Është Altin Hoxha i arratisuri nga burgu i Romës, pjesëtar i një bande vilash - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Altin Hoxha, 28 vjeç, është një nga pjesëtarët e bandës së hajdutëve që ka vjedhur të paktën njëmbëdhjetë vila në provincën e Perugias, mes të tjerash edhe atë të trajnerit të futbollit Serse Cosmi

Romë, 14 janar 2012 - Quhet Altin Hoxha shqiptari i arratisur sot nga burgu Regina Coeli në Romë.

Kërkimet për të e për rumunin Stefan Cusnir vazhdojnë jo vetëm në Romë por edhe në mbarë Lazion qoftë me postblloqe qoftë nga ajri me helikopterë por deri tani pa asnjë rezultat.

Ata janë arratisur sot në mëngjes rreth orës 8.30 pasi kanë sharruar hekurat e dritares së qelisë së tyre dhe me anë të një litari kanë zbritur në oborr të burgut. Më pas, kanë kapërcyer murin rrethuesnë një pikë ku nuk ka pasur roje dhe kanë dalë në rrugë.

Altin Hoxha, 28 vjeç, është një nga pjesëtarët e bandës së hajdutëve që ka vjedhur të paktën njëmbëdhjetë vila në provincën e Perugias, mes të tjerash edhe atë të trajnerit të futbollit Serse Cosmi.

Hoxha, i kapur në qershor të vitit të shkuar nga forcat e policisë së Romës e të Perugias, u njoh edhe nga viktimat e dëshmitarët për sytë e tij të kaltër. Konsiderohej krahu i djathtë i kreut të bandës ndaj edhe i ishte vënë nofka “grabitësi me sy të akullt”

Vjedhjet e para të kësaj bande kanë nisur në maj të vitit 2010 dhe, sipas hetuesve, janë të paktën 11 vilat e grabitura prej saj. Viktimat, pasi u merreshin paratë rriheshin dhe kërcënoheshin me armë. Më 19 janar të vitit të shkuar në lokalitetin Brufa të Perugias u grabit edhe trajneri Cosmi. Pikërisht ndihma e tij kanë qenë e vyer për hetuesit, sepse trajneri kishte dhënë elementë me vlerë mbi fizionominë e personave që e kishin vjedhur, dhe veçanërisht për Altin Hoxhën. 

Pikërisht dje, policia shqiptare ekstradoi për në Itali, Ylli Ndoin, një prej tre të arratisurve pranverën e shkuar nga burgu i Vogheras.

Lexo edhe:
 
Arkiv 'Bota Shqiptare':
Zogu dhe kafazi, prill 2005