Bergamo: mbyten në lumë nënë e bir - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Romë, 29 qershor 2011 - Një grua e re kosovare, Merheme Zeneli dhe djali i saj 12 vjeçar Ermal, u mbytën në lumin Oglio në provincën e Bergamos, të rrëmbyer nga rrjedha e këtij lumi që jo rrallë ka shkaktuar viktima. Ngjarja ndodhi pasditen e të martës, kur dy familje kosovare patën shkuar në breg të Oglio-s për të kaluar disa orë në fresk. Ende nuk dihet arsyeja, por fëmijët e çifteve u gjendjen në ujë, të rrëmbyer nga rrjedha. 32-vjeçarja Merheme Zeneli u mundua të shpëtojë të birin, pasi dy fëmijët e tjerë i nxori në breg kunati i saj. Duke mos ditur not ajo nuk arriti të mbijetojë dhe pas pak kohe zjarrfikësit nxorën nga lumi trupat e pajetë të nënës dhe djalit.

Familja Zeneli,  prindërit dhe tre fëmijët, ishte bashkuar vetëm prej tre muajsh në Itali, pasi kryefamiljari, Bexheti, kishte jetuar për disa vjet vetëm në Bergamo ku punon si murator. Por me gjithë kohën e shkurtër, banorët e zonës thonë se kjo grua e re kosovare, e cila u ishte kushtuar fëmijëve, ua kishte fituar menjëherë zemrat.