Djali rrezikon jetën. Merr një vizë të falsifikuar e vjen të kurohet në Itali - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Rasti i pazakontë i një shqiptari 24 vjeç që sot ka dalë në gjyq në Imperia për shkak se ka siguruar qëndrimin në Itali me dokumente të rreme. Por kishte si qëllim të vetin kurimin e sëmundjes së rëndë që i ka prekur veshkat dhe  mëlçinë

Romë, 10 nëntor 2011 – Një djalë 24 vjeç, G. F. ka dalë sot në gjyq pasi ka ardhur në Itali me anë të një vize të falsifikuar. E sipas sanremonews.it, nuk është fjala për një rast të zakonshëm imigracioni, pasi djali kishte përgatitur të gjitha me vetëdije të plotë sepse dëshironte të shkonte në një spital të mirë ku të mund të kurohej.

Pasi padija kundër tij kish nisur rrugëtimin e sajdoli në dritë që djali vuan nga një patologji e rëndë që i ka prekur veshkat dhe mëlçinë. Sëmundja e detyron t’i nënshtrohet dializës dhe transplantimit të veshkës, gjëra që në spitalin nënë Tereza të Tiranës ishin thuajse të pamundura: ka pak vende për dializën ndërsa për transplantimin listat e pritjes janë tëpapërcaktuara.

Avokati i 24-vjeçarit ka treguar se me të mbërritur në itali , në fillim të vitin 2009, G.F. ka shkuar menjëherë kuesturë për të kërkuar lejen e qëndrimit me shpresën që viza e tij e falsifikuar të mos kuptohej. Por pavarësisht dokumenteve të qëndrimit, shqetësimi i tij parësor ishte shëndeti dhe avokati ka falënderuar ASL1 të Imperias që morën përsipër ta kurojnë pa mbajtur parasysh që ai nuk kishte dokumente qëndrimi. Madje ata lëshuan edhe një certifikatë me të cilën deklarojnë domosdoshmërinë e kurave që po i bëjnë për t’i shpëtuar jetën. Falë kësaj certifikate, duhet thënë, edhe kuestura e kuptoi situatën e rëndë dhe i ka lëshuar djalit një leje qëndrimi të përkohshme për kura mjekësore.

Avokati Mario Leone i shqiptarit ka sjellë sot në sallë edhe një letër të mjekes shqiptare që certifikonte mangësitë strukturore në Tiranë për kurimin e djalit.

Në seancën e ardhshme, në fund të majit, 24-vjeçari do t’u nënshtrohet analizave në sallën e gjyqit, gjë që pritej të bëhej sot por ai nuk mori pjesë për shkak se duhet të bënte një cikël dialize.

Avokati Leone ka paralajmëruar se do të kërkojë aplikimin e të ashtuquajturës gjendej nevojshmërie, të ish nenit 54 të kodit Penal, që thotë se kush kryen një vepër penale për të shpëtuar veten e tij apo të tjerët nga rreziku i një dëmtimi të rëndë, nuk mund të konsiderohet fajtor, me kusht që fakti të jetë në përpjestim me rrezikun.