të shpëtuar mandatin e deputetit. Çfarë ndryshoi këto dy javë? Asgjë, përveç vizitës së Kryeministrit në Berlin dhe premtimit se do ta zgjidhte problemin e imunitetit të Tahirit”.

Po ashtu, sipas Bashës dorëzimi i mandatit nga Tahiri është manovër politike dhe për faksin se prokuroria është nën kontroll të politikës. “Dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është manovër politike pasi Kryeministri ka futur nën kontroll të plotë Prokurorinë”, – shprehet Basha.

PD, Spaho: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri pasi u prishën provat

Për dorëzimin e mandatit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se dorëzimi ndodhi kur janë prishur provat.

“Po sigurisht që ju sot mund ta jepni e ta falni mandatin sepse jeni të pastër si qelibar dhe nuk keni frikë të shkonin tek drejtësia, por pasi prishët provat. 4-5 muaj prishët të gjitha provat e hetimit, sigurisht, pasi e liruat Orest Sotën, i humbi të gjitha gjurmët, pasi ikën ata tre oficerët e policisë në emigracion dhe pasi e çuat Nazer Seitin në Itali që të mos ketë mundësi të deponojë. Dhe tani bëni një farsë tjetër që na jepni imunitetin e Saimir Tahirit me deklarata”, – pohoi Spaho. (Sipas ATSh)

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, aktualisht nën hetim për trafik droge dha dorëheqjen si anëtar i parlamentit të enjten duke pretenduar se pëlqen të përballet me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.
Nga Gjergj Erebara, BIRN

Gjashtë muaj pasi Partia Socialiste përdori shumicën e vet parlamentare për të bllokuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tij si i dyshuar për trafik droge, ministri më jetëgjatë i punëve të brendshme në Shqipëri Saimir Tahiri deklaroi të enjten se do të japë dorëheqjen si deputet, duke humbur privilegjin e imunitetit nga arrestimi.

“Deri kur të zbarthet e vërteta e plotë, unë nuk do të jem deputet por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milionë shqiptarët e tjerë,” tha ai në një konferencë për shtyp në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Tahiri, 39 vjeç, u zgjodh deputet nga lista e Partisë Socialiste në vitin 2009 dhe u bë Ministër i Brendshëm nën qeverinë e parë Rama më 2013. Si ministër ai u bë i njohur për spektaklet në marrëdhënie publike dhe për punësimin e kameramanëve të vetë si dhe për parada policore të koreografuara. Suksesi i tij në shtypjen e Lazaratit më 2014, të njohur si kryeqyteti i kanabisit për Europën, i dha atij lavde ndërsa disa analistë filluan ta shohin si një pasardhës të mundshëm të Ramës në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste. Gjithsesi më 2015 ai u përball me akuza publike si person i përzjerë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Dritan Zagani, një ish-oficer policie, pretendoi se Tahiri kishte urdhëruar arrestimin e tij për shkak të hetimeve që ai kishte bërë mbi disa kushtërinj të largët dhe mbështetës të Tahirit të njohur si banda e Habilajve. Zagani, i cili u arratis nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër, deklaroi se Tahiri i kishte dhënë trafikantëve makinën e tij private në mënyrë që ata të mos kontrolloheshin nga policia. Një hetim nga prokuroria në atë kohë i gjeti pretendimet e Zaganit të pavërteta.

Tahiri u hoq si Ministër i Brendshëm më 2017 dhe u rizgjodh si deputet pak muaj më vonë. Gjithsesi, në tetor 2017, policia italiane arrestoi një nga vëllezërit Habilaj ndërsa përgjimet e tyre nxorrën në pah marrëdhënien mes Tahirit dhe bandës kriminale. Pas publikimit të përgjimeve italiane, prokurorët shqiptarë kërkuan nga parlamenti leje për arrestimin e tij. Shumica Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë dhe të motivuar politikisht. Gjithsesi, Rama u përball me presion në rritje gjatë muajve që pasuan për qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje.

Javën e kaluar Rama vizitoi Gjermaninë duke shpresuar se do të merrte mbështetje për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së. Anëtarë të Bundestagut e pyetën atë mbi kërkesën e prokurorëve për arrestimin e Tahirit, gjë që u interpretua në Shqipëri si një pengesë e mundshme për integrimin e Shqipërisë në BE.

