Droga e Lazaratit në “Porta a Porta” - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Sipas emisionit të gazetarit Bruno Vespa, të ardhurat vjetore të drogës së prodhuar në Lazarat arrijnë në rreth 4 miliardë euro në vit, që do të thotë gjysma e PBB të vendit. Ministri i Brendshëm  Saimir Tahiri: “Lazarati nuk duhet luftuar por duhet shpëtuar. Një operacion policor nuk do të mjaftonte, sepse duhet menduar më parë  për gjetjen e mjeteve për zhvillimin ekonomik e shoqëror të zonës”

Emisioni Porta a Porta i datës 7 prill i RAI 1 ka trajtuar edhe problemin e lumit të drogës që nga Lazarati vërshon drejt Evropës, kryesisht përmes Italisë. I dërguari i Bruno Vespës në Shqipëri takon e flet mbi këtë problem edhe me kryeministrin e vendit, ministrin e Brendshëm, kryetarin e komunës Lazarat, dhe me persona që "mbajnë familjet" me kultivimin e trafikimin e drogës.

Lidhur me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe kthimin e kanalit të Otrantos në qendër të vëmendjes, jo më për klandestinët por për lëndët narkotike, kryeministri Rama pohon për Porta a Porta “Ju e dini se ka shumë punë për të bërë për Mesdheun në nivel europian. Ju në Itali keni probleme të hapura sepse ju vijnë edhe klandestinë nga të gjitha anët. Por siguria e deteve është e lidhur me një fakt shumë të thjeshtë, duhet të shkojmë përtej atyre gjërave që jemi mësuar të bëjmë. Sepse ndërsa Evropa në përgjithësi ecën me hap të ngadaltë, problemet rriten shumë më shpejt”. Lidhur me problemin e trafikimit, Rama kërkon nga Italia “koordinim forcash dhe bashkëpunim më i afërt i policive dhe strukturave të rendit publik, por dhe të atyre social. Kjo do të thotë efikasitet më i lartë në luftën kundër krimit të organizuar, në të dyja anët e Adriatikut”.

Lidhur me legalizimin e drogës, Rama pohon: “Legalizimi i marihuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marihuanës mbetet akoma një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në Bashkimin Evropian”. Nga ana tjetër siguron se tani për tani qeveria e tij është “e përqendruar tërësisht në një luftë pa asnjë tolerancë dhe kompromis kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafiku”. Ndërsa duke folur për bashkëpunimin evropian dhe mes Italisë e Shqipërisë në luftën kundër trafikut është shprehur

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron në mikrofonin e gazetarit të "Porta a Porta" se: “Lazarati nuk duhet luftuar por duhet shpëtuar. Një operacion policor nuk mjafton, sepse duhet menduar për të nesërmen”. Sipas tij, “e rëndësishme është gjetja e mjeteve për zhvillimin ekonomik e shoqëror”. Me pak fjalë, duket se qeveria e pranon që Lazarati “mbahet” me kultivimin e lëndëve narkotike, dhe heqja e kësaj mundësie “ekonomike” kërkon gjetjen e një rruge të re zhvillimi. Pak a shumë të njëjtën gjë pranon edhe kryetari i komunës Lazarat: “E di që në fshatin tim ka shumë marihuanë por nuk e di ku shkon. Bashkëfshatarët e mi janë të detyruar të kultivojnë drogën për të rritur fëmijët. Po përpiqemi të gjejmë mundësi të reja ekonomike”. Po a nuk ka ardhur koha që të mendohet për "gjetjen e mjeteve për zhvillimin ekonomik e shoqëror" (mundësisht të ligjshme) edhe të kësaj zone të Shqipërisë? E logjika të thotë se janë pikërisht këta persona që e teorizojnë këtë gjë, ata që duhet ta bëjnë. Deri tani nuk është thënë në ç'drejtim po punohet, por gjithnjë është pranuar se "nuk mjafton operacioni policor" dhe vazhdohet të bllokohen sasi të jashtëzakonshme në të dyja anët e Adriatikut.

Personat e tjerë të takuar nga gazetari e thonë hapur se merren me kultivimin e me trafikimin e drogës. Një 70-vjeçar mbjell kanabis prej dhjetë vjetësh dhe i japin 10 euro në ditë. Një skafist thotë se në vend të klandestinëve tani sjell në brigjet italiane (me gomone bën një apo dy udhëtime në muaj) drogë dhe se i paguajnë 200 euro për çdo kg.

Porta a Porta rendit edhe disa shifra të policisë që të fusin frikën: në Lazarat ka 350 mijë rrënjë kanabis në 320 ha tokë, 90% e familjeve të fshatit merret me kultivimin e marihuanës, çdo familje prodhon rreth një ton drogë në vit, çdo kg shitet për 300 euro. Shifra më marramendëse? Ajo e të ardhurave vjetore të drogës së prodhuar e trafikuar: arrijnë në rreth 4 miliardë euro në vit, që do të thotë gjysma e PBB të vendit.

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ja filmimet dhe intervistat e realizuara nga “Porta a Porta” në Shqipëri:

Intervista e kryeministrit Rama (në fund të programit, nga 1:46:40):