Droga vjen prej Shqipërie... - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Rasti i sotëm i zbulimit të një trafikanti droge shqiptar, nuk është veçse i fundit i një serie të gjatë zbulimesh, sekuestrimesh droge dhe arrestimesh e dënimesh shqiptarësh që vërehet në Itali. Ja disa nga rastet e dy vjetëve të fundit

Romë, 5 prill 2011 – Në orët e para të mëngjesit trupat e Policisë Financiare të Lecces, në bashkëpunim me repartet ajrore dhe detare arritën në bllokojnë një motoskaf me rreth 300 kg marijuhanë. Ajo ishte e futur në çanta të izoluara për të mos u dëmtuar nga uji. Në zonën me emrin “Le Due Sorelle”, në Torre dell’Orso, u kap edhe një shtetas shqiptar që ishte në timonin e mjetit lundrues dhe më kot u përpoq t’i shpëtonte arrestimit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar në provincën e Lecces forcat e Policisë Financiare kanë kapur 2,7 tonë marijuhanë.

2 prill 2011
Policia Financiare e Barit, në bashkëpunim me atë të Brescias zbuloi dhe shkatërroi një rrjet trafikimi droge. Baza e organizatës kriminale ishte në Bari dhe kishte degëzime në të gjithë veriun e vendit. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithsej 640 kg marijuhanë, që sipas hetuesve ishte e sjellë nga Shqipëria. Ndër shtatë personat e arrestuar, pesë ishin shqiptarë. Hetimet, të kryera paralelisht në veri dhe në jug te vendit, arritën të zbulojnë një strukturë të organizuar më së miri, të drejtuar nga shtetasi shqiptar 30 vjeçar me iniciale M.E.. Drejtoria Antimafje e Barit e ka konsideruar organizatën tepër të rrezikshme. Operacioni ishte vazhdim i një tjetri të ngjashëm të kryer pak ditë më parë në disa zona veriore, gjatë të cilit u sekuestruan 64 kilogram marijuhanë dhe u arrestuan pesë persona,  katër prej të cilëve ishin shqiptarë.

23 mars 2011
Policia Financiare dhe policia e Barit, te koordinuar nga Drejtoria Antimafje, kreu  një operacion të zgjeruar antidrogë. Janë arrestuar 19 persona, 9 prej të cilëve shtetas shqiptarë. Në kërkim dhe gjashtë shqiptarë të tjerë. Gjithsej u sekuestruan 1.150 kilogram drogë, kokainë dhe marijuhanë që nëse do të ishin hedhur në treg do të kishin sjellë mbi gjashtë milion e gjysmë euro. U sekuestruan edhe automjete dhe pasuri të patundshme në afërsi të Barit. Në operacion u përfshinë mbi 200 forca të policisë financiare, të ndihmuara dhe nga repartet me qenë. Forcat e rendit bënë të ditur se furnizimet me lënde narkotike vinin nga Spanja, Hollanda dhe Shqipëria. Nga hetimet ka dalë se droga mbërrinte kryesisht nga Durrësi ose Saranda me motoskafë të fuqishëm dhe se në krye të organizatës ishte Cosimo Zonno, një prej eksponentëve të kriminalitetit barez.

15 janar 2011
13 çanta me 283 pako te ambalazhuara, gjithsej 300 kg marijuhanë u zbuluan nga policia detare në afërsi të zonës Palese, në Bari. Mes shkurreve dhe mbeturinave të plazhit u gjet kjo sasi e konsiderueshme droge që vlen rreth dy milion euro. U gjet dhe një mjet i dyshimte lundrues, pa asnjë element identifikimi. Përveç çelësave e tre kaçavida në mjetin lundrues u gjet dhe një shishe uji e markes Spring” e prodhuar në Shqipëri.
Forcat e rendit bënë të ditur se ka mundësi që ngarkesa, sipas tyre e ardhur nga Shqipëria, të jetë braktisur përkohësisht nga trafikantët, me shpresë që në një moment tjetër të mund të ktheheshin për ta marrë. Hipoteza e tyre është që kjo mund te jete një praktikë e konsoliduar dhe se këtë herë gabimisht skafistët kanë mbërritur fare pranë poligonit të policisë, prandaj kanë pasur frikë të vazhdojnë veprimet e tyre.

13 nëntor 2010
Policia e Firences zbuloi një pikë të rëndësishme shpërndarjeje droge që mendohet se sillej nga Shqipëria. Në një apartament të qytetit, ku fqinjët kishin sinjalizuar hyrje dalje të dyshimta, u kapen 33 kg e gjysmë droge e llojit heroinë dhe u arrestua një 23 vjeçar shqiptar. Ne treg lënda narkotike e kapur arrin një vlere prej 3,8 milionë eurosh. Një shume prej 14 e 500 eurosh u gjet prapa një abazhuri në apartamentin e shqiptarit të arrestuar. Policia bën të ditur se droga ishte e fshehur gjithandej nëpër shtëpi, deri nëpër filxhanët e kuzhinës dhe në sirtarët e ndërresave e në banjë. Janë gjetur dhe aparatura profesionale për përzierjen dhe paketimin e drogës si dhe një pistolete e municione. Shtetasi shqiptar u kap pas një ndjekjeje jo të lehtë dhe u mbyll në burgun e qytetit.

28 shtator 2010
Policia Financiare e qytetit të Perugias shkatërroi një rrjet te zgjeruar trafiku droge që përfshinte përveçse zona të ndryshme të Italisë, edhe Belgjikën e Shqipërinë. Gjithsej u arrestuan 41 persona, 22 prej të cilëve shqiptarë.
Pas gati dy vjetësh hetime u arrit në sekuestrimin e 27 kg kokaine të pastër dhe 48 kg marijuhanë, lëndë këto që në treg kanë një vlerë prej 20 milion e 600 mijë eurosh. Gjatë fazave të ndryshme të operacionit janë sekuestruar edhe 11 mijë euro dhe 600 automjete, të përdoruara nga trafikantët për transportin e drogës. Vendimtare kanë qenë përgjimet telefonike të cilat kanë zbuluar edhe degëzimet e rrjetit që vepronin jashtë Italisë.  Sipas hetuesve organizata kishte një strukturë shumë të qëndrueshme dhe ishte e pajisur me mjetet e nevojshme për shpërndarjen (makina të modifikuara posaçërisht, telefona satelitorë, depozita të veçanta për drogën). Me sa dihet shumica e përfitimeve nga ky trafik investoheshin jashtë vendit.

27 korrik 2010
Policia Financiare e Lecces, në bashkëpunim me repartet e aviacionit arrestuan  një 30 vjeçar shqiptar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Personi është kapur me një çantë plot me marijuhanë në afërsi të 19 thasëve të tjerë po me marijuhanë. Gjithsej 572 kilogram të cilësisë së lartë, që në treg do të sillte një fitim prej gati një milion eurosh. Sipas deklaratave të bëra nga forcat e rendit të Lecces, mënyra e konfeksionimit të drogës dhe vendi ku është gjetur ajo bën të mendosh se është sjellë nga Shqipëria. Operacioni është kryer në Cesine, rreth 10 km në jug-lindje të Lecces. Kontrollet kanë vazhduar në zonën përreth në kërkim të gomones që kishte sjellë drogën në bregdetin pugliez, gomone mbase e drejtuar nga një ose disa persona.

2 janar 2010
Dhjetë çanta të mëdha që pluskonin në brigjet pranë Castro Marina, në zonën e Lecces, u zbuluan nga helikopterët e komandës provinciale të Policisë Financiare. Me gjithë kushtet e këqija të detit, ushtarakët arritën të nxjerrin nga deti çantat që brenda kishin mbi 400 kg marijuhanë. Bëhet e ditur se ajo ishte në gjendje të mirë, gjë që dëshmonte se ndodhej në det prej pak kohësh. Një tjetër sasi prej rreth 90 kg marijuhanë u zbulua edhe në Tricase, po në bregdetin pranë Lecces; mendohet që të ketë qenë pjesë e së njëjtës ngarkesë sepse ishte e ambalazhuar në të njëjtën mënyrë. Edhe këtë herë hetuesit deklarojnë se hipoteza më e qëndrueshme është që droga të jetë sjellë nga Shqipëria.

Irida Cami