Duke pretenduar se është viktimë e rrethanave, Tahiri thotë se ka një shpjegim për përdorimin e makinës së tij nga anëtarët e Habilajve dhe se ai po luftohet në mënyrë agresive nga opozita për shkak të suksesit të tij në luftën kundër drogës dhe korrupsionit.

“Si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë tek mua, do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhor këtë popull e sot shesin dëngla,” tha Tahiri. (Reporter.al)

Ishte duke lozur me fëmijë të tjerë kur është ndier keq dhe brenda një ore ka vdekur. Prokurori nis hetimet

Romë, 9 prill 2018 – Një festë mes miqsh është shdërruar në tragjedi të vërtetë për një familje italo-shqiptare pasditen e djeshme në Messina. Një vogëlushe 5-vjeçare po luante me bashkëmoshatarët e saj kur papritur është ndier keq dhe i janë shfaqur disa njolla në lëkurë. Vajza e vogël është çuar me urgjencë në spital por mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot. Ka vdekur për arsye akoma jo të qarta, mbi të cilat prokuroria e Messinës ka nisur hetimet dhe ka vendosur të bëhet autopsia.

Nga mediat lokale që përcjellin lajmin mësohet se vogëlushja, me nënë italiane e baba shqiptar, ishte bashkë me ta në një festë në një lokal në Saponara, lokalitet i Messinës dhe aty ka pasur simptomat e para. Prej aty është çuar menjëherë në Poliklinikën e Messinës ku mjekët e urgjencës pediatrike e kanë intubuar menjëherë. Për rreth një orë janë përpjekur të mbajnë vajzën në jetë por pa rezultat: vogëlushja ka pasur disa arreste kardiake e ka ndërruar jetë.

Pas ngjarjes policia ka nisur menjëherë të hetojë. Dyshohet që shkak për vdekjen të ketë qenë një shok anafilaktik, por saktësinë e këtij supozimi mund ta sqarojë vetëm autopsia e autorizuar nga prokuroria.

 

Roma e Milano janë aeroportet nga ku vijnë e shkojnë numri më i madh i udhëtarëve të Rinasit. Analiza e revistës Monitor për vitin e shkuar

Romë, 11 mars 2018 – Trafiku i pasagjerëve në Aeroportin e Rinasit ka ardhur në rritje vit pas viti, për të arritur në një rekord prej 2,6 milionë pasagjerësh në vitin 2017 (+20% në lidhje me një vit më parë) sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Këtë e shumë të dhëna të tjera interesante mbi kompanitë që udhëtojnë nga e drejt Rinasit, destinacionet më të lidhura me aeroportin e vetëm shqiptar dhe numrin e udhëtarëve sipas çdo destinacioni jep shkrimi “Gara për ajrin, kush e fitoi në 2017-tën” i të përjavshmes ekonomike shqiptare, revista Monitor.

Sipas këtij shkrimi është Italia ajo që prej vitesh vazhdon të mbajë vendin e parë qoftë për numër lidhjesh e qoftë për numër pasagjerësh. E prej falimentimit të shqiptares Belle Air, është italiane edhe kompania më e pranishme në Rinas.
Ja çfarë shkruan Monitor:

Në vitin 2002, rreth 50% të tregut të fluturimeve dhe të numrit të pasagjerëve, e zinte kompania Belle Air, që kishte fluturime të shumta direkte drejt qyteteve italiane. Por, pas falimentimit të saj në fund të vitit 2013, tregu u rikonfigurua dhe operatorë të rinj kanë hyrë, duke ndarë, së bashku me kompaninë Alitalia, tregun e Italisë.

Në fund të vitit 2017, sipas të dhënave nga TIA-s, Blue Panorama, operatori italian që zëvendësoi Belle Air, kishte 29% të tregut total të fluturimeve, nga 30% vitin e mëparshëm.

Pas saj renditet Alitalia, me 11% të tregut. Kjo kompani ka humbur vazhdimisht terren dy vitet e fundit (zinte 31% të tregut në vitin 2015), pasi ka shkurtuar destinacionet e drejtpërdrejta me disa qytete të Italisë. Krahas kompanive Blue Panorama dhe Alitalia në 2017-tën forcuan pozitat në tregun e Italisë edhe Albaëings me 8% të totalit (nga 2% vitin e mëparshëm) dhe Ernest Airlines dhe Mistral Air me përkatësisht 6% dhe 3%.

Trafiku i pasagjerëve sipas aeroporteve italianeDestinacionet drejt Italisë zinin 57% të tregut total të fluturimeve në 2017-n, e pandryshuar në krahasim me vitet e mëparshme.

