Alessandria. Bie avioni i vogël, vdes një grua e re, plagoset piloti - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Granit Beqiri që drejtonte avionin ishte ekspert dhe kishte patentë fluturimi që në vitin 2007

Romë, 10 mars 2014 – Një avion i vogël ka rënë pasditen e të dielës në afërsi të fushës së aviacionit të Alessandrias. Në përplasjen me tokën ka humbur jetën një grua e re që ishte pasagjere, emri i të cilës nuk është bërë i ditur.

Piloti i avionit, Granit Beqiri, 33 vjeç, është çuar në spital i plagosur. Ka fraktura të shumta në të dyja këmbët, është në gjendje të rëndë por nuk rrezikon jetën. Beqiri jeton prej 10 vjetësh në Casale Monferrato ku punon si kuzhinier.

Avioni Kitfox, është ngritur nga aeroporti Palli i Casales dhe ndërsa i afrohej fushës së aviacionit Bovone ka prekur degët e pemëve të një rruge pranë pistës dhe është përplasur në tokë pranë disa shtëpive. “Pashë në qiell avionin të rrotullohej rreth vetes he menjëherë e më pas të binte duke shkaktuar zhurmë të madhe” – tregon një dëshmitare e ngjarjes që ka dhënë edhe alarmin.

Në vendngjarje kanë mbërritur veç Ndihmës së shpejtë dhe forcave të rendit, edhe të afërm të Beqirit dhe pjesëtarë të aeroklubit Palli ku ai ishte i anëtarësuar. “Beqiri është pilot shumë i zoti e me përvojë – thotë për mediat Giancarlo Panelli, president i klubit – Ka bërë 500 orë fluturim dhe ka lejen e pilotimit nga viti 2007”.

Vetëm analizimi i avionit të shkatërruar, për mbledhjen e pjesëve të të cilit punuan disa orë zjarrfikësit, mund të japë ndonjë detaj të vlefshëm për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.