Bari. Arrestohet i kërkuari Binaj. Me identitet të rremë hiqej si agjent sekret - Shqiptari i Italisë

Kronikë
25-vjeçari Julian Binaj i dënuar me 4 vjet burg për trafikim droge është kapur. Nuk ka arritur “t’u mbushë mendjen” forcave të rendit se është agjent i shërbimeve sekrete shqiptare

Romë, 31 mars 2014 – Financierët e kanë ndaluar në Cassano Murge të Barit. 25-vjeçari u ka treguar një pasaportë me emrin Julain Pallaj, për më tepër u ka thënë edhe që është një agjent i shërbimeve sekrete shqiptare.

Asgjë e vërtetë. Hetuesit janë të bindur që është Julian Binaj, 25 vjeç. Kërkohej nga organet e drejtësisë sepse gjykata e Firences e ka dënuar me vendim përfundimtar me 4 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge. Pasi ishte larguar nga San Giovanni Valdarno të Arezzos ku kish pasur rezidencën, kish humbur gjurmët. Vetëm muajt e fundit, forcat speciale të Guardia di Finanza kishin të dhëna se Binaj gjendej në provincën e Barit. Dhe e kanë gjetur pikërisht në sheshin Garibaldi, në qendër të Cassano Murge-s të provincës së Barit.

Ky nuk është rasti i parë, mes shqiptarëve, që një i kërkuar hiqet si agjent sekret. Para dy vjetëve, në Milano, një 42-vjeçar, të cilit policia i gjen drogë në shtëpi, mundohet t’ia hedhë duke thënë se është agjent i shërbimeve sekrete.