Destinacioni kryesor nga dhe drejt Rinasit për vitin 2017 ishte Roma, me 323 mijë pasagjerë, me rritje prej 7,6% me bazë vjetore. Duhet kujtuar që Roma shërben jo vetëm si destinacion i drejtpërdrejtë, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
Destinacioni i dytë ishte Milano, me 267 mijë pasagjerë, me rritje 27% në krahasim me një vit më parë. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1,5 milionë në vitin 2017 (rritje 18,4%), ose 62% e totalit.

Stambolli ishte në vend të tretë, me 235 mijë pasagjerë (16% rritje). Edhe Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt SHBA-së, por edhe vendeve aziatike. Vjena mbetet pika kryesore e kalimit drejt gjithë Europës e jashtë saj. Në vitin 2017, nga dhe drejt aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 174 mijë pasagjerë, me një rritje prej 9,6% në krahasim me 2016-tën.

Më pas u renditën qytetet e Italisë, si Piza, Bergamo, Bolonja, Verona, ku (aty e në zonat përreth) jetojnë e punojnë dhjetëra mijëra emigrantë.

Nga e drejt Athinës udhëtuan rreth 84 mijë pasagjerë (numri është i ulët edhe për faktin që qytetet e Greqisë janë përgjithësisht të arritshme përmes kufirit tokësor).

Artikulli i plotë i revistës Monitor: Gara për ajrin, kush e fitoi në 2017-n

 

 

 

“Ti grua, për 8 Marsin, a e ke një interpretim tëndin?”
Nga Adela Kolea

Fjalëve të kryeministrit Rama: “Rekomandimin e meritojmë, shpresojmë që vendet anëtarë do të përgjigjen pozitivisht. Detyrat e shtëpisë i kemi kryer deri në këtë pikë”, Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për vizitë zyrtare në Tiranë, i përgjigjet: “Konstatoj që Shqipëria ka bërë shumë reforma mbresëlënëse, progresi është mbresëlënës, nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave, por nuk kam ardhur në Tiranë për të bërë premtime boshe"

Tiranë, 25 shkurt 2018 – “E besojmë dhe e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër nga KE dhe shpresojmë që edhe vendet anëtare do të përgjigjen pozitivisht dhe në unitet”, deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili mbërriti në vizitë zyrtare pasditen e së dielës në Tiranë, i shoqëruar edhe nga komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, të cilët kanë mbërritur pasditen e të dielës në në Tiranë.

Kjo vizitë, tha Rama, është përmbushja e një zotimi të vjetër, por të mbajtur në çastin më të mirë të mundshëm. Vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit që përbën një bazë inkurajuese për të gjitha vendet e rajonit tonë.

“Ne u takuam në dhjetor në Bruksel dhe sot pata mundësinë dhe privilegjin ta informoj nga afër Presidentin për zhvillimet e reja, ecurinë e reformave dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar të jetë nga njëra anë në një proces intensiv përafrimi me BE përmes punës së përditshme në vendin tonë dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e fqinjësisë së mirë për gjithë rajonin”, shtoi kryeministri.

”Shqipëria është e vendosur të vijojë, nga njëra anë, në një proces intensiv përafrimi me BE-në përmes punës së përditshme, dhe, nga ana tjetër, të jetë aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në të gjithë rajonin” vazhdoi më tej Rama.

Duke kujtuar se KE ka rekomanduar që në nëntor 2016 çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë, Rama nënvizoi domosdoshëmrinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vettingut.

“Në momentin e daljes së atij rekomandimi ne ende nuk kishim kaluar ligj për vetting-un gjë që tashmë ka ndodhur dhe nuk kishim nisur punën konkrete për vetting-un, gjë që po ndodh”, sqaroi kreu i qeverisë.

Rama tha se e informoi Juncker, se “sot që flasim ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve të larta të gjyqësorit që janë tërhequr nga procesi i vetting-ut, që faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor një treg i qartë që vetting-u ka filluar të funksionojë si shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivave të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur”.

Nga ana tjetër, vijoi kryeministri, e informova po ashtu presidentin Juncker se “presim në javët në vazhdim çeljen e çështjeve konkrete dhe rezultate konkrete nga ana e vetë komisoneve të vetting-ut”.

