Bari. Në ballkon për të parë fishekzjarrët, e godet një plumb - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Është përfundimisht jashtë rrezikut për jetën, 40-vjeçarja shqiptare që natën e Krishtlindjeve u godit nga një plumb teksa shihte në ballkon të saj fishekzjarrët

Romë, 28 dhjetor 2011 – Kishte dalë në ballkon për të parë fishekzjarrët natën e Krishtlindjeve, por një plumb qorr (siç ndodh jo rrallëherë, ka nga ata që bashkë me fishekzjarrët, qëllojnë edhe me armë!) e ka goditur në bark duke e plagosur rëndë. Më në fund, mjekët deklarojnë se tashmë ajo nuk rrezikon më jetën. Pas një operacioni delikat, gruaja ka arritur t'i shpëtojë vdekjes. Fatmirësisht, plumbi nuk i ka prekur organet dhe mjekët kanë arritur t'i ndalojnë në kohë hemorragjinë e brendshme.

Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor në darkë vonë, për ironi të fatit, në rrugën Skënderbeu të Barit, ku shqiptarja 40 vjeçare ndodhej bashkë me të bijën shtatzënë. Teksa ishte në ballkon për të parë spektaklin e fishekzjarrëve, papritur ka ndier një të djegur të fortë në bark, ka nisur të humbasë shumë gjak dhe ka rënë në tokë. Është dërguar menjëherë në Poliklinikën e Barit, ku mjekët e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit dhe i kanë ndaluar hemorragjinë, duke i shpëtuar kështu jetën.

Policia, që po kryen hetimet për llogari të prokurorisë së Barit, ende nuk kanë gjetur kush ka qëlluar. Tani po analizojnë të gjitha filmimet e videokamerave të zonës që mund të hedhin dritë mbi fajtorin. Policia shpreson të gjejë të paktën targën e makinës nga e cila është shtënë me pistoletë, për të kryer më pas kontrollet e verifikimet e nevojshme. Hipoteza e parë e hetuesve pas një analize balistike flet për një plumb që fillimisht është përplasur me një mur e më pas ka goditur gruan.