Lega: “Jemi në luftë, të ndalojmë imigracionin dhe të kontrollojmë myslimanët” - Shqiptari i Italisë

Itali
Kryetari i grupit të deputetëve të Legës së Veriut pas masakrës së Brukselit. “Duhen ligjet speciale e as që më çahet koka nëse janë imigrantë që kanë ardhur dje apo janë të brezit të dytë apo të tretë”

Romë, 23 mars 2016 – “Rritet zemërimi. Shoh ç’po ndodh në Bruksel. Imagjinoj dramën e familjeve ndërsa të njëjtat fytyra mendjendriturish si Boldrini e Renzi që do të thonë, ashtu siç bënë pas masakrës së Parisit, që feja myslimane nuk hyn, që është fjala për atentatorë evropianë (nuk kanë asgjë evropiane veç një pasaporte evropiane), që do të bëjnë ndonjë marshim paqeje…”.

E shkruan në Facebook Massimiliano Fedriga, kryetar i deputetëve të Legës, duke komentuar sulmet terroriste në Bruksel. “Në të vërtetë – shton – këta politikanë italianë dhe evropianë bënë të mundur që territoret tona të pushtohen nga fondamentalistë islamikë duke vënë në rrezik jetë personash të pafajshëm. Këta persona kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi atë që po ndodh!”.

“Mjaft me broçkulla! Është në lojë jeta e bashkëqytetarëve tanë të pafajshëm. Tani – shkon më tej legisti – nevojiten ligje speciale, kontrolle të imtësishme në komunitetet islamike, bllokim i plotë i hyrjeve të imigrantëve, rreptësi dhe vendosmëri. E as që dua t’ia di nëse janë imigrantë të ardhur dje apo janë të brezit të dytë apo të tretë. Të përzëmë gjithë individët potencialisht të rrezikshëm! Mjaft me qarjen e të vdekurve dhe të reagojmë e të vetëmbrohemi. Ne jemi në luftë".