Drogë nga Holanda e Shqipëria, shpartallohet banda e trafikantëve - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Operacion i Guardia di Finanza. Arrestohen 36 vetë, shumica shqiptarë dhe bllokohen prona e llogari bankare me vlerë prej rreth 2 milionë eurosh. Nga nisja e hetimeve në vitin 2010, janë sekuestruar 2 tonë drogë

Romë 2 tetor 2014 - Me një operacion të gjerë të Guardia di Finanza, të nisur mëngjesin e 1 tetorit kundër trafikut ndërkombëtar të drogës është shpartalluar një bandë e drejtuar dhe e përbërë kryesisht nga shqiptarë. Janë lëshuar dhe zbatuar 36 urdhër-arreste, jo vetëm në Itali por edhe në Holandë, janë sekuestruar 9 prona të patundshme, kuotat e pronësisë së dy sipërmarrjeve të ndërtimit, 9 makina, 13 llogari bankare të të pandehurve për një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh.

Nga nisja e hetimeve në 2010-tën e deri më sot janë sekuestruar edhe 2 tonë drogë e llojeve të ndryshme.

Hetimet kanë nisur në vitin 2010: në Toskanë me një operacion të quajtur "Vacanze romane"; ndërsa në Lombardi pas ndalimit të një korrieri italian droge në autostradë me 12 kg kokainë dhe mori emrin "Malësori 2011".

Sipas financierëve, banda kishte bazat e saj në Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali dhe drejtohej nga vëllezërit Edmond e Gerti Marku, dhe Ditmir Vucaj. Në vitin 2011 ishin arrestuar edhe drejtuesit e trafikut, Leonard Smakaj 35 vjeç e Teofil Daniel Popa 39 vjeç, sipërmarrës ndërtimi. Në shtëpi të Popës mbërrinte marihuana apo kokaina e fshehur në makina të modifikuara pikërisht për këtë qëllim. 

Droga - kryesisht marihuanë nga Shqipëria dhe kokainë nga Holanda - sillej në Itali në makina të vogla e kamiona të mëdhenj, për të përfunduar në Toskanë, Emilia Romagna, Lazio dhe Liguria.

Ndër shqiptarët e arrestuar apo nën hetim në kuadrin e këtij operacioni janë: Edmond Marku, Gerti Marku, Ditmir Vucaj, Aleks Mejdani, Leonard Smakaj, Teofil Daniel Popa, Arben Demaj, Shyqyri Demaj, Bledar Matija, Vullnet Rexha, Artur Braha, Sokol Ndoci, Martin Lulaj, Alfred Dekaj, Emilion Veka dhe Gentian Isufaj.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)