Autopsia e vogëlushes Prendi, rezultatet pas dy muajve - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Nga të dhënat e para të mjekëve ligjore akoma nuk mund të jepet një shpjegim për shkaqet e vdekjes të dyvjeçares.
Të martën, mjekë të spitalit ku ndodhi fatkeqësia kanë shkuar për ngushëllimë te prindërit

Romë, 20 shkurt 2014 – Familja Prendi në Pordenone akoma nuk di arsyet që shkaktuan vdekjen e fëmijës së tyre në spitalin e qytetit pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që u ishte prezantuar nga mjekët si diçka e zakonshme e pa ndonjë rrezik.

Referti paraprak i autopsisë së bërë dje nuk jep asnjë orientim mbi shkaqet e vdekjes. Për të pasur ndonjë element më shumë, sipas mjekëve ligjorë, duhet pritur 60 ditë, periudhë e nevojshme për analizat toksikologjike dhe istologjike.

Të martën, shefi i pediatrisë së spitalit, një kryeinfermiere dhe një psikologe i kanë bërë vizitë prindërve të vogëlushes. Një takim që ka zgjatur rreth gjysmë ore, gjatë të cilit përfaqësuesit e spitalit u kanë shprehur Endritit e Elvanës ngushëllimet për humbjen e vajzës.

Ndërkaq çështja shkon përpara në prokurori. Avokati i familjes Prendi, Silvio Albanese, ka paraqitur kërkesë për të siguruar imazhet e telekamerave të repartit të rianimacionit të cilat mund të zbardhin atë çka ndodhi në orët që vogëlushja ka qenë e shtruar.

Lexo edhe: Pordenone. Ndërron jetë në spital vogëlushja e sapo-operuar në gojë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)