Arezzo. Drogë me vlerë 2 milionë euro, arrestohen dy shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Sekuestrohen 7 kg kokainë e pastër

Romë, 2 dhjetor 2016 – 7 kg kokainë e pastër me vlerë tregu prej rreth 2 milionë eurosh është sekuestruar dhe dy furnizues të drogës janë arrestuar nga polizia e Arezzos. Në burg kanë përfunduar dy shqiptarë, emrat e të cilëve akoma nuk bëhen të ditur, njëri 25 e tjetri 42 vjeç, të dy me qëndrim të rregullt në Itali e rezidencë në Arezzo. Sipas hetuesve që janë marrë me këtë rast, është fjala për dy furnitorët më të mëdhenj të kokainës në zonë.

Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, policia arriti në gjurmët e tyre falë sinjalizimeve të disa qytetarëve që kishin dalluar disa lëvizje të dyshimta pranë varrezave në komunën e Cortonës në provincën e Arezzos.

Gjatë hetimeve policia pikasi dy makina që ndalonin pranë një shtëpie të madhe fshati të braktisur e të rrënuar pranë varrezave. Në një pamje të parë, shtëpia dukej sikur nuk përdorej prej kohësh, por në një qosh, agjentët gjetën një kuti plastike bosh ku mund të fshihej diçka. Pardje, më 30 nëntor, panë dy persona që zbritën secili nga makina e vet, me një çantë shpine. Pasi qëndruan ca brenda ndërtesës, dolën, mori secili makinën e tij dhe u larguan. Policët menjëherë shkuan të kontrollonin dhe gjetën 7 pako me kokainë të pastër. Po të shitej, droga do t’u kish sjellë fitime për rreth dy milionë euro.

Dy personat u ndoqën e u arrestuan në Arezzo. Ata janë futur në burg në pritje të konvalidimit të masës së arrestit, droga është sekuestruar.