Asnjë gjurmë e 15-vjeçareve të zhdukura më 21 maj - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Esmeralda Dosti, bijë emigrantësh shqiptarë, bashkë me një shoqen e saj, të dyja 15 vjeçare nuk janë kthyer në shtëpi nga 21 maji. Edhe Chi lha visto në kërkim të adoleshenteve

Me kalimin e ditëve po shtohet shqetësimi i familjeve për dy vajzat 15 vjeçare janë zhdukur nga Viadana,  Mantova më 21 maj. Tatiana Goi dhe Esmeralda Dosti, vajza e një familjeje shqiptare rezidente në Casalmaggiore të Cremonas, tanimë janë futur në listën e personave në kërkim edhe nga emisioni i njohur televiziv Chi l’ha visto.

Fillimisht prindërit e Esmeraldës nuk dëshironin që identiteti i vajzës të jepej nga gazetat, duke pasur parasysh moshën e mitur të vajzës së tyre. Por pasi heshtja e vajzave po zgjat, ata pranuan që të dhënat të bëheshin publike, për të ndihmuar edhe hetuesit me ndonjë sinjalizim të mundshëm.

Esmeralda, me  sa rrëfejnë prindërit dhe të njohurit është një vajzë e qetë, jo nga ato që mund të largohen, madje edhe në shtëpi nuk ia kishte ënda të rrinte vetëm. Prandaj është e habitshme kjo ikje, që duket se është bërë me paramendim. Mëngjesin e 21 majit të dyja vajzat nuk janë paraqitur në Institutin Teknik San Felice të Viadana. Ato i kanë dhënë skedat SIM të celularëve disa shoqeve, të cilat i kanë dorëzuar në drejtorinë e shkollës. Një gjest ky që forcon hipotezën se vajzat nuk duan të lënë gjurmë, gjë e vështirë po të kesh një celular me vete. Një tjetër element që forcon këtë hipotezë është edhe ai i fshirjes së profilit të Esmeraldës nga Facebook gjatë natës së të shtunës. Policia informatike po shqyrton nëse profili është fshirë nga vetë Esmeralda apo nga dikush tjetër që ka pasur fjalëkalimet.

E ndërsa ditët kalojnë shtohet ankthi i familjeve, vazhdon hetimi duke ndjekur të gjitha pistat, kryesisht atë të ikjes më paramendim. Një ikje që në shikim të parë duket e studiuar deri në detaje.

Kushdo që ka ndonjë informacion për vajzat apo edhe vetëm për njërën prej tyre mund të kontaktojë programin Chi l’ha visto.