Ekstradohet nga Roma i dënuari në Lushnjë me 6 vjet burg - Shqiptari i Italisë

Kronikë

I dënuar në mungesë në vitin 2003 për “tentativë marrëdhëniesh seksuale me dhunë” duhet të kryejë 6 vjet burg në Lushnjë

Romë, 24 maj 2011 – Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, ekstradoi sot nga Roma në Shqipëri Sokol Ymerin, 37 vjeçar nga Lushnja, i dënuar nga drejtësia shqiptare në janar të vitit 2003,  për “Kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë, e mbetur në tentativë”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Sokol Ymeri, ka ndodhur mesnatën e tetorit të vitit 2002 në qytetin e Lushnjës, kur 37 vjeçari, në bashkëpunim me një tjetër shtetas, kanë hyrë me forcë në banesën e një shtetaseje, duke tentuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë.  
Një vit pas ngjarjes, nën këtë akuzë, me vendim të  Gjykatës së  Rrethit, 37 vjeçari Ymeri është dënuar me  6 vjet heqje lirie. Prej tetë vjetëve në kërkim, më në fund ai do të shlyejë borxhin që ka me drejtësinë shqiptare.

Në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, 37 vjeçari nga Lushnja, i arrestuar në shtetin fqinj në tetor të vitit të kaluar,  iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vuajtur dënimin e dhënë më parë.