Arezzo: 30 vjeçari me motor gjen vdekjen nën rrotat e një ambulance - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Aksidenti rrugor ka ndodhur në Ceciliano. Viktima është Armand Pulaj

Romë 12 qershor 2011 – Një aksident rrugor i ka marrë jetën të premten pak minute para mesnatës 30-vjeçarit Armand Pulaj, resident në Largo 2 Giugno të Arezzos.  Ka ndodhur në zonën Case Nuove të Cecilianos (Arezzo). Shqiptari, për arsye ende të paqarta, duke shkuar në drejtim të qendrës së Arezzos, duket se ka humbur kontrollin e motorit të tij Suzuki me të cilin udhëtonte, ka prekur një Renault Clio e ka përfunduar në brezin e kundërt të rrugës nën rrotat e një ambulance të “Misericordia di Subbiano”. As infermierët që ndodheshin në ambulancë, as mjekët e Ndihmës së Shpejtë të mbërritur në vendngjarje, nuk mundën të bëjnë asgjë për 30 vjeçarin veçse të konstatonin vdekjen e tij.

Nga dëshmitë e banorëve të zonës, rruga ku ka ndodhur aksidenti në fjalë është shumë e rrezikshme: në mars një tjetër aksident i mori jetën një bengalezi, ndërsa pak orë pas aksidentit ku gjeti vdekjen Pulaj, pak a shumë në të njëjtin vend u përplasën dy makina të tjera, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Edhe pse ka një semafor, banorët thonë se është gjithnjë i gjelbër, dhe makinat shkojnë me shpejtësi të lartë duke shkaktuar shpesh aksidente e duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të këmbësorëve që duan të kapërcejnë rrugën.