Gjithashtu, kryeministri Rama informoi se kanë nisur operacioni kombëtar kundër krimit të organizuar “Forca e ligjit”, reforma që lehtëson barrën e burokracisë mbi qytetarët  me efekt të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit dhe një transformim  rrënjësor në marrëdhëniet e drejtësisë me qytetarët në radhë të parë përmes ndryshimit të prokurorit të përgjithshëm dhe çeljes së një sërë dosjesh që prej kohësh flinin në prokurori.

“Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur sepse vetëdija jonë është se reformat e integrimit nuk janë të domosdoshme se na i kërkon Brukseli, nuk janë të detyrueshme se na i kërkon Brukseli, por janë të domosdoshme dhe të detyrueshme se i kërkon Shqipëria dhe është borxhi që i kemi gjeneratës tjetër. Ky është një proces unikal i pazëvendësueshëm për shtetbërjen dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vendin  tonë. Për ne integrimi në BE nuk është një udhëtim për të shkuar gjetkë, por është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë europiane këtu në vendin tonë”, u shpreh kryeministri Rama.

Juncker: Shqipëria vazhdon progresin në reforma

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian.

“Bisedimet kanë nisur më parë. Kur erdha në vizitën e parë në Tiranë, kryeministri ishte kryebashkiak dhe dëgjova rezervat që shprehën të tjerët për të. Shqipëria dhe Ballkani janë vende miq, që janë perspektivë evropiane, pasi Shqipëria është një vend evropian, jemi ndarë nga historia, por nuk duhet humbur kaq shumë kohë për t’u ndarë. Bëhet fjalë për ta rishikuar historinë përmes pajtimit. Konstatoj që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres, ka bërë shumë reforma mbresëlënëse, progresi është mbresëlënës. Nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur për të bërë premtime boshe, por vetëm mund të inkurajoj Shqipërinë që të vijojë reformat, sidomos në luftën kundër krimit, vetting-un, organizimin e gjykatave. Do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Mbështesim Shqipërinë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmoj, se vendi i Shqipërisë është në gjirin e BE” deklaroi ai.

Duke u ndalur procesi i Vetting-ut, presidenti i KE u shpreh: “Konstatoj se procesi po vazhdon duke dhënë rezultate mbresëlënëse. Ajo që do të donim dhe ne jemi të siguruar nga ato çfarë na tha Kryeministri, që ky proces do të vazhdojë edhe përtej muajit prill, kur komisioni do të botojë materialin për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE. Mendoj se i takon drejtësisë shqiptare që të bëjë drejtësinë e saj, nuk më takon mua të them se kush është fajtor e kush jo”, theksoi Juncker.

Marrëveshja e re me Greqinë dhe qëndrimi i Presidentit Meta

I pyetur nga gazetarët lidhur me negociatat me Greqinë dhe qëndrimin e Presidentit Meta, Rama tha se “Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar”.

”Sqarimet janë dhënë dhe janë në tryezën e Presidentit”, shtoi kryeministri ndërsa ftoi se “duhet ta shikojmë këtë proces me seriozitetin që meriton”.

“Kam besim se Presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi kohën e nevojshme për të zgjidhur problemet e mbartura me Greqinë, të nënshkrimit të një marrëveshjeje të re që për ne do të jetë  i bazuar fund e krye te vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese. Nëse më pyesni a do të zgjidhet me sukses ky proces? Unë them po, do të zgjidhet. Do të jetë një tjetër arsye e fortë që BE të vlerësojë Shqipërinë si shtet serioz.

Juncker: Problemet me fqinjët të zgjidhen sa më shpejt

I pyetur nga gazetarët për çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, presidenti Juncker theksoi se për t’u integruar në BE, ajo nuk duhet të ketë probleme me fqinjët.

“Jam i mendimit se problemet duhet të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi një dritare mundësish të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por përpara”, tha ai.

”Dua të inkurajoj Shqipërinë dhe Greqinë që të bien dakord, dhe ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave kur të vijë momenti.

BE nuk i përket vetë anëtarëve që janë pjesë e saj. Dhe kur Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha progreset që presim prej saj dhe që pret ajo nga vetvetja, anëtarësimi do të jetë diçka e kryer”.

Juncker: Nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i zi , do të jenë detyrimisht anëtare të BE në vitin 2025

Pyetjes se përse Shqipëria nuk ishte përfshirë në listën e përmendur nga ky komision për hapjen e negociatave në vitin 2025, Jancker theksoi se anëtarësimi i drejtohet të gjitha vendeve, pra mund të jetë ajo datë më shpejt ose më vonë, kushdo vend do t’i ketë plotësuar kriteret e anëtarësimit.

