E shtyp kamioni. Në rrezik jete 47 vjeçarja Çela - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Manushaqe Çela, teksa kapërcente një rrugë në qendër të Marchenos (BS) është përplasur nga një kamion. Është shtruar në repartin e Terapisë intensive në spitalin e Brescias, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore

Romë 29 nëntor 2011 – Një aksident rrugor ka ndodhur dje rreth orës 11 paradite në Marcheno të Brescias. Manushaqe Çela, 47 vjeç, rezidente në fshat, e martuar e nënë e dy djemve të rritur, 23 e 18 vjeç, është shtypur nga një Tir teksa kalonte nga një trotuar në tetri të rrugës Zanardelli. Sipas disa dëshmive të sjella nga shtypi lokal, duket se gruaja ka nisur të kapërcejë rrugën pa vënë re ardhjen e kamionit të madh që nuk ka mundur ta shmangë. Përplasja  ka qenë shumë i fortë dhe gruaja në një çast është gjendur përdhe, pa ndjenja dhe e mbuluar në gjak. Personeli i ndihmës së shpejtë i ardhur me helikopter ka arritur të rianimojë gruan dhe më pas e ka çuar në spital. Ajo është shtruar në repartin e terapisë intensive dhe gjendja e saj shëndetësore konsiderohet kritike nga mjekët.

Dje, ky ka qenë aksidenti i dytë rrugor me viktimë shqiptare: në mëngjes herët, në  një aksident rrugor në rrugën SS33 pranë Domodossolas ka humbur jetën një nënë e re, Silvana Mullusi, 26 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur rëndë foshnja e saj katër-muajshe.