Bari. Sekuestrohen 217 kg drogë, arrestohen dy persona - Shqiptari i Italisë

Kronikë

E hedhur në treg, një sasi e tillë do të kish sjellë fitime për një milion e gjysmë euro

Romë, 8 dhjetor 2011 – Forcat e Guardia di Finanza të Barit në bashkëpunim me policinë lokale dhe zyrën e doganave kanë zbuluar dje plot 217 kg marijuanë të fshehur në një kamion me targa  shqiptare që sapo zbriti nga një traget që vinte nga Greqia.

Sasia e madhe e marijuanës ishte fshehur në ndarje me dërrasë të krijuar në brendësi të kamionit, pas një sasie objektesh në rezinë, që përbënte “mburojën” e mallit me vlerë. Por falë një radiografie të kujdesshme bërë makinës me aparatura tip skaner të lëvizshëm, u zbulua sasia e madhe e marijuanës, që sipas financierëve po të hidhej në treg, do të jepte fitime për një milion e gjysmë euro.

U arrestuan menjëherë dy shoferët e kamionit, që të dy shqiptarë 22-vjeçarë, që u mbylllën në burgun e Barit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.