18-vjeçarja shqiptare denoncon prindërit për keqtrajtim e rrahje - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Dëshiron të bëhet modele kundër dëshirës së prindërve që për këtë arsye e rrahin

Romë, 3 nëntor 2011 – Keqtrajtim e rrahje. Sipas agjencisë së lajmeve AGI, është akuza për të cilën janë paditur dy shqiptarë, burrë e grua, rezidentë në provincën e Brescias, për ngjarje të nëntorit të vitit të shkuar.

E bija, 18 vjeç, nxënëse në shkollë të mesme, ka dashur të realizojë një album fotografish për një agjenci milaneze modelesh, pasi kjo është ëndrra e saj. Por në familje, duket se kishin të tjera projekte për të ardhmen e vajzës së tyre. Ndaj edhe për t’i ndryshuar mendjen e kanë keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht, madje e kanë rrahur edhe me degë peme. “Vdeksh ishallah, na more në qafë!” sipas vajzës, janë mallkimet që i janë përsëritur shpesh në gjirin e familjes. 

Kjo histori doli në dritë përmes shkollës që kontaktoi asistentët socialë dhe karabinierët. Prokuroria ka vendosur largimin e vajzës nga familja, ndërsa për prindërit gjykata e Brescias do të vendosë më 26 janar 2012. Akuzohen për keqtrajtim e rrahje në familje.