Aosta. Milo, kuzhinieri shqiptar, heroi i ditës - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Shqiptari 42vjeçar i shpëton jetën fëmijës së sulmuar nga qentë ndërsa po u jepte për të ngrënë, kur njëri prej tyre e ka sulmuar.

Romë, 7 mars 2014 – Papritur, Milo, kuzhinieri 42 vjeç i picerisë “Sottosopra” në Plan Felinaz të Aostas është kthyer në heroin e ditës. Me ndërhyrjen e tij të menjëhershme ka shpëtuar një vogëlush 5 vjeç nga sulmi i dy qenve rotweiler që mbahen në një oborr të mbyllur prapa picerisë dhe janë të pronarit të lokalit Luciano Conte, xhaxha i 5-vjeçarit.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13.30. Vogëlushi i bashkë me Milon kishin dalë nga piceria e po u jepnin për të ngrënë dy qenve kur njëri prej tyre e ka sulmuar. I ka shpëtuar jetën shqiptari që ka ndërhyrë menjëherë. Vogëlushi ka thyer femurin, ka shembje dhe hematomë në gjoks, kafshime në gjithë këmbën e majtë. Do të shërohet për dy muaj. Edhe kuzhinieri është kafshuar, veçanërisht në dorën me të cilën është përpjekur të largojë qentë nga 5vjeçari.

“Fatmirësisht Milo ka reaguar menjëherë e i ka shpëtuar jetën tim nipi. – tregon për mediat lokale Luciano Conte – Nuk di ç’i gjeti qentë. Rrinë me ne prej kohësh dhe njohin mirë djalin dhe Milon”. Karabinierët e veterinerët që kanë qenë në vendngjarje kanë verifikuar që qentë nuk janë të tërbuar, janë të mbajtur në kushte të mira e nuk i kanë sekuestruar.