Burg të përjetshëm për vrasësin e dy shqiptarëve në Olbia - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Një vit më parë ish banditi Nino Cherchi, 71 vjeç, vrau dy të rinj shqiptarë vetëm sepse kishin vonuar t’i paguanin qiranë

Romë, 19 prill 2011 –Sentenca e dhënë dje nga gjykata e Tempios për Nino Cherchin është më e rënda që parashikon kodi penal italian: burgim i përjetshëm. Sepse shumë i rëndë ishte edhe krimi i kryer prej tij plot një vit më parë. Më 8 prill 2010, ish banditi sard, sot 71 vjeç, vrau me gjakftohtësi Gazmend Pecën, 30 vjeç, dhe Kasem Memajn, 32, të dy punëtorë në Olbia dhe plagosi Ariana Zelon, 31 vjeç, e shoqja e Pecës dhe nënë e një foshnje  5 muajsh që ndodhej në vendngjarje por fatmirësisht nuk pësoi asgjë.

Prokurori kishte kërkuar për të moshuarin 30 vjet burg, ndërsa avokati Muzzetto i gruas që i mbijetoi masakrës dhe i familjarëve të tjerë të viktimave kishte pranuar kërkesën e parashtruar nga prokurori.

Por vendimi i gjykatës, duke mbajtur parasysh të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura, shkoi edhe më tej. Me të vetmin lëshim: Nino Cherchi i mbyllur në burgun San Sebastiano të Sassarit, nuk do të vuajë tre vjetët në regjim izolimi gjatë ditës.

Gjykatësi penal vendosi edhe që Ariana Zelos (e goditur në gjoks dhe në dorë nga Cherchi), vrasësi t’i japë një paradhënie të  dëmshpërblimit që do të vendoset në gjyqin civil, prej 15mijë eurosh. E njëjta shifër edhe për të shoqen e Memajt, nënë e tre fëmijëve dhe nga 1.500 euro të gjithë familjarëve të tjerë të viktimave. Më pas do të jetë gjykatësi civil ai që do të vendosë për shumën e përgjithshme të dëmshpërblimit.

Ariana Zelo, ka dëshmuar në gjyq që “Nino Cherchi erdhi në shtëpi dhe filloi të shtinte si i çmendur vetëm për disa ditë vonese të qirasë së fundit”.