Durrës. Vidhet kasaforta e tragetit Bari-Durrës me 53 mijë euro - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Me të mbërritur në portin shqiptar të shtunën në mëngjes, kryearkëtari i tragetit ka denoncuar zhdukjen e kasafortës

Tiranë, 19 gusht 2014 – Nga trageti i linjës Bari-Durrës që ka mbërritur të shtunën në mëngjes (16 gusht) në port është vjedhur kasaforta me rreth 53 mijë euro brenda. Lajmin e bën të ditur policia shqiptare sipas së cilës “më datë 16.08.2014, shtetasi italian R.B., vjeç 51, banues në Itali, me detyrë kryearkëtarit i tragetit te linjës Bari-Durrës, ka bërë kallëzim se rreth orës 09:00, në zyrën e tij në traget, ka konstatuar mungesën e kasafortës” ku kishte nje sasi euro”.

Sipas kryearkëtarit, kasaforta me përmasa 50x30x30 cm përmbante shumat e siguruara nga shitja e biletave si dhe të tjera të nevojshme për të shlyer detyrimet e zakonshme kundrejt palëve të treta e të gjitha bashkë kapnin shifrën e 53 mijë eurove. Kryearkëtari nuk ka ditur të thotë se kur mund të jetë vjedhur kasaforta, ndaj policia mendon se kjo mund të ketë ndodhur nga çasti i imbarkimit deri në në orën 9 të mëngjesit kur trageti kish mbërritur në portin shqiptar e R.B. ka pikasur mungesën e saj.