Arrestohen shqiptarë për trafik droge në të dyja anët e Adriatikut - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Në Vlorë e në Bari janë arrestuar sot dy shqiptarë që përpiqeshin të fusnin në Itali sasi të konsiderueshme marijuane

Romë 2 nëntor 2011 – Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi sot në mesditë një sasi prej 60 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sattiva, dhe arrestoi drejtuesin dhe njëkohësisht pronarin e kamionit ku ishte fshehur droga, si dhe shoqëroi bashkëshorten e tij.
sipas burimeve të policis, "lënda narkotike që kishte si destinacion Italinë u kap në port dhe ishte fshehur në një kamion, që po imbarkohej në një nga tragetet e linjës detare Vlorë-Brindisi. Kamioni drejtohej nga 30 vjeçari nga Vlora Altin Deromema, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës".     

Drejtuesi i kamionit Altin Deromema, që shoqërohej nga bashkëshortja e tij, ishte përpjekur t’u shmangej uniformave blu, por efektivat e antidrogës dhe të policisë kufitare të portit pas një kontrolli të kujdesshëm, kanë zbuluar lëndën narkotike në pjesën e sipërme të kamionit.

Po sot, në Bari, Guardia di Finanza në bashkëpunim me Agjencinë e Doganave, ka arrestuar një 33 vjeçar shqiptar me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të veturës Mercedes me të cilën ai po zbarkonte nga një traget i linjës Durrës-Bari, financierët i gjetën 13,7 kg marijuanë të ndarë në 21 blloqe.