Chiari. Në fillim e grabisin pastaj e qëllojnë me armë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Viktima një shqiptar. Arrestohen dy italianë

Romë, 3 nëntor 2011 – Një 22-vjeçar breshan dhe një 21-vjeçar kalabrez janë arrestuar nga karabinierët e Chiarit për tentativën e vrasjes së një 27-vjeçari shqiptar. Natën mes të premtes e të shtunës së javës së shkuar, i riu shqiptar kishte marrë dy plumba pushke në këmbën dhe kofshën e majtë.

Atë natë 27-vjeçari kishte pranuar ofertën e dy të panjohurve për ta bërë një copë rrugë në makinën e tyre. Por të panjohurit e kishin çuar në një zonë të izoluar dhe aty i kishin zhvatur ç'kishte me vete. Shqiptari arriti të telefonojë karabinierët në numrin 112, dhe ka qenë në kontakt me ta edhe kur dy personat e kanë qëlluar me armë.

Në bazë të identikitit që shqiptari u ka ofruar më pas karabinierëve, është bërë e mundur kapja e agresorëve të tij brenda pak ditësh.