Far West në Milano. Qëllojnë në rrugë: dy të vdekur e një i plagosur - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Viktimat janë 41-vjeçari Arben Kthella dhe egjiptiani Ibrahim Sharara 36 vjeç. I plagosur, rëndë por jo në rrezik jete, mbetet edhe kushëriri i shqiptarit, Mondi Kthella, 38 vjeç. Për vrasjet arrestohet një shqiptar

Romë, 19 shtator 2014 - E enjte, ora 21. Tre burra diskutojnë në para një picerie në periferinë veriore të Milanos, kur dikush qëllon mbi ta, njëri mbetet i vdekur në vend, e ndërsa dy të tjerët ia mbathin, ndiqen nga pas e qëllohen. Vdes edhe një i dytë. Personi i tretë edhe pse i plagosur arrin të fshihet e t'i shpëtojë vrasësit.

E gjitha kjo në vetëm 10 minuta tmerri, në sheshin e Qendrës ortopedike Galeazzi në periferinë veriore të Milanos, në sy të shumë dëshmitarëve. Vetëm rreth tri orë pas vrasjeve, policia ndalon një person, edhe ky shqiptar, që dyshohet të jetë vrasësi.

Viktimat janë 41-vjeçari shqiptar Arben Kthella dhe egjiptiani Ibrahim Sharara 36 vjeç. Personi i plagosur është kushëriri i Kthellës, Mondi Kthella, 38 vjeç.

Gjithçka ka nisur papritur. Dëgjohen tre-katër të shtëna njëra pas tjetrës, e pa arritur as të kuptohet çka ndodh, Arben Kthella bie në tokë i vdekur. Ka dy plumba në shpinë e një në qafë. Ndërkohë dy të tjerët përpiqen të largohen me vrap por vrasësi vihet në ndjekje të tyre. Fillimisht të Mondi Kthellës, që edhe pse i plagosur arrin të fshihet. Vrasësi kthehet mbrapsht e qëllon sërish Arben Kthellën nga shumë afër, këtë herë në kokë. I hipën makinës dhe vihet në ndjekje të personit të tretë, Ibrahim Sharara. E gjen dhe qëllon sërish me armë disa herë duke lënë egjiptianin në agoni: vdes pas pak minutash pa arritur të çohet në spital.

Vrasësi zhduket. I plagosuri çohet në spitalin Fatebenefratelli ku e operojnë. Sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore është e rëndë por jo në rrezik jete.

Karabinierët në vendin ku sapo ka ndodhur vrasja:

Karabinierët e mbërritur në vendngjarje mbledhin dëshmitë e para dhe ngrenë disa postblloqe në zonë për të ndaluar makinën e vrasësit. Kanë pikasur makinën e vrasësit në zonën San Zenone të Milanos e kur ai ka dalë nga një lokal e është futur në makinë i është kërkuar të dorëzohet. Por rezistenca e tij ka qenë aq e fortë saqë karabinierëve u është dashur edhe ndihma e dy kamionistëve (shiko videon në fund të shkrimit) për ta nxjerrë nga makina e për t'i vënë hekurat. Në makinën e tij karabinierët kanë gjetur edhe një pistoletë Beretta të kalibrit 9, e pajtueshme me gëzhojat e shumta të gjetura në vendin e krimit. I arrestuari është edhe ky shqiptar, me moshë 38 vjeç, por emri i tij nuk bëhet i ditur.

Karabinierët dyshojnë se ngjarja e rëndë, që duket si një ekzekutim i vërtetë, mund të jetë larje hesapesh për punë droge.

Arrestimi i 38-vjeçarit: