Arezzo. Humb jetën në aksident rrugor 39 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Të shtunën, në një aksident të rëndë rrugor as një kilometër nga shtëpia, lëndohet rëndë Enkeleda Mara. Dje ndërroi jetë në spital

Romë 23 maj 2011 – 39 vjeçarja Enkeleda Mara ka ndërruar jetë në spitalin Le Scotte të Sienës ku e kishin çuar një ditë më parë pas një aksidenti rrugor. Të shtunën, në Castiglion Fiorentino, vetëm disa qindra metra nga shtëpia, ndërsa kthehej nga puna, makina e saj, Fiat Punto, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me murin mbrojtës të një ure. Personeli i ndihmës së shpejtë e ardhur menjëherë, duke parë gjendjen e rëndë të gruas, ka thirrur helikopterin që e ka çuar në spitalin Le Scotte të Sienës, ku e kanë shtruar në repartin e rianimacionit. Por plagët e brendshme të marrë në aksident ishin aq të rënda sa ndërhyrjet e mjekëve nuk dhanë asnjë rezultat.

Enkeleda Mara ishte 39 vjeç dhe jetonte prej dhjetë vjetësh në Castiglion Fiorentino me të shoqin, edhe ai shqiptar dhe dy fëmijë të vegjël. Ajo punonte për kooperativën "Work 2000" duke asistuar persona të pamundur apo invalidë të strukturës “Podere Modello”.

Tashmë familjarët presin të marrin nga morgu i spitalit trupin e Enkeledës për ta çuar në Shqipëri ku do të bëhet edhe varrimi i saj.