“Shqipëria, 1207 km lindje”, ekspozitë e artistëve shqiptarë në Marsejë - Shqiptari i Italisë

Evropë
Quhet “Shqipëria, 1207 km lindje” (sa ç’janë kilomentrat që e ndajnë kryeqytetin shqiptar nga Marseja e Francës) ekspozita që përurohet në 23 shtator 2016 në muzeun MuCEM, që do të qëndrojë e hapur deri më 2 janar 2017.

Përmes veprave të artistëve të rinj shqiptarë, të përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare për Sallonin e Tiranës në vitin 2015-të, veprave të artistëve shqiptarë të pranishëm në koleksionet franceze, shembujve të realizmit socialist të marra nga Galeria Kombëtare e Tiranës, copëzave historike shqiptare të tërhequra nga koleksionet e ruajtura në Mucem të ripara nga Edit Pulaj, artiste bashkëkohore shqiptare, dhe veprave të tjera nga koleksione private, kjo ekspozitë kërkon të japë lidhjet mes artit, pushtetit, imazhit, historisë, propagandës në një vend mesdhetar dhe europian ende nën ndikimin e të shkuarës së tij të afërt, lidhjet mes folklorit dhe identitetit, fuqinë e artistëve për të ndryshuar qytetin dhe jetën.

Artistët pjesëmarrës në ekspozitë janë Endri Dani, Yllka Gjollesha, Ilir Kaso, Adrian Paci, Edit Pulaj, Leonard Qylafi, Anri Sala, Ermela Teli, Driant Zeneli, Fani Zguro, Enkelejd Zonja, Alban Hajdinaj, Zef Shoshi.

Për këtë ekspozitë është realizuar një katalog në frëngjisht dhe në anglisht. Në të përfshihen, veç një prezantimi të artistëve dhe kuratorëve, edhe kontribute nga Ismail Kadare, Angjelin Preljocaj, Francis Coraboeuf, William Monsaingeon, Anri Sala, Valentina Koca dhe Adrian Paci.

Ekspozita është pjesë e një agjende të ngjeshur veprimtarish që parashikon deklarata e mirëkuptimit e nënshkruar së fundi për periudhën nga shtatori 2016 deri në pranverën e 2017-tës mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës.

 

 

 

 

 

Advertisement