“Në të kundërt se çfarë thuhet kudo, ne vetë nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i zi , do të jenë detyrimisht  anëtare të BE në vitin 2025. Anëtarësimi i drejtohet të gjitha vendeve, pra mund të jetë ajo datë më shpejt ose më vonë, kushdo  vend do t’i ketë plotësuar kriteret e anëtarësimit. Ne do të veprojmë në mënyrë të tillë që përpjekjet e çdo vendi të njihen nga bashkimi. Nuk është momenti të thuhet dhe të shkruhet se Shqipëria do të trajtohet në mënyrë të keqe dhe  pafavorshme, ne duam t’i mbështesim përpjekjet e Shqipërisë”, theksoi Juncker.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn do të qëndrojnë në Shqipëri deri mesditën e së hënës për të zhvilluar me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar.
Juncker dhe Hahn do të vendosin theksin gjatë vizitës në Shqipëri te zbatimi i reformës në drejtësi në prag të rekomandimit të hapjes së negociatave, që pritet të mbërrijë në qershor.

 

Sipas komisionerit Johannes Hahn, “Komisioni Europian do të rekomandojë nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë, duke zgjeruar ndikimin e bllokut në Ballkanin Perëndimor”

Tiranë, 22 shkurt 2018 – Gjatë javëve në vijim Komisioni Europian do t’u rekomandojë vendeve anëtare të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Meqedoninë, shkruan ”Die Welt”. Këtë zhvillim e ka deklaruar për të përditshmen gjermane komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn.

"Komisioni Europian shpejt do t’u rekomandojë vendeve anëtare, me shumë gjasa brenda verës, të hapin negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë”, deklaron Johannes Hahn.

"Popujt e dy vendeve e meritojnë një perspektivë konkrete evropiane” thotë Hahn duke shtuar se Komisioni beson se “dy vendet kanë kryer reforma të rëndësishme në të kaluarën dhe janë gati për këtë hap”.

Në veçanti për Shqipërinë, kandidate prej 2014-tës, komisioneri thotë se ajo “ka bërë shumë në luftën kundër krimit të organizuar”.

Shqipëria dhe Maqedonia, kjo e fundit kandidate prej vitit 2005, do t’u bashkohen kështu Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat filluan bisedimet e pranimit në vitin 2012 dhe 2014 dhe mund të integrohen plotësisht në BE që nga viti 2025.

Mesazheve të shumta të përgëzimeve e urimeve drejtuar Ermal Metës pas triumfit me Fabrizio Moron në edicionin e 68-të të Festivalit të Sanremos , u bashkohet edhe përshëndetja e ambasadores së Shqipërisë në Romë, zonja Anila Bitri.  Artistit i dërgon një mesazh me të cilin e përgëzon jo vetëm si artist por edhe për “angazhimin në temat e çështjet e kohës që jetojmë”. Suksesi i Ermalit, kujton ambasadorja Bitri “është shprehje e modelit më të mirë të fitores së vlerës së një kulture të re të përbashkët që ngrihet mbi frikën dhe paragjykimet, në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit”.
Në vijim teksti i plotë i mesazhit të ambasadores:

I dashur Ermal,

Urime dhe përgëzime për Çmimin e Parë të Festivalit të Sanremos 2018!

Në këtë shfaqje të bukur disaditore të muzikës, artit dhe kulturës italiane ju dëshmuat përsëri, talentin, pasionin dhe angazhimin tuaj, tashmë të rritur e të pjekur, jo vetëm si artist, por edhe si person i angazhuar në temat dhe çështjet e kohës që jetojmë!

Zërat, fjala dhe kënga e duetit Ermal Meta & Fabrizio Moro transmetojnë refrenin, ritmin, forcën dhe angazhimin që thërret për të mposhtur frikën dhe për të mbrojtur vlerat, të bukurën dhe jetën.

Suksesi i “Non mi avete fatto niente” është shprehje e modelit më të mirë të fitores së vlerës së një kulture të re të përbashkët që ngrihet mbi frikën dhe paragjykimet, në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit”.

Edhe një herë, urime dhe faleminderit për emocionet!
Anila Bitri

Leggi anche:
Ermal Meta e Fabrizio Moro, i vincitori di Sanremo 2018
Ermal Meta e Fabrizio Moro restano in gara

Ermal Meta, Fabrizio Moro e la loro canzone contro il terrorismo