Bossi junior me diplomë shqiptare - Shqiptari i Italisë

Itali
Zbulohet diploma e studimeve të larta të Renzo Bossit. E marrë në universitetin Kristal në Tiranë me nota të shkëlqyera

Legës shqiptarët ndoshta nuk i pëlqejnë, por diplomat për Bossin junior, të ashtuquajtur Troftë, po. Renzo Bossi, djali i Umberto Bossit, themeluesit të Legës, rezulton i diplomuar në Shqipëri, në universitetin privat Kristal të Tiranës. Lajmi është i 3 majit, diploma është sekuestruar nga prokurorët e Napolit dhe Milanos.

Hetuesit dyshojnë se diploma, e cila mban datën tetor 2010, të jetë blerë me paratë e Legës. Notat e djalit të Bossit rezultojnë të shkëlqyera. Kjo dëshmohet edhe nga skanimi i diplomës, dhe i fletës së notave të publikuar nga mediat italiane.

Renzo Bossi, rezulton se është diplomuar për Menaxhim Biznesi, brenda një viti në nivelin e parë. Në fotot e botuara në media tregohet se ai është i regjistruar me numër amze 482 dhe notat e tij janë 8 e lart.

Karriera shkollore e djalit të Umberto Bossit ka qenë vitet e fundit në qendër të vëmendjes së medieve për faktin e thjeshtë që Renzo e ka marrë diplomën e shkollës së mesme në korrik të vitit 2009, në moshën 21 vjeçare, pasi e ka dhënë tre herë provimin e shtetit. Ndaj, diploma universitare me vulë të universitetit Kristal, me firmë të dekanit Skënder Kërçuku dhe atë të rektorit Maringlen Spiro, e marrë një vit më pas, në 2010-tën, për më tepër në shqip, ngre shumë dyshime mbi vërtetësinë e saj.

Shqiptari i Italise

Lexo edhe: