Ebola. Ilaçi bën efekt, shërohet mjeku amerikan - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Brantly, mjeku amerikan i prekur nga ebola, sot del nga spitali. Një rreze shprese për shpartallimin e virusit në Afrikë

Romë, 21 gusht 2014 - Mjeku misionar amerikan Kent Brantly, i prekur prej tri javësh nga virusi i ebolës, është shëruar. Falë kurës me ilaçin Zmapp, akoma në fazë eksperimentimi. Lajmin e mirë që lë vend për shpresë për mijëra persona, e ka bërë të ditur organizata “Samaritan's Purse”, për të cilën mjeku punonte në Liberi. “Sot festojmë shërimin e doktorit Brantly dhe daljen e tij nga spitali” thuhet mes të tjerash në komunikatën e organizatës.

Brantly, 33 vjeç, bashkë me një kolege, Nancy Writebol, janë shtruar në një spital të Atlantës më 2 gusht, sapo janë riatdhesuar nga Liberia ku ishin prekur nga virusi. Që të dy janë kuruar me ilaçin, që deri në atë moment ishte eksperimentuar vetëm te majmunët, e që falë të cilit dy pacientët kanë pasur përmirësim të përditshëm.
Duhet kujtuar, ama, që i njëjti ilaç iu dha edhe misioniarit 75 vjeçar spanjoll Miguel Pajares, pa asnjë rezultat: ndoshta për të ishte shumë vonë, vdiq vetëm pak orë pas marrjes së ilaçit.

Shërimi i mjekut amerikan hap një dritare shprese për mijëra afrikanët e prekur nga virusi i ebolës. Ndoshta falë presionit ndërkombëtar, ShBA nuk mund të kundërshtojë akoma përdorimin e ilaçit në vendet ku virusi po bën kërdinë në jetë njerëzish me justifikimin se ai është në fazë eksperimentimi.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)