Elbasan. Lind qengji me gjashtë këmbë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Vazhdojnë surprizat gjenetike në zonën e Elbasanit. Rasti i fundit, ai i qengjit që ka lindur me gjashtë këmbë, e organe të tjera të dyfishuara

Elbasan, 22 nëntor 2011 – Ka lindur dy qengja binjakë, njëri prej të cilëve me gjymtyrë dhe organe të dubluara, delja e familjes Gorica në një fshat të Sulovës në rrethin e  Elbasanit. Binjaku mashkull ka lindur me gjashtë këmbë, dy prej të cilave të ngjitura, dy organe gjenitale mashkullore, si edhe dy organe për jashtëqitje.

Emineja, gruaja e familjes Gorica, tregon se prej ditësh e kanë pritur  shtimin e tufës së deleve. Delja që lindi binjakët është e racës greke dhe është mbarsur me një dash të racës franceze. Kjo është e treta lindje për të. Ndërsa në dy rastet e tjera edhe pse kanë lindur qengja binjakë, thotë gruaja, ato kanë qenë normalë.

“Jemi treguar shumë të kujdesshëm me qengjin monstër, ndërsa këtë fenomen, i pari në zonën tone, e lidhim me rendimentin e pjellshmërisë së deles, ku për çdo vit, ajo lind binjakë dhe i marrim çdo ditë tre litra qumësht”, thotë Emineja.

Për të lindja e qengjit monstër është një ogur i mirë dhe ajo nuk ndjehet aspak e shqetësuar që qingji ka lindur i tillë, pasi edhe kështu, ai do të rritet dhe ndoshta do të theret në rast se asnjë nuk është i interesuar për ta marrë atë si eksperiment, thotë Emineja.

Nuk është hera e parë që ndodhin këto çudi në trevën e Elbasanit. Në vitin 2002 në familjen e Demir Sherlit me banim në Rrasë të qytezës se Belshit,  nga veza e pulës u lind një zog me katër këmbë.

Çudia e radhës ndodhi në një familje në periferi  të Librazhdit, në vitin 2004,  ku një gjel bëri vezë. Veza e gjelit, peshonte 95 gram, ndërsa veza normale e një pule peshon vetëm 50-55 gram.

Ndërkohë që një tjetër çudi ka habitur banorët e qarkut  në zemër të Shqipërisë, kur në fshatin Polis në Elbasan, dy herë radhazi ka pjellë  mushka, ndërsa ka lindur me gjashtë këmbë një dele, pa harruar këtu edhe një viç të  lindur pa organe gjenitale.